Gjyqtaret pranojne jemi korruptuar

Gjyqtaret pranojne, jemi korruptuar

E kanë quajtur dhe koorporatë krimi, një në tre nga pjestarët e tij pranojnë hapur se kanë marrë rryshfet, publiku e percepton si sektorin më të deformuar e korruptuar të shoqërisë, Rama e Meta mendojnë për reformën në drejtësi. Gjithë detajet se ku do të ndryshojnë ligjet për të ndryshuar sistemin gjyqësor

 

“Një në tre gjyqtarë shqiptarë pranon se ka marrë rryshfet për çështjet që ka gjykuar”. E pohojnë dhe e pranojnë dhe vetë gjykatësit. Ata janë pyetur në kushtet e anonimatit në një sondazh të financuar nga Britania e Madhe. Shifra reale padyshim është shumë më e madhe. E vërteton një gjë të tillë mospërputhja e frikshme e standartit të jetesës së gjykatësve, krahasuar me të ardhurat që marrin zyrtarisht. Deri diku një gjë e tillë është e provuar edhe në vetëdeklarimet e tyre në ILDKP, por të pahetuara pothuaj në asnjë rast për të nxjerrë fajtorë. “Dhuratat” milionere nga të afërm të varfër, shtëpi e vila, pushime luksoze dhe makina me cilindratë të madhe në emër të të afërmve të tjerë, dikush tek fëmijët, tek gruaja apo prindërit e gruas nuk u është gjetur shpjegimi sepse janë po ata vetë që duhet të vetëhetohen. Vetëhetim duke qenë pjesë e sistemit që duhet të gjejë të lagurin në një turrë gjithashtu pothuaj tërësisht të lagur drush. Së paku një të tretën e tyre, e konsiderojnë vetë gjykatësit si të tillë. “Po, kemi marrë rryshfet”, pranojnë në sondazhin britanik të bërë me njerëzit shqiptarë të drejtësisë. Por edhe ata vetë pranojnë se kanë qenë pjesë e mitdhënies, kanë paguar në të njëjtin nivel në sistemin shëndetësor dhe në veprimet që duhet të ishin falas me administratën e shtetit.

Së fundmi, një gjykatës lokal, Dhimitër Pojanaku, është arrestuar nga policia nën akuzën e mitmarrjes. “Eshtë e xhiruar edhe skena e dhënies së lekëve, diçka rreth 300 euro. Por në rrjetë bien vetëm peshq të vegjël, të mëdhenjtë e çajnë gjithmonë rrjetën. Dhe ata i njeh kushdo, duke nisur nga qytetarët që paguajnë të parët. E dinë të gjithë, por këto janë mundësitë tona për t’i kapur”. Një nga drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme e pohon këtë fakt duke thënë se ky krim i hapur dhe i ditur nga të gjithë do të vazhdojë të konsumohet ditë mbas dite, sa kohë vetë sistemi i drejtësisë nuk funksionon në dy hallkat e tij kryesore të kontrollit: atë brenda sistemit që është kontrolli nga një shkallë më e ulët në atë më të lartën, dhe, kontrolli “ndëshkimor” që bëhet nëpërmjet inspektimit të dosjeve gjyqësore nëpërmjet KLD-së dhe inspektoriatit të ministrit të drejtësisë.

 

Sondazhi britanik

 

Sondazhi jep një tablo dhe fotografi të situatës së vitit 2012 dhe në të u përfshinë rreth 60 për qind e gjykatësve të shkallës së parë në të gjithë vendin, domethënë, u përgjigjën 177 nga 305 që janë gjithsej në shkallën e parë dhe 380 të tillë që janë duke përfshirë dhe apelin. Sondazhi është plotësuar nga vetë gjyqtarët dhe ata mund të identifikoheshin vetëm me vullnetin e tyre.

Shifrat e tërhequra nga ky studim janë tronditëse. 40 për qind e vetë gjyqtarëve besojnë se sistemi i drejtësisë është i padrejtë ose i korruptuar. Vetëm 18 për qind mendojnë të kundërtën. Por ata janë të matur në një drejtim tjetër; 60 për qind deklaruan se nuk kanë pasur oferta për pagesë në këmbim të vendimit që do të jepnin, pjesa tjetër, 30 për qind e pranojnë një fakt të tillë dhe 10 për qind hezitojnë të përgjigjen.

Dhe kush ndërhyn në vendimet e tyre. Në krye të listës qëndrojnë individët e përfshirë në proces në masën 40 për qind të ofertuesve dhe avokatët në masën 31 për qind. Ndërhyrjet e tjera vijnë nga zyrtarë të pushtetit lokal 16 për qind, 5 për qind nga deputetë, 5 për qind nga antarë të qeverisë dhe 4 për qind nga zyrtarë të presidencës.

 

40 për qind nga individë të tjerë.

 

Një nga plagët e sistemit është dhe dështimi i proceseve gjyqësore, kryesisht për shkak të shtyrjeve të pafundme të tyre. Shkak kryesor për një gjë të tillë gjyqtarët konsiderojnë në masën 28 për qind ndërhyrjet e avokatëve, e më pas mungesa e dëshmitarëve, 23 për qind dhe mungesat në ligj 20 për qind. Ndikon gjithashtu infrastruktura, mungesa e profesionalizmit të prokurorëve dhe të vetë gjykatësve.

Por qershia e hidhur mbi tortën e hidhur vjen tek KLD-ja. Organi që konsiderohet si qeveria e gjyqësorit për gjyqtarët është një plagë që duhet kuruar. Të paktën 64 për qind e tyre janë të bindur se KLD ka punuar keq ose mjaftueshëm dhe vetëm pjesa e mbetur i japin cilësimin mirë.

 

Komisioni parlamentar

Sistemi gjyqësor është një pushtet më vete. E vetmja gjë që shumica e re qeverisëse mund të bëjë është të prodhojë reforma për të përmirësuar sistemin. “Vija ndarëse mes një reforme që lë më shumë hapësirë për integritet dhe ndërhyrja tek pavarësia e sistemit ligjor është shumë e hollë”, i thotë Rama javën e shkuar një eksperti britanik të jurisprudencës. Tetë vjet më parë, një ide të tillë e kishte dhe zoti Berisha, ndaj një nga aktet e para që ai ndërmorri si kryeministër, ishte kërkesa e tij për të reformuar KLD-në, qeverinë e gjyqësorit. Një operacion që u paralajmërua si i dështuar dhe në tentativën e parë, edhe antikushtetues. Synimi për ta vënë nën drejtim politik këtë sistem, bëri që ai të pavarësohej edhe më tej nga ligji. Së fundmi, një konflikt i hapur mes një antari të KLD-së dhe kryetarit të gjykatës së apelit të Tiranës pati tone dramatike. Gjin Gjoni, antar i KLD-së u akuzua direkt për vrasje në aksident dhe për më shumë, edhe për fallsifikim të akteve zyrtare në këtë vepër penale.

 

Vetë Gjoni shprehet i hapur për t’u hetuar, por besueshmëria e asaj që mund të bëjë KLD-ja është shumë e ulët. “Koorporatë”, është konsideruar nga ish-prokurorja e përgjithshme Ina Rama gjithë trupa gjyqësore. “Gjyqtarët në Shqipëri janë të paprekshëm”, thotë Joshua Rozenberg, një ekspert britanik i ardhur në Tiranë, i ftuar nga autoritetet zyrtare. “Ekziston një perceptim në publik, për të cilin mendoj se edhe juristët e pranojnë, që ka probleme kronike me korrupsionin brenda sistemit të drejtësisë”, citon Rozenberg ambasadorin britanik në Tiranë. Dhe po vetë gjykon se “Sistemi ligjor është duke vepruar si një korporatë, në mbrojtje të interesave të veta”.

Në janar të këtij viti, edhe kryeministri Rama edhe kryetari i Kuvendit Meta ndanë të njëjtin opinion për rëndësinë e posaçme të dy reformave bazike në vend: reformën territoriale –administrative dhe reformën në drejtësi.Në rastin e parë, deri më tani duket se ka dështuar tentativa e përsëritur për të pasur konsensus me opozitën për këtë reformë. Edhe më e vështirë duket se do të jetë një gjë e tillë për reformën në drejtësi.

 

Reforma në drejtësi

Gjashtë vjet më parë, në janarin e vitit 2008 u duk se palët për herë të parë ishin fare pranë konsensusit për reformën në drejtësi. Të paktën në mënyrë deklarative tre partitë kryesore në vend, PD, PS dhe LSI ranë dakort në parim për Paktin Kombëtar për Drejtësinë. Tre drafte të drejtimeve kryesore të reformës u shpërndanë dhe nuk kishin dallime esenciale mes tyre. U propozua dhe ngritja e një komisioni të përbashkët parlamentar, por që realisht nuk ndodhi kurrë. Vetëm tre muaj më pas, në 15 mars 2008 ndodhi shpërthimi në Gërdec, pesë javë të tjera më pas ndodhën ndryshimet rrufe kushtetuese dhe palët rifituan sërish distancën e zakonshme mes tyre, domethënë, qëndruan sërish në skaje të largëta me njëra-tjetrën. Pakti u kyç në sirtar dhe drejtësia, të paktën edhe sipas perceptimit të vetë dhënësve të saj, u bë si një sipërmarrje private: i jepej paguesit më të shumtë.

Ka një tentativë të fortë të maxhorancës së sotme për ta rivitalizuar këtë reformë. Ajo do të prekë pikërisht thelbin e sistemit. Duke bërë amendime në ligjin për organizimin e pushtetit gjyqësor, të vitit 2008 dhe më pas, do të ndërhyhet edhe në ligjet organike të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, KLD-së.

“Synohen dy drejtime, së pari garantimi i eficiencës së sistemit dhe së dyti, lufta kundër korrupsionit”, thotë një zyrtar i lartë i ministrisë së drejtësisë. Sipas tij një gjë e tillë vjen duke u fokusuar në ndryshimet që duhen bërë në një pjesë të korpusit ligjor, në ndryshime institucionale dhe ato strukturore. “Në emër të qeverisë shqiptare i kam kërkuar Komisionit të Venecias të asistojë në këto reforma”, thotë Nasip Naço, ministër i drejtësisë. “Unë nuk jam i kënaqur nga KLD-ja apo nga Zyra e Prokurorit, për shkak të situatës ku ndodhemi. Në rastin e korrupsionit ne nuk kemi pasur raste konkrete. Është shumë pak ç’ka është bërë. Në raportin e “Transparence International”, na krahasonin me vende si Laosi dhe Kamboxhia. Pra, kam shumë arsye që të mos jem i kënaqur”, shkon dhe më tej ministri Naço.

 

Detajet e reformës

Në ligjin për organizimin e sistemit gjyqësor do të saktësohen mënyrat për të dhënë transparencë në sistem, mënyra e përzgjedhjes dhe karrierës, rritja e kontrollit të brendshëm mes shkallëve të vetë gjyqësorit dhe inspektimi dhe ndëshkimi i atyre që gabojnë. Do të shihet dhe konflikti i interesit që është bërë një gangrenë në KLD. Vetë gjykatësit e quajnë atë si kupolën e koorporatës. Por ka dhe më shumë. Do të synohet të ndryshohet dhe forcohet roli i ILDKP-së, në drejtim të kontrollit të pasurive të gjykatësve.

Nuk do të lihet pas edhe prokuroria, e cila shpejt duket se do të nisë të funksionojë me një ligj të ri. Synimi thelbësor: forcimi i rolit të këshillit të prokurorisë, për ta shndërruar atë në një “KLD” të saj. Por jo si KLD-ja e gjyqësorit.

Projekti për të cilin ende po diskutohet informalisht në tryeza ekspertësh dhe që pritet të vihet dhe në tryezën e politikës duket se do të përfshijë dhe një plan për ndërhyrje në kushtetutë. Ndryshimet që ju bënë asaj në prill 2008, por dhe koaludimi në 15 vjetët e ekzistencës së saj, duket se e kanë bërë të dosmodoshme një gjë të tillë. Çfarë do të ndodhë? Pakkush di të japë një përgjigje të prerë për këtë gjë. E sigurtë është që kjo reformë do të paralajmërojë një tjetër stinë të nxehtë politike në vend. Sepse vetë politika është një patate e nxehtë furre në duart e sistemit gjyqësor, që gjithashtu është patatja e nxehtë që nuk mbetet në asnjë dorë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama