Investimet ecin dobet shpenzimet shkojne per borxhet dhe pensionet

Investimet ecin dobet, shpenzimet shkojne per borxhet dhe pensionet

Shpenzimet buxhetore për shtatëmujorin shënuan rritje për herë të parë gjatë këtij viti, si rrjedhojë e dy faktorëve kryesorë; shtimit të subvencioneve për subvencionimin e skemës së pensioneve, dhe shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, një zë i ri që është futur për herë të parë në buxhetin e këtij viti. Megjithatë, rritja e këtyre dy zërave është neutralizuar disi nga tkurrja e fortë e shpenzimeve kapitale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve buxhetore arriti në 236 miliardë lekë për periudhën janar-korrik 2014, me një rritje prej 1.25% me bazë vjetore. Për gjashtëmujorin, shpenzimet kishin shënuar një tkurrje prej 3.7%. Shpenzimet korrente, ato për interesa dhe ato për buxhetin vjetor kanë arritur të mbahen nën kontroll, duke u ulur përkatësisht me 1.5%, 1.8% dhe 15.1%. Skema e pensioneve sa vjen e po bëhet më e paqëndrueshme, duke e thelluar deficitin. Shpenzimet për mbulimin e pagesave të pensioneve u rritën me 9.5% me bazë vjetore për shtatëmujorin. Ato ishin rreth 78 miliardë lekë në fund të korrikut, duke zënë 33% të totalit të shpenzimeve buxhetore, nga 30.5% që ishte kjo peshë në korrik 2013.

 

Një zë tjetër që ka ndikuar në shtimin e shpenzimeve buxhetore është ai i shlyerjes së borxheve që shteti u ka bizneseve, një proces që është intensifikuar ndjeshëm që pas muajit maj. Deri në fund të korrikut, financat kanë shlyer 25.7 miliardë lekë detyrime të prapambetura, nga të cilat 12.75 miliardë lekë rimbursim TVSH-je, 8.4 miliardë lekë detyrime infrastrukture dhe 4.7 miliardë lekë detyrime të tjera. Zëri me ecurinë më negative është ai i shpenzimeve kapitale, që është tkurrur me 45.5% me bazë vjetore për shtatëmujorin, duke reflektuar si bazën e lartë të krahasimit në të njëjtën periudhë të një viti më parë (sidomos në prag të zgjedhjeve të qershorit investimet kapitale ishin të larta), ashtu dhe kalimin e menaxhimit të fondeve nga një ministri në tjetrën. Që prej janarit të këtij viti, realizimi i shpenzimeve kapitale kryhet nga Ministria e Ekonomisë dhe jo nga Financat. Buxheti ka kursyer 20 miliardë lekë nga mosrealizimi i këtyre shpenzimeve (një shifër e përafërt me atë që iu është kthyer bizneseve). Deficiti buxhetor ishte 35% më i ulët në raport me një vit më parë, në 30.7 miliardë lekë. Megjithatë, në krahasim me qershorin e 2014-ës, deficiti është rritur me 27% (në qershor ishte 22 miliardë lekë), për shkak të ngadalësimit të rritjes së të ardhurave dhe shtimit të shpenzimeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama