Minarolli Festivali nje buxhet me i vogel se ne 2006-n

Minarolli: Festivali, nje buxhet me i vogel se ne 2006-n
Nga 3-9 nëntor, edicioni XIII i Festivalit të Filmit Shqiptar.
Në garë mungon “Falja e gjakut”, drejtori i QKK: Prish garën, ka fituar në Berlinale.


Nga data 3-9 nëntor, në Tiranë do të zhvillohet edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit Shqiptar, një ngjarje që rikthehet pas 6 vjetësh mungesë. Me gjithë vështirësitë ekonomike, Qendra Kombëtare Kinematografike synon të organizojë një festë të filmit, aq më tepër që këtë vit është edhe 100-vjetori i Pavarësisë. Tashmë është hartuar programi paraprak dhe madje është hedhur shorti për oraret e shfaqjes së filmave. Janë 15 me metrazh të gjatë, thuajse të gjithë ata që janë krijuar në periudhën mes dy festivalesh. Veç kategorisë së filmave artistikë me metrazh të gjatë, do të jenë edhe ata të dokumentarit, filmit me metrazh të shkurtër dhe të animuar.

Në listën e filmave të gjatë bie në sy mungesa e filmit “Falja e gjakut” me regji të Joshua Marston, i cili një vit më parë ngjalli mjaft debate për shkak se Akademia e Çmimeve Oskar e “përjashtoi” nga gara si “jo mjaftueshëm shqiptar”. Kryetari i Qendrës Kinematografike, Artan Minarolli, thotë se çështja e “të qenët ose jo shqiptar është jo pak e ndërlikuar”, por një nga arsyet kryesore pse organizatorët e festivalit nuk e panë të udhës ta përfshinin atë në garë, është fakti që ai tashmë ka marrë pjesë në Festivalin e Berlinit, ku është vlerësuar me “Ariun e Argjendtë” për skenarin më të mirë. Dhe kaq do të mjaftonte që gara mes konkurrentëve të mos ishte e barabartë. “Edhe në Festivalin e Prishtinës ai është shfaqur jashtë gare”, thotë Minarolli.

Pas 6 vitesh rikthehet Festivali i Filmit Shqiptar, në ç’fazë janë përgatitjet, është përcaktuar programi?

Programin e kemi bërë gati, kemi hedhur një short për oraret e shfaqjes së filmave, çka është shumë e rëndësishme dhe ne kemi dashur të jemi sa më asnjanës. Automatikisht, pas hedhjes së shortit, ne hartuam edhe programin. Festivali do të zhvillohet nga data 3-9 nëntor. Do të jenë 5 ditë shfaqje filmash të gjatë, të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar. Do kemi dy juri përzgjedhëse për çmimet. Njëra do të jetë për filmin e gjatë artistik dhe tjetra, e përbërë nga tre anëtarë, do të japë çmimet për filmat me metrazh të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar. Mendojmë ta kthejmë në një festë dhe rrotull seksioneve konkurrues të kemi një ambient edhe më të gjerë, një pikë takimi për gjithë artistët. Do të mundohemi të ftojmë sa më shumë njerëz nga jashtë, megjithëse buxheti i filmit është më i vogël se ai në 2006-n, kur ka qenë Festivali i fundit i Filmit. Por pavarësisht kësaj, besoj se do të arrijmë të bëjmë dika të mirë jashtë patetizmave dhe madhështive të kota. Do bëjmë diçka të bukur dhe të thjeshtë, që të ketë impakt te publiku, që shpresojmë të jetë sa më shumë i pranishëm.

Si do ta tërhiqni publikun, përderisa filmat që do të shfaqen janë të njohur tashmë…?

Veç filmave do të ketë edhe aktivitete të tjera si workshope, masterklase me njerëz, autorë të rëndësishëm, që t’i shërbejnë komunitetit të kineastëve dhe njerëzve që e duan kinemanë. Do të krijohet një ambient në funksion të festivalit, që do të zhvillohet në Kinema Millenium edhe në gjithë Pedonalen, Galerinë Kombëtare të Arteve, Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Kombëtar të Komedisë. Do jetë një mundësi e mirë, që të gjithë ata që kanë një projekt kinematografik ta diskutojnë atë, të takojnë njerëz dhe të mund të konkretizojnë idetë e tyre. Pra, Festivali nuk do të jetë vetëm një vend ku do të shfaqen ca filma, por një vend ku finalizohen ide dhe fillon puna për projekte të reja.

