Fushata e NATO-s, që nisi më 24 qershor të vitit 1999 dhe që zgjati për plot 78 ditë, u karakterizua me dëbimin masiv që u bënë forcat serbe shqiptarëve të Kosovës, ndërsa rezultoi me kapitullimin e autorit të luftës – Sllobodan Millosheviq. U deshën më shumë se tetë vjet që të miratohet shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të ish-presidentit finlandez, Marti Ahtisari. Po ku është Kosova sot, katër vjet pas krijimit të shtetësisë? Ajo ka siguruar njohje prej 87 shtetesh ndërkombëtare – shifër kjo që nga disa konsiderohet e kënaqshme, nga të tjerët e pamjaftueshme.
Në ditët e para të lindjes, shtetësia e Kosovës është pranuar nga fuqitë e mëdha botërore, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania, Franca, Austria. Kosova është njohur edhe nga të gjitha shtetet përbërëse të ish-Jugosllavisë, përjashtuar këtu Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë. Por, pengesa të konsiderueshme për shkak të mosnjohjes vlerësohet se paraqesin pesë vendet e Bashkimit Evropian – Greqia, Spanja, Sllovakia, Qiproja dhe Rumania – që, sot e kësaj dite, nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë. Mosunifikimi i bllokut 27-anëtarësh mbetet sfidë për Kosovën sa i përket integrimit, por jo vetëm.
Shteti më i ri në Evropë ka një shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë, ndërsa ka shënuar zhvillim të ngadalshëm ekonomik. Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk e kanë lënë Kosovën jashtë grupit të shteteve rajonale, të përfshira në këto dukuri. Sfidë numërohet edhe pavarësia e gjyqësorit, ashtu si edhe liria në media. Në marsin e vitit të kaluar, Prishtina zyrtare ka hyrë në një proces që nga aktorët ndërkombëtarë është mirëpritur, por jo edhe nga të gjithë kosovarët – dialogu me Beogradin për, siç është thënë, çështjet e pazgjidhura teknike.
Procesi nuk mund të konsiderohet më pak sfidant për Kosovën, pasi shteti serb vazhdon të mos zbatojë si duhet marrëveshjet që kanë arritur palët, si dhe të shfaqë pengesa për arritjen e kompromiseve të reja. Përfaqësimi i Prishtinës në nisma rajonale është shkaku i ngecjes disamuajshe të negociatave, me gjithë thirrjet e Brukselit, si ndërmjetësues në proces, që palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve. Beogradi do që Kosova të përfaqësohet nën Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, por një gjë e tillë kundërshtohet fuqishëm nga vetë Kosova, e cila do që të përfaqësohet si shtet i pavarur dhe sovran. Kjo është vetëm njëra nga këmbënguljet e autoriteteve kosovare, të cilat i pret edhe realizimi i premtimeve të tjera: qytetarët kosovarë duan liri të lëvizjes – Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në. Zotimi i krerëve kosovarë mbetet shpresëdhënës. (rel)