Intervista Ekskluzive/ Fullani Qendrimi si Guvernator tregues pergjegjshmerie

Intervista Ekskluzive/ Fullani: Qendrimi si Guvernator, tregues pergjegjshmerie

“Unë e shoh përgjegjësinë administrative të Guvernatorit kryesisht në garantimin e stabilitetit dhe të pavarësisë të Bankës. Një gjë të tillë po e dëshmon i gjithë spektri politik në deklaratat e tij zyrtare, që adresojnë këtë problem delikat. Pra, interesi i Bankës ka dominuar mbi të gjithë”

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, gjendet prej javësh në syrin e ciklonit. Pas vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari, qytetarë dhe politikanë kërkojnë dorëheqjen e tij, por Guvernatori mendon se i ka përmbushur përgjegjësitë që i takojnë me ligj. “Unë e shoh përgjegjësinë administrative të Guvernatorit kryesisht në garantimin e stabilitetit dhe të pavarësisë të bankës. Një gjë të tillë po e dëshmon i gjithë spektri politik në deklaratat e tij zyrtare, që adresojnë këtë problem delikat. Në këtë kuptim, përkundrazi, vijimi im si guvernator i bankës  është tregues përgjegjshmërie në raport me rolin që ka ky post, në garantimin e sistemit bankar dhe sigurimit të pavarësisë së Bankës Qendrore”, – përgjigjet ai në këtë intervistë për MAPO-n. Fullani e cilëson vjedhjen në Bankën e Shqipërisë një rast të izoluar, që nuk ka ndikuar aspak në treguesit e sistemit bankar në vend dhe shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar edhe në vazhdim me Prokurorinë. Pranon se protagonisti i skandalit, Ardian Bitraj është emëruar në kohën e tij, por nuk ka pasur asnjë sinjalizim për veset e tij, as nga puna e mëparshme dhe as nga procesi i verifikimit të pasurisë. Në këtë intervistë të parë, Fullani komenton reagimet politike për ngjarjen, por edhe reagimin publik, pas publikimit në media të fotove të djalit të tij. “Në këto ditë dhe javë kanë qarkulluar shumë të pavërteta. Të pavërteta që më kanë prekur mua, familjen time, fëmijët e mi. Kam preferuar të mos përgjigjem dhe të mos hyj në këtë debat, sepse kam gjykuar që emergjenca në bankë pas ngjarjes së rëndë ka qenë më e rëndësishme se sa beteja ime personale”-thotë Fullani.

Zoti Fullani, tri javë pas publikimit të lajmit për vjedhjen e 7 milionë dollarëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë, ju nuk keni dalë personalisht të sqaroni rrethanat, përgjegjësitë tuaja dhe pasojat e ngjarjes. Pse kjo heshtje, kur opinion publik e ka temën e ditës vjedhjen e Bankës Qendrore?

Duke ju falenderuar për mundësinë që më keni krijuar, dëshiroj të saktësoj se: Ngjarja është njoftuar dhe denoncuar nga Banka e Shqipërisë, dhe unë personalisht kam dalë në Konferencë shtypi për të informuar publikun për të dhe masat emergjente që u morën që ditën e parë. Anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës po ashtu janë shprehur në media. Pa numëruar këtu deklaratat për shtyp. Duhet të keni parasysh që posti i Guvernatorit është i tillë që ai flet me deklarata dhe komunikata shtypi. Së dyti, dëshiroj të theksoj se çështja është në hetim dhe është një çështje mjaft delikate. Çdo deklaratë që mund të shuajë kuriozitetin publik, mund të dëmtojë rëndë hetimin dhe zbardhjen ligjore të ngjarjes. Kam preferuar që hetimi të mos dëmtohet, edhe duke u dëmtuar unë personalisht, me mjaft akuza të pavërteta që qarkullojnë.  Pas kontakteve me Prokurorinë, jemi angazhuar për të krijuar të gjithë kushtet për një hetim të shpejtë, profesional, të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe transparent. Kjo mënyrë, i shërben publikut më shumë sesa show mediatik i një Guvernatori. Nëse ju mendoni ndryshe, mund t’ju kuptoj, por për mua si Guvernator, hetimi, sekreti i tij dhe dalja e përgjegjësisë, është më e rëndësishme se sa përgjigja ndaj akuzave që më kanë hedhur mbi shpinë.

Një pjesë e opinionit publik, por edhe politikanë kërkojnë dorëheqjen tuaj si akt i marrjes së përgjegjësisë për dëmin financiar të ndodhur. Cili është reagimi juaj, a keni menduar gjatë këtyre ditëve dorëheqjen dhe çfarë ju ka penguar?

Përgjegjësitë dhe detyrat e Guvernatorit janë të përcaktuara me ligj, dhe gjenden lehtësisht. Guvernatori nxjerr urdhra dhe udhëzime, të cilat, në rastin konkret kanë qenë të mirëpërcaktuara. Mos zbatimi ose neglizhimi i tyre nga personat përgjegjës, është shkelje ligjore dhe si e tillë dënohet. Unë e shoh përgjegjësinë administrative të Guvernatorit kryesisht në garantimin e stabilitetit dhe të pavarësisë të bankës. Një gjë të tillë po e dëshmon i gjithë spektri politik në deklaratat e tij zyrtare, që adresojnë këtë problem delikat. Pra interesi i bankës, ka dominuar mbi të gjithë. Në këtë kuptim, përkundrazi, vijimi im si guvernator i bankës  është tregues përgjegjshmërie në raport me rolin që ka ky post në garantimin e sistemit bankar dhe sigurimit të pavarësisë së bankës qendrore.

Hetimi i Prokurorisë ka zbuluar deri më tani se Ardian Bitraj është ndihmuar në këtë vjedhje nga një sërë faktorësh; kanë munguar kontrollet periodike në arkën stok dhe atë në veprim nga përgjegjësit, nuk janë zbatuar protokollet e sigurisë për mbajtjen e çelësave të kasafortës dhe personi që duhej të mbikëqyrte kamerat, nuk ka dhënë asnjë sinjal për atë që ka ndodhur. Në analizën tuaj, pse nuk kanë funksionuar gjithë këto hallka?

Ju thashë edhe më sipër, çështja është në hetim. Përveç informacionit që kemi bërë publik, nuk mund t’ju jap detaje të tjera, por ju siguroj se lajmet që qarkullojnë çdo ditë ka pasaktësi dhe të pavërteta. Ajo që rezulton nga analizat e kryera është se nuk janë zbatuar rregullat procedurale të përcaktuara si në aktet e Këshillit Mbikëqyrës, ashtu edhe në ato të miratuara nga administratorët. Ndërkohë, ne po kryejmë me përgjegjësi të plotë rishikimin e gjithë procedurave tona që kanë lidhje me administrimin dhe kontrollin e vlerave monetare. Dua të theksoj se Banka e Shqipërisë, me asistencën edhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, ka marrë, dhe po merr të gjitha masat që garantojnë mos përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ngjarje që kanë ndodhur edhe në banka të tjera qendrore të mëdha si në Angli, Irlandë apo Australi.

A ka ceduar auditi i brendshëm dhe i jashtëm i Bankës? A kanë ata përgjegjësi ligjore në këtë rast?

Të gjitha kontrollet e auditit janë kryer, çdo vit, konform planeve të miratuara. Jam i bindur që hetimi i nisur do të ndajë përgjegjësitë për të gjithë hallkat e përfshira në këtë proces. Auditi është vetëm një pjesë e zinxhirit të mekanizmit operacional dhe atij kontrollues të Bankës së Shqipërisë. Duhet të sqaroj se auditi i brendshëm (Inspektori i Përgjithshëm – Drejtuesi i Departamentit të Kontrollit) i Bankës së Shqipërisë caktohet nga Parlamenti me një mandat pesë vjeçar. Auditi i jashtëm përzgjidhet me një procedurë prokurimi, ku ftohen të marrin pjesë, shoqëritë audituese më të njohura në botë. Dëshiroj të theksoj se auditi jashtëm i Bankës së Shqipërisë, prej së paku 15 vitesh realizohet nga shoqëri ndërkombëtare të mirënjohura auditimi.

A keni pasur ju sinjale për profilin e autorit të vjedhjes; një person aspak i besueshëm,  i varur nga kumari dhe lojërat e fatit,  që punon në një nga degët më të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë? Nëse jo, kush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë neglizhencë?   

Personi i akuzuar për vjedhje është punësuar në sistemin bankar në vitin 1993. Në Bankën e Shqipërisë punon prej vitit 2005.  Nga dokumentacioni në përmbajtje të dosjes së tij personale në lidhje me punësimin e mëparshëm, nuk ka rezultuar asnjë sinjalizim apo indicie rreth sjelljes apo ndonjë shkelje të mundshme të parimeve të kodit të etikës për punonjësin në Bankën e Shqipërisë. Për shkak të pozicionit specifik të punës, është certifikuar nga organet e specializuara për nivelin më të lartë të sigurisë që në vitin 2011. Por ne po rishikojmë të gjithë procedurat e “verifikimit të pastërtisë” të gjithë personelit dhe veçanërisht atyre në pozicione të caktuara.

Posti juaj si Guvernator ka shumë kompetenca ekzekutive. Emërimet janë njëra prej tyre. Në kushtet kur 9 punonjës të Bankës ndodhen tashmë të arrestuar, a ndjeheni ju përgjegjës për përzgjedhjen apo emërimin e tyre? 

Përveç Bitraj, të gjithë punonjësit nën hetim kanë punuar në Bankën e Shqipërisë, për një kohë të gjatë prej  10  – 15 viteve. 8 persona janë punësuar në Bankë para se të nisja punën si guvernator më 2004.

Politika është ndarë këto ditë në reagime, ku disa kërkojnë dorëheqjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe disa të tjerë, të drejtuesve ekzekutivë si ju dhe zv.guvernatori. Në të vërtetë, cilat janë përgjegjësitë tuaja dhe cilat i takojnë Këshillit Mbikëqyrës për situatën e krijuar. Pra, nga kush duhej të ishte diktuar në kohë kjo vjedhje?

Unë nuk e kam parë politikën të ndarë, por siç ju thashë edhe më lart, ajo ka qenë mjaft e qartë në deklaratat e saj zyrtare. Ka përçuar maturi. Deklaratat individuale, janë e drejtë e cilitdo. Nga ana tjetër, Banka Qendrore është një institucion i pavarur, i përgjegjshëm dhe llogaridhënës, që njeh dhe respekton vetëm qëndrimet zyrtare. Unë si Guvernator, Këshilli Mbikëqyrës dhe gjithë stafi i Bankës, jemi maksimalisht të angazhuar për të garantuar funksionimin normal të institucionit, në përputhje të plotë me ligjet e vendit.

Ka pasur aludime në media për një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës, ku Ermelinda Meksi ka kërkuar dorëheqjen tuaj. Si qëndron e vërteta dhe a keni ju ende besimin e Bordit të Këshillit Mbikëqyrës?

Ju thashë edhe më lart, ka patur shumë të pavërteta në media këto kohë. Kjo është njëra prej tyre. S’ka asgjë të vërtetë në këtë lajm.

Zoti Fullani, ju njiheni si mik i politikanëve dhe kjo ka shkaktuar një dozë më të madhe reaksioni. Por si janë raportet tuaja sot me Ramën, Berishën dhe Metën?

Në pyetjet tuaj ju pyesni për marrëdhëniet me kryeministrin, ish kryeministrin, dhe kryetarin e Parlamentit. Mandati i Guvernatorit është specifik që tejkalon atë të qeverive. Objektivat e Bankës Qendrore – garantimi i stabilitetit makro-ekonomik dhe atij financiar shkon përtej programeve politike afatshkurtra të qeverive. Një Bankë Qendrore që nuk është e pavarur, nuk e përmbush dot misionin e saj. Kjo nuk do të thotë detyrimisht që Banka Qendrore duhet të “përplaset” me qeverinë e radhës, por dhe kur kjo ndodh, jo detyrimisht kjo ndodh publikisht dhe shpesh nuk vihet re nga publiku. Çelësi i suksesit të bankës qendrore qëndron në respektin dhe mirëkuptimin reciprok dhe çka është më e rëndësishme, në harmonizimin e politikave. Kam patur dhe kam kënaqësinë të punoj me 3 presidentë, 3 kryeministra, 3 kryetarë parlamenti.  Detyrat e mia institucionale kërkojnë që të ndërtoj marrëdhënie pune dhe besimi reciprok, por pa cenuar në asnjë rast pavarësinë institucionale që qëndron në themel  të përmbushjes me sukses të objektivave të Bankës.

Jehona mediatike e vjedhjes në Bankë mori përmasa të tjera, kur media publikoi fotot e ditëlindjes së djalit tuaj, por edhe koleksionin e tij të shtrenjtë të orëve apo makinave. Cili është komenti juaj për këtë? Si do t’i përgjigjeshit gjykimit të opinionit publik, që hedh dyshime mbi burimin e pasurisë së familjes tuaj?

Insistoj edhe një herë. Në këto ditë dhe javë kanë qarkulluar shumë të pavërteta. Të pavërteta që më kanë prekur mua, familjen time, fëmijët e mi. Kam preferuar të mos përgjigjem dhe të mos hyj në këtë debat, sepse kam gjykuar që emergjenca në bankë pas ngjarjes së rëndë ka qenë më e rëndësishme se sa beteja ime personale. Me shpifjet, ju siguroj se do të përballem për ruajtur dinjitetin tim dhe atë të familjes sime.  Të ardhurat dhe pasuria e familjes sime është prej më se një dekade subjekt i vetëdeklarimit dhe kontrollit nga institucionet përkatëse. Çdo pasuri dhe pronë e familjes është lehtësisht e verifikueshme dhe vërtetueshme. Por në ndonjë rast, spekulimet, janë më interesante se sa e vërteta.  Unë punoj prej 40 vitesh dhe në këto 4 dekada, kam pasur mjaft pozicione të rëndësishme, në sektorin publik dhe atë privat, të cilat jo rrallë më kanë vendosur në qendër të vëmendjes mediatike. Karriera ime nuk fillon dhe as mbaron në Bankën e Shqipërisë. Ju siguroj, që s’do të lejoj asnjë spekulant të njollosë emrin tim.

Zoti Fullani, çfarë pasojash ka sjellë ky skandal për Bankën e Shqipërisë, por edhe për sistemin bankar në vend? Çfarë garancish jepni ju që paratë e shqiptarëve janë në duar të sigurta?

Ngjarja e ndodhur, edhe pse e rëndë, nuk ka prekur asnjë nga treguesit e sistemit bankar. Veprimet monetare në arka dhe sportele janë në parametra normalë. Sistemi bankar funksionon në parametra optimal duke i ofruar ekonomisë shqiptare të gjitha shërbimet. Publiku ka ditur të bëjë dallimin mes një ngjarjeje të izoluar dhe sistemit.

————

Kërkesat për dorëheqje

Përgjegjësitë dhe detyrat e Guvernatorit janë të përcaktuara me ligj, dhe gjenden lehtësisht. Guvernatori nxjerr urdhra dhe udhëzime, të cilat, në rastin konkret kanë qenë të mirëpërcaktuara. Unë e shoh përgjegjësinë administrative të Guvernatorit kryesisht në garantimin e stabilitetit dhe të pavarësisë të bankës. Një gjë të tillë po e dëshmon i gjithë spektri politik në deklaratat e tij zyrtare…

Profili i Bitrajt

Personi i akuzuar për vjedhje është punësuar në sistemin bankar në vitin 1993. Në Bankën e Shqipërisë punon prej vitit 2005.  Nga dokumentacioni në përmbajtje të dosjes së tij personale në lidhje me punësimin e mëparshëm, nuk ka rezultuar asnjë sinjalizim apo indicie rreth sjelljes apo ndonjë shkelje të mundshme të parimeve të kodit të etikës

Miqësia me politikanët

Kam patur dhe kam kënaqësinë të punoj me 3 presidentë, 3 kryeministra, 3 kryetarë parlamenti.  Detyrat e mia institucionale kërkojnë që të ndërtoj marrëdhënie pune dhe besimi reciprok, por pa cenuar në asnjë rast pavarësinë institucionale që qëndron në themel  të përmbushjes me sukses të objektivave të Bankës.

Fotot e djalit

Në këto ditë dhe javë kanë qarkulluar shumë të pavërteta. Të pavërteta që më kanë prekur mua, familjen time, fëmijët e mi. Kam preferuar të mos përgjigjem dhe të mos hyj në këtë debat, sepse kam gjykuar që emergjenca në bankë pas ngjarjes së rëndë ka qenë më e rëndësishme se sa beteja ime personale. Me shpifjet, ju siguroj se do të përballem për ruajtur dinjitetin tim dhe atë të familjes sime.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama