Prej ditësh është folur për afrimin e një sulmuesi brazilian te Partizani i sezonit të ri. Ndonëse klubi e ka arritur akordin me futbollistin, drejtuesit nuk kanë preferuar që ta bëjnë publik emrin e sulmuesit, i cili do të mbyllë edhe merkaton verore të të kuqve të kryeqytetit.
Gjithsesi, "Panorama Sport" ka arritur që ta gjejë emrin e lojtarit, i cili shikohet si pikë referuese për sulmin e "demave". Pikërisht, bëhet fjalë për Karlos Henrike de Moura Brito, i cili shkurtimisht thirret Karlao. Braziliani është i datëlindjes 3 korrik 1992 dhe pritet që të mbërrijë sot në Tiranë, ku edhe do të nënshkruajë kontratën me Partizanin.
24- vjeçari karrierën e tij si futbollist e ka ushtruar në kategoritë e ulëta në Brazil, por për drejtuesit kryeqytetas shikohet si një lojtar potent dhe mendohet se do t'i bëjë shumë punë skuadrës në sezonin e ri. Karlao vjen te Partizani si lojtar i lirë, kështu që kryeqytetasit mund ta federojnë pa problem, aq më shumë që ia kanë rezervuar vendin bosh te lista e depozituar në federatë.
Mësohet se lojtari do të jetë plotësisht në pronësi të "demave", pasi klubi ka paguar edhe vlerën e kartonit të lojtarit tek agjencia që e menaxhon. Ndoshta, akordi që arritën me brazilianin Karlao bëri që Partizani të mos paguante shumën e majme te Vardari për kartonin e sulmuesit Jasir Asani.
Sulmi ka qenë reparti më i kritikuar i Partizanit të Sormanit në pjesëmarrjen në Kupat e Europës gjatë muajve të verës. Mungesa e "pykës" bëri që stafi teknik të provojë në majë të sulmit lojtarë që nuk e kishin si rol natyral, fillimisht Realdo Fili dhe më pas Kaleb Ekuban.
Por në fund të merkatos, drejtuesit kanë arritur që të gjejnë dy alternativa për këtë pozicion. Izraeliti Ben Azubel ka ditë që përgatitet me ekipin dhe përshtypjet e para kanë qenë pozitive, ndërsa braziliani Karlao nuk ka zbarkuar ende në kryeqytet. Me zyrtarizmin e 24-vjeçarit brazilian, Partizani dublon edhe rolin e sulmuesit "pykë".
ILIR CARA