Ky festival zhvillohet pas 6 vitesh dhe në një farë mënyre është edhe një analizë e kinematografisë shqiptare në këto vite, si ju rezulton juve ky bilanc?

Kinemaja është një pasqyrë direkte e transformimit të shoqërisë sonë, që qoftë në mënyrë spontane apo të organizuar ka bërë gjatë këtyre 6 viteve. Jam i bindur që këta 15 filma që do shfaqen, do të na tregojnë një kinema dhe një Shqipëri tjetër. Kushdo që do të njohë Shqipërinë, fare mirë mund t’u referohet filmave që janë bërë gjatë një 5-vjeçari, pasi ata kanë edhe reflektimin e mentalitetit dhe filozofisë, në të cilën regjisori e ka parë atë. Prandaj për mua është shumë e rëndësishme që njerëzit të vijnë në kinema.

Si është pritur nga komuniteti i kineastëve organizimi i Festivalit?

Gjithmonë ka skeptikë, nihilistë apo njerëz që e presin me shumë dëshirë. Këto janë ngjyrat e demokracisë. Nuk mund të jemi dot vetëm. Jam i bindur se sido që ta bëjmë ne Festivalin, do të ketë skeptikë në lidhje me vizionin etj, etj., megjithatë kjo bën që gjërat të diskutohen dhe diskutimi gjithmonë është i mirë, ndonëse shpesh rrëshqet në ekstreme banale, apo në patetizma mediokër.

Thatë se buxheti i Festivalit është më i vogël se ai i 2006-s, sa është ai?

Ende nuk e dimë sa do të shkojë, pasi jemi në pritje. Por sado që të them unë, shifra jonë do të jetë shumë pak. Mund t’ju them vetëm një gjë, që Festivali i Selanikut bëhet me 5 milionë euro dhe, cilado që të jetë shifra jonë do të jetë e pakrahasueshme, por megjithatë jo çdo gjë varet nga buxheti, por nga qëllimi dhe struktura që ne duam të ndërtojmë. Ne duam që festivali të arrijë synimin e vet dhe të bëhet një ballafaqim i kineastëve.

Pavarësisht se janë filma që tashmë publiku i njeh, do të ketë çmime?

Po. Çmimet i japin bukuri Festivalit, pasi e kthejnë në garë dhe gara ka gjithmonë diskutime të mëdha. Diskutimet nxjerrin në sipërfaqe avantazhet, por edhe problemet. Çmimet janë një rezultat, ndonjëherë i drejtë, ndonjëherë i padrejtë, megjithatë na jep një tablo të diskutueshme për perspektivën e kinemasë.

Duke parë listën e filmave, vihet re mungesa e filmit “Falja e gjakut”, përse?

Përveç dy filmave kosovarë, të gjithë filmat e tjerë janë të financuar nga QKK. Ndërkohë që një vit më parë ne e çuam atë për Oskar dhe Akademia na e ktheu si jo shqiptar. Por të qenët ose jo shqiptar, është një çështje e komplikuar. Ne e kemi diskutuar këtë çështje dhe ramë dakord që ky film të mos merrte pjesë për shkak se ai ka marrë pjesë në Berlinale, në një festival të një rangu shumë më të lartë se festivali ynë, ku ka marrë edhe çmim dhe në mënyrë automatike ai zhvlerëson filmat e tjerë, pra prish garën. Edhe në Festivalin e Prishtinës ai është shfaqur jashtë konkurrimit.

Filmat artistikë pjesëmarrës

“Ne dhe Lenini”, regjia Saimir Kumbaro
   
“Maya”, regjia Pluton Vasi

“Muajt e Mjaltit”, regjia Goran Paskaljeviç

“Sekretet”, regjia Spartak Pecani

“Ballkan Bazar”, regjia Edmond Budina

“Lindje-Perëndim-Lindje”, regjia Gjergj Xhuvani

“Koha e Kometës”, regjia Fatmir Koçi

“Gjallë”, regjia Artan Minarolli

“Shqiptari”, regjia Johannes Naber

“Gomerët e kufirit”, regjia Jeton Ahmetaj

“Amnistia”, regjia Bujar Alimani

“Out of touch”, regjia Andi Deliana

“Përtej rrugës”, regjia Yll Çitaku

“Mao-Ce Dun”, regjia Besnik Bisha

“Pharmakon”, regjia Joni Shanaj

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama