Kombetarja De Biazi ndryshon taktike ne bashkejetese

Kombetarja, De Biazi ndryshon taktike ne 'bashkejetese'

Nis me rregulla të reja edicioni i kualifikimeve për “Francë 2016″. Nuk bëhet fjalë për module loje, apo skema nga më të ndryshmet, të cilat stafi teknik i ka në mendje, referuar natyrisht edhe kundërshtarit, por për mënyrën se si lojtarët e Kombëtares do të qëndrojnë gjatë grumbullimeve. Kështu, edhe pse ishte bërë një ndarje paraprake e 24 të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Portugalisë, drejtuesit e federatës dhe trajneri Xhani de Biazi kanë menduar që të bëjnë përsëri ndryshime. Arsyeja qëndron te një ide e fundit e stafit teknik të kuqezinjve për të pasur një skuadër sa më harmonike jo thjesht në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Dhe për t’ia arritur një gjëje të tillë, De Biazi ka vendosur që “të përziejë” lojtarët, duke mos i lënë këta të fundit që të qëndrojnë në dhoma sipas “qejfeve” apo dëshirave të tyre.

 

Gjatë edicionit të fundit (por edhe më parë), është vërejtur se pjesa më e madhe e lojtarëve fiks të Kombëtares qëndronin me të njëjtët persona gjatë grumbullimeve. Për shembull, Ansi Agollin e shihje gjithnjë me Ervin Bulkun, ose Andi Lilën me Emiljano Vilën. Apo Lorik Canën me Debatik Currin ose në mungesë të këtij të fundit, me Etrit Berishën dhe Armend Dallkun. Por, më shumë se kaq, kjo lloj ndarjeje vërehej edhe në stërvitje të skuadrës, ku jo rrallëherë shikoje që lojtarët nga Kosova bëheshin gjithnjë bashkë, duke bërë kuadrate dhe pasime mes tyre, ashtu sikundër ata nga Shqipëria. Apo legjionarët me ata që vinin nga kampionati shqiptar. Për ta përforcuar këtë, mjafton të kujtojmë se kjo gjë shihej edhe në ambientet e tjera, bar, apo restorant të hotelit, ku akomodohej skuadra, duke të dhënë përshtypjen e një skuadre të ndarë më dysh, e cila bëhej e njëjtë (formalisht) vetëm kur zbriste në fushën e lojës. Pikërisht kjo gjë nuk i ka pëlqyer as presidentit të FSHF-së Duka e as trajnerit De Biazi, ndaj ky i fundit ka menduar të bëjë disa ndryshime për grumbullimin e ndeshjes me Portugalinë, i cili nis sot në Spanjë. Tekniku italian kërkon që të mos ketë ndarje mes shqiptarëve dhe kosovarëve, duke qenë se kemi të bëjmë me një skuadër, me një qëllim, me një ideal, me një komb, një Kombëtare. Kësisoj, nga sot, kuqezinjtë që vijnë nga Kosova do duhet “të bashkëjetojnë” me ata të Shqipërisë, duke kërkuar jo vetëm të forcojnë miqësitë mes tyre, por edhe të krijojnë një grup sa më harmonik.

 

“Shqipëria na hapi telashe në 2009-n”

 

Trajneri i Portugalisë, Paolo Bento, nuk e ka marrë me qetësi takimin e parë kualifikues ndaj Shqipërisë. Në një intervistë dhënë mediave portugeze, ai ka saktësuar se kuqezinjtë janë një skuadër ndaj të cilëve duhet pasur kujdes. “Unë gjykoj se do kemi përballë një kundërshtar të vështirë për t’u mundur, i cili i hapi shumë punë edhe Zvicrës në edicionin e fundit të kualifikimeve për në botëror. Edhe neve vetë kemi pasur probleme ndaj kësaj skuadre. Nëse ju kujtohet, në kualifikimet e Botërorit 2010 patëm dy ndeshje shumë të vështira ndaj tyre. Gjithsesi objektivi ynë është fitorja me çdo kusht ndaj do përgatitemi për ta nisur mbarë”, ka thënë Bento. Tekniku portugez ka lënë jashtë për shkak dëmtimi Kristiano Ronaldon, ndërkohë që ka grumbulluar këta lojtarë: Lopes (Lion), Eduardo (Dinamo Zagreb), Rui Patrisio (Sporting), Almeida (Benfika), Koentrao (Real Madrid), Pereira (Valencia), Pepe (Real Madrid), Neto (Zenit), R.Kosta (Al-Sailija), Vezo (Valencia), Antunes (Malaga), Adrien (Sporting), Gomes (Valencia), Mutinjo (Monako), Veloso (Dinamo Kiev), Tiba (Braga), Meireles (Fenerbahçe), Karvajo (Sporting), Vieirinja (Volfsburg), Bruma (Galatasarai), Eder (Braga), Kavaleiro (Deportivo La Korunja), Nani (Sporting) dhe Rikardo Horta (Malaga). Kujtojmë që Shqipëria ka luajtur pesë ndeshje me Portugalinë, por nuk ka fituar asnjë të tillë: 06.06.’09 – Shqipëri-Portugali 1-2, 15.10.’08 – Portugali-Shqipëri 0-0, 11.10.’03 – Portugali-Shqipëri 5-3, 07.06.’97 – Portugali- Shqipëri 2-0 dhe 09.10.’96 – Shqipëri-Portugali 0-3.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama