Ish-guvernatori feston fitoren me perqafime e puthje ne sallen e gjyqit

Ish-guvernatori feston 'fitoren' me perqafime e puthje ne sallen e gjyqit

Ardian Fullani nuk ka mundur t’i mbajë emocionet, duke u lëshuar me përqafime dhe puthje ndaj avokatit të tij, kur ka dëgjuar vendimin unanim të tre gjyqtarëve të Apelit, të cilët, pas dhjetë ditëve izolim e kanë kthyer në shtëpi. Gjatë gjithë seancës gjyqësore, Ardian Fullani dukej qartë i tensionuar dhe në ankth, por kur gjyqtari Malaj përmendi prishjen e vendimit të Shkallës së Parë të Tiranës dhe caktimin e masës së “arrestit në shtëpi”, ai nuk është përmbajtur më. Fillimisht i ka dhënë një përqafim të përzemërt dhe ka puthur avokatin e tij Maks Haxhia dhe më pas, nga gëzimi nuk ka ngurruar t’u japë dorën edhe dy efektivëve të policisë që e shoqëruan nga Burgu 302.

 

Megjithatë, entuziazmi i Fullanit nuk ka përfunduar këtu, pasi ka shkuar drejt podiumit ku qëndronin tre gjyqtarët Alaudin Malaj, Agim Bendo dhe Shkëlqim Miri, duke i falënderuar ata për vendimin që morën. Gjatë atyre momenteve entuziazmi vihej re edhe një dashamirësi e gjyqtarit Agim Bendo, i cili ka ngritur gishtin e madh të dorës dhe me një buzëqeshje i është drejtuar në formë mirënjohjeje ish-guvernatorit, duke lënë të kuptojë se gjithçka ishte në rregull për të. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Fullanit, i cili ka vendosur dorën e djathtë pranë zemrës dhe është përkulur pak përballë Bendos, duke i thënë me zë të ulët “faleminderit”.

Pas këtij entuziazmi dhe përshëndetjeve mes të pandehurit dhe gjyqtarëve, teksa prokurori i çështjes ka mbledhur dosjen e tij dhe mbase kishte nisur të mendojë për rekursin në Gjykatën e Lartë, Fullani është larguar nga salla e gjyqit nën shoqërinë e efektivave të policisë së burgjeve, duke u larguar në drejtim të Burgut 302 në Tiranë, ku ka marrë sendet personale dhe është shoqëruar, po nga të njëjtit punonjës policie për në shtëpi, nga ku nuk lejohet të lëvizë. Prania e tij në ish-Bllok është parë nga shumë kalimtarë të tjerë, të cilët kanë qëndruar duke u kthyer në spektatorë të asaj që po ndodhte, ndërkohë që kur ish-guvernatori po hynte për te shkallët e pallatit, nuk kanë munguar edhe duartrokitje dhe urime për rifitimin e lirisë. Fullani ka ngjitur me shpejtësi shkallët, ndërkohë që pas hyrjes në banesë është pritur nga e shoqja gjyqtare, e bija dhe njerëz të tjerë të familjes.

 

Brenda ambienteve së shtëpisë është mbajtur një procesverbal për dorëzimin në shtëpi të Fullanit, ndërkohë që teksa nga dera ka dalë oficeri i policisë, në dalje të apartamentit të Fullanit është ngarkuar me shërbim rojë, një efektiv i Policisë së Tiranës. Kjo ka ndodhur me pak fjalë me Fullanin, ndërsa situata ka qenë pothuajse e njëjtë me të birin, i cili gjatë gjithë seancës gjyqësore ka pritur në ambientet e jashtme të Gjykatës së Apelit, nga ku ka ikur kur u shpall vendimi për të atin. Madje, vetëm pak çaste, pasi Fullani kishte hyrë në shtëpi, Erik Fullani ka ngjitur me vrap shkallët për të takuar të atin, të cilin e ka uruar për “fitoren” e djeshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama