Do te perballemi me ushtrine e te papuneve

'Do te perballemi me ushtrine e te papuneve'

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë konferencës për politikat e arsimit në Shqipëri, se do të kryhet një reformë rrënjësore për t’u përballur më një valë të madhe të papunësh që është krijuar në Shqipëri.

Kreu i qeverisë e cilësoi shqetësues faktin që ende ka mësues që japin mësim për lëndë që janë jashtë profilit të tyre në mësimdhënie. Një tjetër hap i qeverisë në lidhje me reformimin e arsimit, është përfshirja e prindërve në të, tha Rama.

“Kemi hasur mësues të profilizuar në lëndë të caktuara që japin mësim jashtë profilit të tyre, imagjinoni cili është produkti i këtij procesi mësimor. Gjithashtu e rëndësishme është parë përfshirja e prindërve në këtë sistem arsimor, për të transformuar sistemin e arsimit në një sistem edukimi, një proces për të përgatitur qytetarë të vetëdijshëm për vendin e tyre”.

Kreu i qeverisë bëri me dije se reforma  e arsimit të lartë do të  hyjë këto ditë në filtrin e Kuvendit, pasi janë kryer të gjitha hallkat e dëgjesave dhe ekspertizat e mbikëqyrjes së ndërkombëtarëve.

Më tej ai informoi se pas kalimit në fazën e verifikimit të ligjshmërisë, universitetet do i nënshtrohen asaj të akreditimit që do të nisë në fund të këtij viti:

“Akreditimi, do të bëjë pastrimin e arsimit të lartë nga metastaza dhe kanceri që gjeneronte pafundësi diplomash. Të gjitha universitetet që e kanë kaluar testin e ligjshmërisë do t’i nënshtrohen atij.  Ai do të bëhet nga një kompani prestigjioze ndërkombëtare, një agjenci britanike, dhe procesi do të fillojë në fund të këtij viti.

Rama u shpreh se reforma në arsim dhe veçanërisht zhvillimi i arsimit profesional u caktua në konferencën e Berlinit si një nga prioritetet e Ballkanit Perëndimor.

"Është e kotë të themi se e gjithë kjo mbetet tërësisht e pamjaftueshme në raport me të ardhmen nëse nuk financojmë në mënyrë cilësore në arsim. Në konferencën e Berlinit, arsimi profesional u caktua një nga prioritet themelore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, që të përballim valën e madhe të papunësisë", tha kryeministri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama