Nje muze per filmin shqiptar!

Nje muze per filmin shqiptar!
Ndërtesa emblematike e Korpusit Qendror të Ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, sot “Albafilm” në brendi të së cilës gjendet shumçka nga 50 vjet kinematofrafi në Shqipëri, shpejt do të shndërrohet në një ‘Muze të Filmit Shqiptar’. Kostume nga qindra filmat e realizuar, objekte të aktorëve apo kineastëve, gjurmë të pashlyera që kanë lënë njerëzit e filmit do të bëhen bashkë në këtë muze, projekt i “Albafilm”-it.

Drejori i këtij institucioni, Fatmir Musai e prezantoi këtë projekt përpara personaliteteve të kinemasë dhe kulturës në stendën e panairit ‘Klik Expo Group’ që mbahet në Tiranë ku gjendeshin jo pak objekte që do të zënë vend në këtë muze. Drejtori Musai pohoi në fjalën e tij se, ky ka qenë një detyrim prej marrjes së kësaj detyre. “Prej marrjes së kësaj detyre kam menduar shumë për këtë projekt. Unë kam nisur punën për rikonstruksionin e kësaj ndërtese, dhe ky është vetëm fillimi. Tani duam edhe ndihmën tuaj për të realizuar një muze sa më përfaqësues”-ka theksuar Musai përpara artistëve të ftuar në prezantimin e këtij muzeu.

Ndër dekada aty është grumbulluar shumçka! Prej veshjeve e deri te objektet tepër personale të artistëve do të zënë vend në një muze i cili synon të jetë sa më përfaqësues.

Po si do të jetë i ndërtuar Muzeu i Filmit. Tani është vetëm një projekt, që vitin e ardhshëm sipas drejtorit të “Albafilm”-it, vitin e ardhshëm ky muze do të çelet.

Drejtori i “Albafilm” Fatmir Musai u ndal në këtë pikë duke theksuar: “Mendojmë që dy të jenë pavionet e këtij muzeu. Njëri i palëvizshëm në të cilin të zërë vend gjithçka e trashëguar nga para viteve 1990-të dhe një tjetër pavion i lëvizshëm që kohë pas kohe të pasurohet me filmat që krijohen aktualisht dhe ata që do të vijojnë të realizohen në të ardhmen. E mendojmë këtë për të pasur një muze veçse përfaqësues edhe dinamik gjithashtu, duke mbajtur të palëvizur atë pasuri të vyer që ne kemi nga e shkuara”.

Veshje të personazheve më të famshëm të filmit shqiptar, armë, makina të vjetra apo pajtonë, bobina, kamera të vjetra, objekte të rralla të cilat i kemi parë në filmat tanë shqiptarë do të zënë vend në këtë muze. Objekte të cilat përgjatë këtyre dy dekadave kanë qëndruar në fonde pa kurrfarë përkujdesje. Por ato i kanë shpëtuar degradimit tërësor dhe në disa prej objekteve është ndërhyrë për të shpëtuar trashëgiminë e ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Roza Anagnosti mes veshjeve të personazheve që ka interpretuar

Një prej figurave më të njohura të ekranit nuk ka mundur të mos emocionoheh teksa ka prekur veshjet e saj në role, kamerat, makinën e objekte të tjera, me të cilat ka realizuar personazhet e filmave ku ka qenë protagoniste. Roza Anagnosti, aktorja e dhjetra roleve kinematografikë në mbi 40 vite karrierë ishte një ndër të ftuarat speciale në ceremoninë e lançimit të projektit “Muzeu i Filmit”. Një moment i veçantë ka qenë ai kur Roza Anagnosti ka prekur fustanin që ka mbajtur veshur në një nga filmat më të famshëm të saj, “Mesonjtorja”. Kjo ishte një surprizë për të! Veshjet që ka mbajtur në dhjetra role ishin për të në stendën e ‘Albafilm”-it dhe që do të ekspozohen gjithashtu në muzeun që do të çelet në vitin 2012 –të.

Artistja Anagnosti, mes miqve dhe kolegëve të një jetë pohoi:  “Është një projekt i vonuar, por jam shumë e gëzuar që më së fundi një muze i tillë do të realizohet dhe në Shqipëri. Të gjitha vendet kanë një vend ku memorizohet gjithçka, çdo prodhim. Nuk ka rëndësi se çfarë përçojnë këto prodhime, por e rëndësishme është që vlerësohet puna e të gjithëve, që brezat njihen, prekin dhe shohin se çfarë është bërë”.

Ikona e kinematografisë shqiptare, Roza Anagnosti vijoi më tej duke theksuar: “Fatkeqësisht brezat e rinj, studentët e arteve dhe shumë persona të tjerë nuk kanë mundësi tjetër që të njihen me atë çka është realizuar ndër vite. Kjo punë kolosale, edhe pse është bërë në një kohe krejt të ndryshme nga aktualisht duhet të jetë e prekshme nga të gjithë. Mendoj se, do të jenë studentët e arteve, aktorët e rinj, regjizorët, kameramanët dhe piktorët e filmave të cilët do të ndihen mirë të ndajnë eksperiencën e tyre me gjithë çka mund të mbajë Muzeu i Filmit” .

Objekte të vjetra të përdorura në filmat e ndryshëm që ka prodhuar ndër vite Kinostudio “Shqipëria e Re” këto ditë kanë mundur të vizitohen nga publiku. Bëhet fjalë për objekte që janë përdorur prej 10 korrikut të vitit 1952, kur edhe u përuruar Kinostudioja e deri në kapërcyell të viteve ‘90-të. Kinostudioja “Shqipëria e Re”, prej themelimit të saj deri në nisje të viteve ‘90-të, mori përsipër të gjitha funksionet e një kinematografie të centralizuar kombëtare si në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së filmave ashtu edhe në ruajtjen e dokumentacionit filmik.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama