Filmat kosovare kapercejne hendekun ne Tirane

Filmat kosovare kapercejne 'hendekun' ne Tirane

Pak, për të mos thënë aspak, njihet filmi kosovar në Shqipëri. “Java e filmit kosovar” që po organizohet nga Arkivi Qendror i Filmit, mund të na ndihmojë me disa njohuri të përgjithshme, por asesi nuk e kapërcen hendekun e krijuar mes publikut shqiptar dhe kinematografisë që prodhohet në Kosovë. Por është një start i mirë gjithsesi, që vjen falë bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të prezantuar për një jave para publikut shqiptar prodhimet më të mira kinematografike të regjisorëve kosovarë. Në ditën e parë të aktivitetit u shfaq filmi “Kodi i jetës”, i regjisorit më të njohur në Kosovë, Ekrem Kryeziu. Në Shqipëri publiku i para viteve ’90 ndoshta e kujton Kryeziun si dramaturg përmes telefilmit “Epoka para gjyqit”.

Kryeziu ishte i pranishëm në Tiranë, në shfaqjen e filmit të tij “Kodi i jetës”, në kuadër të “Javës së filmit kosovar”. Premiera e këtij filmi në Kosovë (një vit më parë) është shoqëruar me shumë kritika përsa i përket trajtimit të një teme mjaft të nxehtë, atë të luftës në Kosovë. Për regjisorin Kryeziu, filmi i tij i është kushtuar luftës në Kosovë dhe ideja për realizimin e këtij filmi i ka lindur nga përjetimet e tij personale. “Filmi i referohet vitit ’98-’99, luftës në Kosovë dhe vuajtjeve të popullit tonë”, – është shprehur Kryeziu, i cili është një nga dramaturgët dhe regjisorët e parë të ‘Kosovafilmit’ që përfaqëson kinemanë kosovare të dy epokave; atë të Jugosllavisë dhe të Kosovës shtet i pavarur.

Dje “Java e filmit kosovar” ka vijuar me shfaqjen e filmit “Rojet e mjegullës”, me regji të Isa Qoses (prodhim i vitit 1988). Filmi është bazuar në romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qoses, skenari i të cilit është përshtatur nga regjisori Qosja bashkë me dramaturgun Fadil Hysaj. Reputacioni i Isa Qoses si një nga regjisorët më të mirë të rajonit u rrit nga suksesi i dy filmave të parë artistikë të tij; “Proka” (1985) dhe “Rojet e mjegullës” (1988). Ndërsa në ditën e tretë të këtij aktiviteti (pra nesër) do të shfaqen tre filma me metrazh të shkurtër të regjisorëve të rinj; si “Muri” i Gazmend Nelës, “Gjakmarrja” i Luan Kryeziut dhe “Suxhuk Open” i Burbuqe Berishës.

 

Të enjten publiku shqiptar do të ketë rastin të shohë filmin “Lepuri me pesë këmbë” të regjisorit Ismail Ymeri, ndërsa në ditën e fundit të “Javës së filmit kosovar”, pra më datë 16 maj, do të shfaqen filmat e regjisorëve të rinj kosovarë; “Kolona” e Ujkan Hysajt dhe “Amel” i More Raçës. Regjisorët, filmat e të cilëve prezantohen në Tiranë, janë shprehur se ky aktivitet do të shërbejë së paku për t’i hapur rrugë prezantimit të filmit që është prodhuar dhe prodhohet në Kosovë. Ata vërejnë se kinematë në Kosovë janë më të hapura ndaj shfaqjes për publikun në Kosovë të filmave që prodhohen në Shqipëri, ndërkohë që e anasjella nuk ndodh. Kinematë në Shqipëri nuk shfaqin interes për filmin kosovar. “Nëse kinemaja ABC” në Prishtinë qysh prej hapjes së saj në vitin 2000 e deri më tani ka shfaqur thuajse çdo prodhim kinematografik të shtetit shqiptar, ky i fundit rezulton të ketë shfaqur vetëm tre filma kosovarë; atë të Halil Budakovës, “Shkolla e maleve”, filmin “Dosja K”, si dhe atë të regjisorit të njohur kosovar, Ekrem Kryeziu, “Kodi i jetës”, premiera e të cilit u shfaq në kuadër të Festivalit të Filmit në Durrës vitin e kaluar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama