Konflikti i Gazes Izraeli zgjeron sulmet e saj nga toka

Konflikti i Gazes, Izraeli zgjeron sulmet e saj nga toka

Izraeli thotë se ka zgjeruar sulmet nga toka kundër Hamasit. Banorët në Gaza raportojnë se kanë dëshmuar bombardimet më të këqija që kur filloi konflikti 13 ditë më parë. Në një deklaratë, ushtria e Izraelit tha se forca shtesë i ishin bashkuar “përpjekjes për të luftuar terrorin” në Gaza. Më shumë se 40 persona mbetën të vrarë në një distrikt në lindje të qytetit të Gazës, shprehen zyrtarët e spitaleve. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, do të takohet në Katar me Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas. Vizita e tij është pjesë e një turi rajonal, që ka si qëllim të ndihmojë izraelitët dhe palestinezët t’i japin fund dhunës dhe të gjejnë një rrugëzgjidhje. Por vdekjet vazhduan të shtohen në fundjavë, me afërsisht 400 palestinezë të vrarë gjithsej, shumica prej tyre civilë, përllogarit OKB-ja. Të paktën 40 persona mbetën të vdekur në distriktin e Shejaiyas, nga një bombardim i rëndë gjatë natës, thonë mjekët. Ambulancat nuk qenë në gjendje të hyjnë në zonë, për shkak të predhave. Dëshmitarët raportojnë se trupat mbetën të shtrirë në rrugë. Gjithnjë e më shumë qytetarë po largohen nga zona për të shpëtuar jetën. Nga ana e tyre, militantët kanë vazhduar të qëllojnë raketa në Izrael.

Pesë ushtarë dhe dy civilë izraelitë kanë vdekur që kur Kryeministri Benjamin Netanyahu lajmëroi fillimin e ofensivës ushtarake më 8 korrik. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë dërguar trupa nga toka në Gazë, 10 ditë pas sulmeve të rënda ajrore dhe pasi barrikada detare dështoi të ndalonte raketat e qëlluara nga Gaza.

Izraeli thotë se operacioni nga toka është i nevojshëm për të sulmuar një rrjet tunelesh të Hamasit, i cili nuk mund të qëllohet vetëm nga ajri. Dy ushtarë izraelitë u vranë të shtunën gjatë një përballjeje me militantët palestinezë, të cilët i përdornin tunelet për të kaluar nëpër Izrael e për të nisur sulmet, tha IDF-ja.

Sipas kolonelit Peter Lerner, një zëdhënës i IDF-së, sulmet nga toka do të zgjeroheshin për të kthyer sigurinë dhe stabilitetin te banorët dhe qytetarët izraelitë.

Banorët e Gazës raportojnë se kanë dëgjuar shpërthime gjatë natës së të shtunës. Një sulm ajror në periferi të Shejaiyas shënjestroi shtëpinë e një zyrtari të Hamasit, Khalil al-Hayya, duke vrarë katër persona, përfshirë djalin e tij dhe një familjar tjetër.

Nga ana e saj, OKB-ja paralajmëroi se po i mbaronin furnizimet për të ndihmuar 50 mijë palestinezët që kanë gjetur strehë në shkollat e Gazës. Një zyrtar i OKB-së tha se numri i personave që po migronin ishte shumë më i madh nga ç’pritej, me kufijtë e mbyllur të Izraelit dhe Egjiptit për banorët e Gazës.

Frikë për civilët

Përpjekjet diplomatike për të siguruar një armëpushim, përfshirë Egjiptin, Katarin, Francën dhe OKB-në, kanë dështuar të bëjnë progres. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, takoi Netanyahun të shtunën, por tha se përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi kishin dështuar.

“Për fat të keq, mund të them se thirrja për armëpushim nuk u dëgjua dhe për më tepër, ka rrezik që më shumë civilë të vriten, gjë që na shqetëson”, tha ai për median.

Katari ka organizuar ditën e djeshme një takim midis Presidentit Abbas dhe Ban Ki-moon, përpara se shefi i OKB-së të vazhdojë në Kuvajt, Egjipt, Izrael, territoret palestineze dhe Jordani. Abbas do të takojë edhe liderin e Hamasit, Khaled Meshaal, në përpjekje për ta bindur grupin islamik të bjerë dakord me përpjekjet egjiptiane për t’u dhënë fund luftimeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama