Gerrard Tre muajt e fundit me te keqijte e jetes sime

Gerrard: Tre muajt e fundit, me te keqijte e jetes sime

Stiven Gerrard është rikthyer tek Liverpul për të vijuar përgatitjet për sezonin e ri. Me zemër të thyer, Gerrard tregon në një intervistë për “The Guardian” se tre muajt e fundit, mund të quhen pa frikë muajt më të errët të jetës së tij sportive. Gjithçka nisi pranverën e shkuar kur Livepuli ishte shumë afër fitimit të titullit kampion të Anglisë. Të kuqtë kishin një avantazh prej 5 pikësh, ndaj rivalëve tre ndeshje nga fundi, por gjunjëzimi përballë Chelseat me rezultatin 2-0 (Goli i parë në atë ndeshje u shënua nga Demba Ba, pas një gabimi trashanik të Gerrard), i dha mundësi Manchester City-t të ringrihej e të merrte ajo titullin kampion të Premier Leagues. “Këto ishin tre muajt më të këqija të jetë sime. Nuk dua ta kthej kokën pas, pasi do vuaja sërish”-, ka thënë kapiteni i Liverpulit. “Muaji maj ka qenë vërtet i hidhur. Në televizor, media, rrjete sociale, kudo që shikoja më dilnin përpara imazhet e atij goli të Demba Ba-s, që na hoqi mundësinë e fitimit të trofeut. M’u desh të përballesha me realitetin, edhe pse të gjithëve mund t’i ndodhë që të gabojnë. Është e vështirë. Në sezonin e shkuar nuk humba asnjë penallti. Nuk bëra asnjë pasim të gabuar, përveç njërit, pas 38 ndeshjesh edhe unë gabova dhe fatkeqësisht hutimi im erdhi në një moment vërtet kyç për skuadrën dhe u desh të përballesha me këtë dhe do vijojë ta bëjë.”-, shtoi Gerrard. Ai vijoi duke thënë se skuadra është gati për sezonin e ri. “Ka sinkroni të plotë mes grupit dhe teknikut. Kemi lënë pas atë që ndodhi sezonin e shkuar. Jemi përforcuar dhe jam më i motivuar se kurrë për ta udhëhequr skuadrën drejt titullit kampion të Anglisë. Jam 34 vjeç dhe mendoj se jam i gatshëm të jap 100% nga vetja edhe për një sezon me rendiment maksimal mbrojtjen apo mesfushën”-, theksoi Gerrard, i cili nuk mund të linte pa folur edhe për largimin e bomberit Suarez. “Ai ka qenë një pjesë e rëndësishme e skuadrës sonë, por skuadra është më e madhe se një lojtar i vetëm”-, përfundoi Gerrard.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama