Drejtori i Nigritas nje nga dhunuesit e Karelit

Drejtori i Nigritas, nje nga dhunuesit e Karelit

Një video e re tepër tronditëse nga çastet e fundit të jetës së Ilia Karelit në burgun e Nigritës, ka publikuar të shtunën në mbrëmje kanali televiziv privat “Alpha”, në Greqi. Në këto sekuenca dallohet i burgosuri shqiptar, kur është sjellë nga rajoni i policisë dhe është nxjerrë në fotografi me shenjat e disa goditjeve në trup, midis të tjerash një hematomë në syrin e majtë dhe një në dorë. Por është më se e qartë që është në gjendje të mirë, pasi ecën pa probleme. Ndërsa në sekondat e tjera të videos, pasi nxirret nga dhoma e torturave, ku është gjuajtur nga rojat e burgut për më shumë se dy orë e gjysmë, ai duket i rraskapitur dhe dy gardianë pothuajse e tërheqin zvarrë gjysmë lakuriq, si dhe e çojnë në qelinë e tij.

 

Në pamjet e publikuara, duket se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë dhe ai, i shtrirë lakuriq në krevat, duket se vuan nga dhembjet e shkaktuara prej torturave. Gjithashtu, në video shquhet edhe një person me një këmishë blu, që besohet se është drejtori i burgut, i cili ka hequr tashmë xhaketën dhe ecën lirshëm pak metra larg vendit ku torturohet Kareli, vetëm tre minuta para se ta nxjerrin prej atje, sipas orës së xhirimit të videos. Megjithëse akuzohet se ka fshehur një krim, që ka ndodhur në burgun që ai drejton, në dëshmitë e tij ai ka pohuar se nuk e dinte që rojat e kanë torturuar për kaq orë 42-vjeçarin shqiptar.

 

Orët e fundit u bë e njohur se gjashtë gardianët që janë burgosur për çështjen “Kareli”, janë çuar tashmë në burgun e Dhiavatasë, 40 km pranë Selanikut, nën masa të rrepta sigurie, që të mos konfrontohen me të burgosurit shqiptarë dhe të huajt e tjerë që vuajnë dënimet në këtë burg. Një prej shtatë rojave që ishte thirrur për të dëshmuar të premten që kaloi, ka pohuar se ka lënë turnin në kohën që kanë sjellë Karelin në burg, kështu që i është kërkuar të vërtetojë në ditët në vijim këtë fakt, që mund ta nxjerrë atë të pafajshëm. Katër të tjerët dëshmojnë ditën e hënë dhe dy të fundit, nga gjithsej 15 roja që akuzohen për torturat, që i sollën vdekjen të dënuarit shqiptar, dëshmojnë ditën e martë.

 

Dëshmia

Në dëshmitë e tij, drejtori i burgut ka pohuar se nuk e dinte që rojat e kanë torturuar për kaq orë 42-vjeçarin shqiptar


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama