Fatos Kongoli & Spartak Pecani bashke ne nje film

Fatos Kongoli & Spartak Pecani, bashke ne nje film
Ndriçim Xhepa dhe Elvira Diamanti kthehen në shesh-xhirim me filmin “Ada”, bazuar mbi romanin “Te porta e Shën Pjetrit” me autor shkrimtarin Kongoli

Fatos Kongoli & Spartak Pecani, bashkë në një film

Dy histori dashurie të ndërprera verbërisht. Kufoma e braktisur e një të riu. Një inspektor i ndjekjes së krimeve në kërkim të vrasësve. I ndërtuar si ndërthurje e këtyre linjave, me personazhe të mjediseve nga më të ndryshmet, kryeqytetase dhe periferike, intelektuale apo mafioze etj., këtë roman të Fatos Kongolit që zhytet në realitetin e sotëm shqiptar, ku gjëmat nuk habisin askënd, së shpejti do ta shohim dhe të ekranizuar në një film titulluar “Ada”. Spartak Pecani ka zgjedhur pikërisht skenarin bazuar në librin “Te porta e Shën Pjetrit” e shkrimtarit Fatos Kongoli, për filmin e tij të radhës. Skena e parë e xhirimeve që nisën dje në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë është vendosur në një komisariat policie. Shef i krimeve të rënda është Ndriçim Xhepa, një nga personazhet kryesore në film. Në krah i qëndron psikologia që ka sjellë në shesh-xhiro drejtoreshën e Arkivit të Filmit, Elvira Diamanti.

Dy aktorët preferojnë të flasin në përgjithësi kur filmit ende i duhen javë të tëra deri në përfundim. Te porta e Shën Pjetrit, Ada i rrëfen të gjitha. Një ngatërresë, një viktimë, ndjekjet e dëshmitarëve, fshehje, vrasje, përdhunime dhe dy dashuri që notojnë si duke u mbytur mes tyre. Prodhimi filmik titulluar “Ada” siç shpjegon dhe vetë regjisori Spartak Pecani, ka një subjekt mes psikologjikes dhe thrillerit. “Subjekti është mjaft interesant, sepse ka në thelb drama të mëdha njerëzore, luftën e madhe që bëhet brenda vetes por dhe brenda procesit të sistemit të ardhjes së njerëzve (migracionit) në Tiranë. Për realizimin e filmit është dhënë një buxhet prej 1 milion eurosh dhe ai është një bashkëprodhim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, artistëve kosovarë dhe një trupe xhirimi të ardhur nga Britania e Madhe.

Një pjesë e xhirimeve do të bëhen në mjediset e brendshme të QKK-së, ndërsa disa pjesë do të zhvendosen në veri të vendit. “Në këtë film luaj rolin e një inspektori krimesh, një rol kryesor që ka një pështjellim shpirtëror tepër të ngarkuar”, - shprehet aktori Ndriçim Xhepa. Ndërsa Elvira Diamanti, në rolin e psikologes, vlerëson që në krah fatmirësisht ka një aktor si Ndriçim Xhepa.

Ada, me të cilën psikologia merret gjatë gjithë filmit është një vajzë shumë e re, ndërsa kolegu im gjatë gjithë kohës, për fatin e mirë është Ndriçim Xhepa”, - thotë Elvira Diamanti, e cila do të “ndahet” paksa nga posti i drejtoreshës për t’u kthyer aty ku ajo ndjehet më mirë, në shesh-xhirim. Filmi do të xhirohet për rreth 6 javë, ku siç shpjegon edhe vetë regjisori, mjediset e vetë Qendrës Kombëtare të Filmit do të improvizohen si komisariat policie, por një pjesë e mirë e xhirimeve do të realizohen edhe në veri të vendit. Filmi i fundit i Spartak Pecanit është “Sekretet”, i realizuar në vitin 2008. Si gjithmonë, Pecani filmat e tij i bazon në libra që kanë pasur sukses tek lexuesi shqiptar. Edhe në filmin “Sekretet”, ashtu si filmi që ka në duar “Ada”, regjisori është mbështetur në novelën e Vangjel Kozma, “Lehje nëpër natë”.

Si gjithmonë, për rolet kryesore ai e mbështet besimin e tij tek i njëjti aktor, që është Ndriçim Xhepa. Nëse në filmin “Sekretet”, Ndriçim Xhepa është mjeku psikiatër, në filmin “Ada” ai është inspektori i krimeve me emrin Kurt, që luan një rol të rëndësishëm në jetën e dy të rinjve, të cilëve me zhvendosjen e tyre nga një fshat i veriut të Shqipërisë në Tiranë, jeta iu merr një rrjedhë krejt tjetër.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama