Pas Greqise maqedonasit preferojne Shqiperine

Pas Greqise, maqedonasit preferojne Shqiperine

Çmimet e volitshme, afërsia, tradita dhe disa përparësi të tjera, i detyrojnë pushuesit maqedonas të kalojnë pushimet e verës në Greqi dhe Shqipëri. Marrëdhëniet politike të Maqedonisë me Greqinë, por së fundmi edhe me Shqipërinë, aspak nuk ndikuar në verimet e pushuesve drejt këtyre dy destinacione turistike.

Çdo turist si konsumator disponon me të hollat duke vendosur në bazë të xhepit, preferencave, rekomandimeve por edhe rrethanave tjera se ku do  të kalojë pushimet verore.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Shqipëri, dëshira për të vizituar pika të reja turistike dhe çmimet joshëse, janë faktorët kryesor që turistët nga Maqedonia preferojnë të frekuentojnë edhe bregdetin shqiptar. Nga ana tjetër, Greqia tërheq turistët nga Maqedonia me traditën e vjetër të shkuarjes për pushime në këtë shtet, aranzhamanet e lira para sezonit kryesor si dhe kuzhinën tradicionale.

“Mund të them në mënyrë absolute se marrëdhëniet politike ndërmjet Maqedonisë në raport me Greqinë apo edhe Shqipërinë, nuk ndikojnë në verimet e pushuesve nga Maqedonia në këto dy destinacione turistike. Për qytetarët tanë sivjet në bazë të interesimit për pushime në radhë të parë është Greqia, pastaj Shqipëria dhe Turqia, që varet edhe prej preferencave, xhepit, çmimit të shërbimeve, cilësisë së verimit, verimit me fëmijë të vegjël dhe kushtet tjera”, thotë drejtoresha ekzekutive e Odës ekonomike të turizmit të Maqedonisë, Tatjana Peroviq.

Edhe punëtorët e tjerë turistik vlerësojnë se politika aspak nuk ndikon në përzgjedhjen e vendit për pushime të turistëve nga Maqedonia.

“Praktika ka treguar se edhe përkundër marrëdhënieve politike ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë që janë të tendosura, një gjë e tillë nuk është reflektuar as me një për qind në sektorin e turizmit. Për shembull, deri në 15 gusht për Greqinë janë të shitura të gjitha kapacitetet për verime, por këtu duhet pasur se përfshihen jo vetëm turistët nga Maqedonia por edhe turistët nga Serbia, që vërshojnë në pjesë të madhe Greqinë”, thotë  anëtari i Këshillit drejtues të Odës ekonomike për Turizëm të Maqedonisë, Kasam Shaqiri. Sipas tij, qytetari i Maqedonisë kur është në pyetje pushimi,  këtë e trajton si çështje personale përkundër politikës zyrtare.

“Pra edhe qytetarët e thjeshtë por edhe politikanët e njohur e shpërfillin një gjë të tillë në raport me pushimet në Greqinë. Ne si shqiptarë ndoshta kemi rezerva lidhur me pushimin në Greqi, por maqedonasit nuk kanë barriera në lidhje me këtë”, Vlerëson Shaqiri.

Sipas njohësve të turizmit në Maqedoni, Greqia tërheq turistët edhe me afërsinë e saj por edhe shprehinë për të kaluar atje pushimet si destinacion turistik, i njohur dekada me radhë.

Shqipëria nga ana tjetër për pushuesit nga Maqedonia paraqet një destinacion të pazbuluar, me një ofertë që kënaq pushuesit në fund të pushimeve meqë ofron çmime konkurruese, sjellje dhe respekt të konsiderueshëm ndaj pushuesve.

Lidhur me numrin e pushuesve nga Maqedonia në Greqi dhe Shqipëri, ku spekulohet me shifra të ndryshme , punëtorët turistik vlerësojnë se është jofalenderuese në mungesë të statistikave të sakta të flitet për një gjë të tillë.

Kjo është një temë mjaft specifike, që kërkon një trajtim dhe analizë të veçantë, pasi në numrin e përgjithshme të pushuesve hyjnë edhe ato që shkojnë për vikend  në pushime dhe në fund del se për shembull në Greqi janë për verime në një muaj më shumë se 200.000 pushues nga Maqedonia pasi turistët numërohen në mënyrë të përgjithshme, thotë drejtoresha ekzekutive e Odës ekonomike për turizëm të Maqedonisë, Tatjana Peroviq.

Anëtari i Këshillit drejtues të Odës ekonomike për Turizëm të Maqedonisë, Kasam Shaqiri, vlerëson gjithashtu se statistikat e pushimeve duhet të merren me rezervë pasi pushuesit kanë filluar të modifikojnë pushimet e tyre, ku në vend se 15 ditë në raport me periudhat e mëparshme, tani shënohen mjaft raste të shfrytëzimit të pushimeve dy herë nga shtatë ditë.

Ndryshe, për çmimet konkurruese të pushimeve në Shqipëri flasin edhe shembujt se në Vlorë mund të gjenden apartamente edhe me 20 -30 euro, ndërsa çmimet nëpër dyqane janë të njëjta apo edhe më të lira se në Maqedoni.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama