Esat Pasha si e rropi thesarin e Princ Vidit

Esat Pasha, si e 'rropi' thesarin e Princ Vidit

Në muajin maj të vitit 1913, pas një alarmi të stimuluar se rebelët po hynin në qytetin e Durrësit dhe se rrezikohej jeta e princ Vidit, i gjithë stafi i tij transferohet në një luftanije italiane në det. Nga ish sekretari privat i Princ Vidit, Armstrong vjen një dëshmi interesante. Në rrëmujë e sipër janë vjedhur në Pallat rreth 40 mijë franga ar. Dhe deri tani nuk janë sqaruar gjërat në se pas vjedhjes qëndrojnë italianët, vendasit, apo dhe autori i kujtimeve i cili në shënimet e botuesit të kujtimeve lidhur me këtë ngjarje, cilësohet “aventurier ekscentrik”. Realisht kjo sasi parash i është adresuar atij, por ai nuk i ka futur në baulet e veta që ishin bërë gati për t’u transferuar në anijen e luftës “Misurata” por ja ka lënë në ruajtje shërbëtorit të vet...” Shërbëtoret erdhën në kohën e duhur, por valixhen time nuk e pashë gjëkundi”! thekson Armstrong. Të neglizhohej që të hiqeshin objekte më të parëndësishme nga baulet dhe të lihej  jashtë paratë e arta, sigurisht që është prologu i një enigme e madhe… 

Atmosfera e panikut te stimuluar si manovër politike 

Armstrong e përshkruan situatën si shumë të rëndë në atë periudhë kur ka ndodhur grabitja e thesarit. Sipas tij ishte data 23 maj 1913. Ai tregon se situata ishte e rëndë, por le të kuptoje se përfaqësuesit italianë qenë ata që arritën ta bindnin Vidin ose ta trembnin se situata kishte dalë nga duart dhe se kishte degraduar trashmë. Përveç kësaj sipas Armstrongut, në anijen ushtarake italiane “Misurata”, të ardhurit, përfaqësues të qeverise Vidi, pasi u imbarkuan, u mbajtën si te arrestuar nën urdhrat e kapitenit të Misurara-s, nën pretekstin e ruajtjes nga rebelet që mund të vinin në anije. Ndërkohë thekson dëshmitari okular i kësaj situate, ai nga anija shikonte se çfarë ndodhte në tokë. “E kishim kënetën si në pëllëmbë të dorës dhe i shihnim mirë njësitë tona që akoma mbaheshin mirë në pozicionet rreth urës; zjarri kishte pushuar dhe, me sa mund të shikoja unë me dylbi, çdo gjë dukej të ishte pak a shumë në rregull”. Kur çdo gjë ishte në dukje të rregullt në anijen “Misurata” atmosfera përshkruhet kështu: “ ...urdhri ishte që askush të mos lejohej të largohej nga anija për momentin”. Me pasi ai vëren se në fakt ata mbaheshin në anije pavarësisht se atyre u pëlqente apo jo. “Isha shume i inatosur dhe i thashë kapitenit nëse duhet ta konsideronim veten si të burgosurit e tij. Përgjigja e tij të linte të kuptoje se mund ta quaje veten si të doje, por se urdhrat e tij ishin që askush të mos lejohej të kthehej në qytet”.

Grabitja e thesarit të Princ Vidit në maj të vitit 1913

Armstrong në shënimet e tij tregon veprimet e momentit se si thesari mbeti në një kënd të ndërtesës qeveritare në momente paniku të përgjithshëm: “Mora gjithçka që e quaja të vlefshme, argjendaritë, suvenire dhe i vendosa kur dola jashtë dhomës. Në atë çast erdhi Von Trotha me 2 çanta që përmbanin 40 000 mijë franga ar, një pjesë e fondeve të Oborrit, për të cilat unë duhej të gjeja hapësirë në baulen time, që u bë tani kaq e rëndë saqë nuk mund ta mbaja dot vetëm. E tërhoqa atë tek fundi i shkalleve, ku po mblidheshin edhe bagazhet e tjera, dhe e lashë aty pasi i thashë një shërbëtori të mos ia ndante sytë”.

Kjo është dëshmia e parë e faktit te ekzistencës së një sasie të madhe floriri e cila ishte e ndarë në dy çanta. Pra një sasi e konsiderueshme… po ç’ndodhi më tej? Situata përshkruhet në faqen 63 të librit të sjelle në shqip nga një përkthim i Lutfi Dervishit.Sipas autorit Armstrong, Legata Italiane u ka bërë thirrje që të largoheshin shpejt, pasi rebelet po vinin me shpejtësi dhe moli mund të gjendej nën zjarrin e pushkëve. Ndërkohe te moli priste “Misurata” në bordin e te cilës ekipi qeveritar i Vidit është ngjitur me shpejtësi. Këtu konstatohet se 40 000 frangat e arta janë zhdukur...” Shërbëtoret erdhën në kohen e duhur, por valixhen time nuk e pashë gjëkundi”! thekson Armstrong. 

Dëshmia

Sipas Syrja Vlorës, ato sende, transportimi i të cilave ishte i vështirë, për shkak se ishin të rënda apo tepër delikate, Esat Pasha i vendosi në një shtëpi në Korfuz. Ato edhe sot ndodhen aty, nën kujdesin e qeverisë së atjeshme. Tablotë e bukura dhe lapsi i zi me 6 stampa, të cilat Princi i kishte të trashëguara nga gjysh-stërgjyshi, vlenin 90 mijë marka. Por, Esat Pasha nga të tilla karta nuk kuptonte dhe nuk kishte dijeni për vlerën e tyre. Edhe dy copë dyfekë historikë, dëgjova se ia dha Baron Aliottit si shpërblim për shërbimet që ai i bëri. Banjat, pasqyrat, gardërobat, qelqurinat, fronet, kanapetë, etj., shumë të vlefshme dhe të stilit, ranë në dorë të atij e të këtij dhe humbën. Kalin e racës së Princit, Esat Pasha ia dhuroi Mbretit të Malit të Zi. Shalën, takëmet e karrocës, automobilin, karrocat dhe kuajt, i mbajti për vete. Veç këtyre, në kuzhinë, në qilar dhe në vende të ndryshme të Pallatit ndodheshin 200 mijë franga ari, llojlloj pijesh dhe gjëra të tjera.  

Ja çfarë grabiti Esat Pasha në oborrin e Princ Vidit:

1-Komplete buke prej argjendi për 48 veta

2-Komplete për mezeri e vakte të ndryshme, të veshura me flori për 24 veta;

3-Takëm për çaj prej argjendi për 24 veta;

4-Një takëm për qepje, shumë i vlefshëm, përzierje me floririn dhe argjendin;

5- 4 copë vazo të argjendta për të vënë biskota, në formë pate,

6- 20 zogj e të tjera prej floriri e argjendi të qëndisura me gurë të çmuar;

7- 8 çifte shandanësh; 8-6 copë armë të vjetra, të stolisura me flori dhe argjend;

9- 25 copë armë të reja;

10- 40 copë statuja të vogla dhe të mëdha prej tunxhi;

11-Më shumë se 2 mijë copë pjata buke, porcelani;

12-Enë të bukura për lloje të ndryshme pijesh;

13-Sirtarë të stolisur argjendi dhe tunxhi të punuara në Sevër;

14-Rreth 20 vazo lulesh shumë të bukura e shumë të vlefshme;

15-Rreth 20 miniatura;

16- 50 copë tablo të vlefshme;

17- 40 valixhe dhe sëndukë; nga armata franceze

18-Shumë komplete petkash vetjake dhe për zonja. Lista është e madhe dhe kësaj sikur “i vë vulën” një foto e vitit 1922. Një foto e bërë nga një fotografi frances Robert Vaucher tregon automobilin e Princ Vidit të sekuestruar nga armata franceze. 

"Zhdukja" e 40 mijë napolonave 

Princ vidit i kanë ndodhur edhe grabitje të tjera. Esat pashë Toptani i ka grabitur një pjesë të objekteve personale. Sipas Pëllumb Xhufit: “Thyerja e frontit serb, dhe shfaqja e ushtrive austriake në portat e Durrësit, më 1915, e detyruan atë të marrë edhe njëherë arratinë drejt Italisë (27 janar 1916) Por kësaj rradhe, pashai tiranas, përveç uniformës së gjeneralit që i kishte falur dikur princ Vidi, u kujdes të mbledhë e të ngarkojë në anije, sikur të ishin pronë e vetë, të gjitha mobiljet e takëmet e lëna nga Princi në rezidencën e tij durrsake, kur një vit e ca muaj më parë kishte braktisur Shqipërinë dhe ëndrrën e tij ditëshkurtër mbretërore”. Vlera e mobilieve dhe e çdo sendi tjetër, që u mor dhe u grabit nga banesa e princ Vidit në Durrës, të cilat më vonë u kërkuan zyrtarisht nga legata jonë, sipas shënimeve të marra nga lista, që u dërgua nga Valdenburgu dhe iu dorëzua Ambasadës së Italisë në Vjenë, arrin shumën prej 2 milionë markash, e barabartë me jo më pak se 125 mijë copë flori. Sipas kujtimeve te Syrja  Vlorës, shumicën e këtyre sendeve tepër të bukura, të cilat i mori Esat Pasha, e shoqja i solli në Napoli, ku edhe qëndroi për disa ditë.

Thirri një koleksionist antikash nga Margëlliçi, që ndodhej në rrugën Gaja. Pasi u vuri çmimin i mori dhe shkoi në Zvicër. Më vonë, kur zonja shkoi në Stamboll, disa sëndukë i solli dhe i mbante në shtëpi. Një pjesë e tyre, megjithëse ishin të stolisura me armën dhe emrin e princit, i përdorte nëpër gosti të mëdha. këto gjëra kaq të rralla në vleftë e në bukuri, Esat Pasha i mbajti haptazi në sy të botës kur ishte në Gjenevë. Kur ndonjë e pyeste për to, i përgjigjej se i kishte marrë nga princ Vidi, përkundrejt ndjekjeve të padrejta që princi i kishte bërë dhe dëmit prej 40 mijë napolonash që ai i kishte shkaktuar duke përshirë edhe goditjen me top që i kishte bërë në shtëpi kur e kishin arrestuar. (Shuma 40 mijë napolona është një shifër që përputhet me shumën e vjedhur në muajin Maj. Të ketë pasur ndonjë tentative grabitej nga ana e njerëzve të Esatit?!...) 

"Gjashtë muaj Mbretëri"

Rreth librit “Gjashtë muaj Mbretëri” botuesi ka treguar se që kur kishte studiuar historinë e Ballkanit në universitet në mesin e viteve 1970, i kishte lindur dëshira për të shkruar një libër në lidhje me Shqipërinë, dhe këtë i a mundësoi miku i tij shqiptar, historiani dhe botuesi, Bejtullah Destani, i cili i sugjeroi botimin e kujtimeve të Kapitenit Duncan Heaton-Armstrong (1886-1969). Ky person që nga mesi i janarit deri në gushtin e vitit 1914, afërsisht 9 muaj, ka mbajtur postin e sekretarit privat dhe administratorit të të ardhurave të familjes se VVilliam Vidit, Botuesi në shënimet e tija sjell në vëmendje të lexuesit se si në janar të vitit 1914, një aventurier ekcentrik Kapiteni Duncan Heaton - Armstrong, "në kërkim të një karriere të qëndrueshme", aplikoi për postin e sekretarit privat tek Mbretit të sapoemëruar të Shqipërisë, Princit VVilliam i Vieldit. Kujtimet e Heaton – Armstrongut, përshkruhen me vibracione mes realitetit të zymtë dhe humorit duke qëndruar ne miniature si një gjykatës i qeverimit në një kënd të largët dëshpërimisht të varfër të Evropës. Është fjala për Shqipërinë e atyre viteve…    

Vidi merr fronin e mbretërisë

Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite. Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptani. Esat Pasha me qëllim që të siguronte një pozitë me rëndësi në kabinetin qeverisës të princ Vidit, zyrtarisht deklaroi se e mirëpret caktimin e tij për princ të Shqipërisë, por fshehurazi vazhdoi tërë kohën, të nxiste lëvizjen për një princ mysliman në vend. Më 17 mars Vidi formoi qeverinë e re, në krye me Turhan Pashë Përmetin, një diplomat i vjetër që kishte qenë ambasador i perandorisë Osmane për 25 vjet rresht në Peterburg të Rusisë. Kabinetin e tij qeveritarë e përbënin: 1. Esat Pashë Toptani-Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brendshme; 2. Aziz Pashë Vrioni-Ministër i Bujqësisë dhe i Tregtisë; 3. Myfit bej Libohova- Ministër i Drejtësisë dhe i Kultit; 4. Dr. Mehdi bej Frashëri-Ministër i Financave; 5. Hasan Bej Prishtina- Ministër i Postë-Telegrafikeve; 6. Dr. Mihal Turtulli-Ministër i Arsimit;

7. Prenk Bib Doda-Ministër për Punët Botore. Regjimi i Vidit u sanksionua nga Statuti Organik i Shqipërisë, (ligji i parë themelor i shtetit shqiptar), i cili u përgatit nga KNK dhe bazohej kryesisht në vendimet themelore të marra nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Sipas nenit 1 të këtij Statuti, Shqipëria shpallej: “Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme”, nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Me nenin 2, Fuqitë e Mëdha garantonin gjithashtu tërësinë e paprekshmërinë e tokave të Shqipërisë në kufijtë që kishin caktuar. Me nenin 3 shteti shqiptar do të ishte asnjanës e kjo asnjanësi garantohej po nga Fuqitë e Mëdha. Sipas nenit 7 në fronin e Shqipërisë njihej me të drejta sovrane princi Vilhelm Vid, i cili ishte kryetar i administratës civile e ushtarake e kishte të drejtë të emëronte Këshillin e Ministrave. Organi legjislativ i Shqipërisë ishte Asambleja kombëtare. Gjuhë zyrtare dhe e detyruar në shkolla ishte shqipja. Nga ana administrative, Shqipëria ndahej në 7 prefektura. Statuti Organik caktoi institucionet e larta të shtetit, përbërjen e forcave të armatosura, të administratës, financave, drejtësisë, arsimit e garantonte ushtrimin e lirë të veprimtarisë ekonomike, shoqërore e politike.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama