Demtohet memoriali i simbolit kunder diktatures ne ish-Bllok

Demtohet memoriali i simbolit kunder diktatures ne ish-Bllok

Fatos Lubonja e krahason me dhunimet e varreve të hebrejve, ndaj kërkon hetim për të shmangur keqkuptime: Mund të jetë bërë nga enveristë apo fëmijë enveristësh. Një memorial që simbolizon vitet e dënimit në burgjet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri është dëmtuar në një zonë qendrore të Tiranës. Memoriali i viktimave të komunizmit ndodhej disa metra larg ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, ish-Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë përballë kryeministrisë në shëtiroren “Dëshmorët e Kombit”.


Autorët e veprës thonë se është i qëllimshëm dhunimi i memoralit në hyrje të ish-Bllokut të udhëheqjes komuniste. Memorialit i janë thyer elementët e xhamit të bunkerit, ndërsa energjia në të është ndalur qysh prej disa ditësh. Memoriali i emërtuar “Post-Bllok” është përuruar në 26 mars 2013 me nxitje ideore burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë.

Po ashtu pranë është vendosur një pjesë nga Muri i Berlinit me lartësi 3,6 metra, që ndante Gjermaninë Perëndimore me Gjermaninë Lindore në vitet 1963 kur u ndërtua deri në 1989 kur u shemb.
Artisti Ardian Isufi dhe publicisti Fatos Lubonja, nismëtarët e vendosjes së memorialit, thanë se do ta denoncojnë dhunimin.

“E kanë degraduar këtë monument, ndoshta për të risjellë edhe njëherë në një farë mënyre me këto akte, atë kohë të uzurpimeve dhe të ndalimeve që bëheshin”-tha Isufi.
Fatos Lubonja theksoi sakaq se duhet hetim që të shmangen keqkuptimet, sepse ndonëse shtoi se “është i qëllimshëm”, mund të jetë edhe akt i ndokujt “që ka provuar të shoihë se sa i fortë ishte xhami”:

“Siç ndodh shpeshherë profanizimet e varreve të hebrejve, pavarësisht se kapen ose jo autorët, idea të shkon se është bërë nga antisemitë. Edhe këtu kështu të shkon idea e parë që kjo është bërë nga enveristë apo fëmijë enveristësh. Pastaj i takon policisë të hetojë. Pikërisht se është kjo ndjeshmëri duhet hetuar. Çfarë elementi është ky që e ka bërë, nga çfarë vrime ka dalë një element i tillë”.

Lubonja tha se nuk e shihte si një shenjë të kthimit në diktaturë, por nuk i kurseu kritikat për sjelljen e cilitdoqoftë:

“Nuk është problemi se kemi të bëjmë me kthim në diktaturë, por duhet të kemi parasysh se thonë që “injoranca është nëna e të gjitha të këqijave” dhe se “injoranca pjell diktaturë, pjell shumë të këqia, pjell fanatizëm, pjell intolerancë”.

“Në këtë aspekt, – shtoi Lubonja, – është e vajtueshme kur mendon se e kanë bërë. Me shumë gjasa mendoj që është i ri ai që e ka bërë dhe tregon injorancën e asaj kohe dhe jo vetëm pa ndjeshmërinë e këtyre njerëzve”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama