Ciollkovskij gjeniu rus i raketave dhe hapesirave nderplanetare

Ciollkovskij, gjeniu rus i raketave dhe hapësirave ndërplanetare

Ai lindi më 17 shtator 1857 në Rusi, fshatin Izhevskom të guvernës së Rjazanit, në familjen e një inspektori pyjesh. Në fëmijëri Ciollkovskij kaloi një sëmundje të rëndë (skarlatinën), për shkak të së secilës ai humbi tërësisht dëgjimin, mbeti shurdh. Si rrjedhojë e kësaj, iu privua mundësia të mësonte në shkollë dhe të kishte marrëdhënie aktive me njerëzit. U detyrua të mësonte vetë.

Kur ishte 16 vjeç, Ciollkovskij jetoi në Moskë, ku studioi shkencat fiziko-matematike të ciklit të shkollës së mesme dhe të lartë. Në vitin 1879, tashmë 22-vjeçar, ai, si studiues i jashtëm, jep provimet për titullin mësues dhe në vitin 1880 u emërua mësues i aritmetikës, gjoeometrisë dhe fizikës në shkollën pedagogjike të Qarkut të Borovskit të guvernës, Kalluzhskit. Kësaj periudhe i përkasin studimet e para shkencore të Ciollkovskijt.

Vetëm dhe i pavarur, duke mos pasur kontakte për zbulimet shkencore botërore të deriatëhershme, ai në vitin 1881 përpunoi bazat e teorisë kinetike të gazeve. Studimet kryesore të Ciollkovskijt, të realizuara mbas vitit 1884, ishin të lidhura ngushtë me 3 probleme të mëdha: argumentimet shkencore për aerostatin metalik (zepelinën), aeroplanin aerodinamik dhe raketat për udhëtimet ndërplanetare. Rezultatet e kësaj pune u pasqyruan në veprën e botuar me titull "Teoria dhe përvoja e aerostatit" (viti 1887), në të cilën janë dhënë argumente tekniko-shkencore të konstruksionit të aerostatit me mbulesë metalike. Në këtë studim janë pasqyruar skicat dhe përshkrimi i detaleve të konstruksionit. Aerostati i Ciollkovskijt dallohet qartë prej konstruksioneve të studiuesve të mëparshëm nga një radhë karakteristikash të dobishme. Zgjedhja e formës gjeometrike të aerostatit dhe llogaritja e qëndrueshmërisë së mbulesës së tij të hollë metalike ishin realizime që për herë të parë u bënë vetëm nga Ciollkovskij.

Megjithëse ishte shumë progresiv për kohën e tij, projekti i Ciollkovskijt për aerostatin nuk u përkrah. Ky projekt iu refuzua autorit, madje as nuk u ndihmua në ndërtimin e modelit të konstruksionit. Transferimi i Ciollkovskijt në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë ruse gjithashtu nuk shënoi ndonjë sukses. Në vitin 1892 Ciollkovskijn e dërguan në Kalluga, ku e ngarkuan me dhënien e lëndës së fizikës dhe matematikës në gjimnaz.Me gjithë pengesat e mosvlerësime, Ciollkovskij nuk u ndal në rrugën krijuese. Në veprimtarinë e tij shkencore ai iu kthye fushës së re, pak e studiuar deri atëherë, të objekteve fluturues në ambientet e ajrit të rëndë. Ciollkovskijt i takon ideja gjeniale e ndërtimit të aeroplanit me skelet metalik. Përshkrimi dhe llogaritjet për aeroplanin u botuan në vitin 1984. Prej vitit 1896, Ciollkovskij sistematikisht u mor me teorinë e lëvizjes së aparateve reaktive dhe krijoi një radhë skemash të raketave me rreze të largët veprimi dhe raketave të udhëtimeve ndërplanetare. Në artikullin "Aeroplan apo makinë fluturuese" (1894), jepen përshkrime dhe skica të monoplanit, i cili nga pamja e jashtme dhe ndërtimi aerodinamik ishte i nivelit më të lartë se konstruksioni i aeroplanëve që u prodhuan gjatë 18 viteve të ardhshme të asaj kohe. Në aeroplanin e Ciollkovskijt krahët kishin profil të plotë, kurse skeleti formë aerodinamike.

Në vitin 1897, Ciollkovskij ndërtoi për herë të parë tubin aerodinamik. Në këtë drejtim ai përpunoi metodën eksperimentale dhe më vonë në vitin 1900, i ndihmuar nga ana financiare prej akademisë së shkencave ruse, krijoi një sërë modelesh të thjeshta dhe përcaktoi koeficientin e rezistencës së detaleve sferike, të disqeve horizontale, cilindrave, detaleve të formave konike e të tjera. Por përsëri shkencëtarit të madh i dolën përpara pengesa. Punimet e tij për aeroplanin nuk u pranuan nga përfaqësuesit zyrtarë të shkencës ruse. Në studimet kërkimore të mëtejshme të kësaj fushe, Ciollkovskij nuk kishte asnjë mjet, madje asnjë përkrahje morale. Megjithatë ai nuk e ndali asnjëherë punën.

Ciollkovskij arriti rezultate të rëndësishme shkencore në teorinë e lëvizjes së raketave. Mendimet për vënien në zbatim të principit të lëvizjes reaktive për qëllime të fluturimeve, Ciollkovskij i kishte shfaqur tashmë qysh në vitin 1883, megjithatë, formulimi me saktësi matematike i teorisë së lëvizjes reaktive i përket fundit të shekullit 19-të. Në vitin 1903, në artikullin "Studime të hapësirës me aparate reaktive", bazuar në teoremën e përgjithshme mekanike të masës gjatë procesit të lëvizjes, argumentohej mundësia e përdorimit të aparateve reaktive për udhëtimet ndërplanetare. Kalkulimi i saktë matematik i mundësisë së përdorimit të raketave për zgjidhjen e problemeve të ndryshme shkencore, shfrytëzimi i motorëve reaktivë për lëvizjen e anijeve të mëdha ndërplanetare, mbi të gjitha është meritë vetëm e Ciollkovskijt. Në këtë artikull dhe në të tjerë në vazhdim ai për herë të parë në botë dha bazat e teorisë së motorit reaktiv të lëngshëm dhe gjithashtu detalet e konstruksionit të tij.

Mbas revolucionit të tetorit në Rusi, Ciollkovskij dha shumë punë të frytshme në përsosjen e teorisë së fluturimit të aeroplanëve reaktivë. Kështu, në vitin 1929 ai përpunoi plotësisht teorinë e lëvizjes në prodhimin e raketave, ose të ashtuquajturit "Trena reaktivë". Ciollkovskij rekomandoi realizimin e dy tipave të prodhimit të raketave. Tipi i parë ishte që të prodhohej një raketë, e cila të përbëhej nga disa raketa të vendosura njëra mbas tjetrës si hallkat e një zinxhiri. Gjatë fluturimit, forcën shtytëse do ta kishte raketa e fundit. Mbas harxhimit të lëndës djegëse, kjo raketë do të shkëputej nga "Treni i raketave"

dhe do të binte në tokë. Pas kësaj fillon e punon motori i raketës, që në radhë ishte i parafundit. Kjo raketë, për grupin e raketave është shtytësja deri në momentin që do t‘i mbarojë lënda djegëse dhe pastaj edhe ajo ndahet nga "Treni i raketave" dhe do bjerë në tokë. Kështu vazhdon ky proces, deri sa mbetet vetëm raketa kryesore. Qëllimi i fluturimit në këtë rast është që raketa kryesore arrin të fluturojë me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe më shpejt se çdo raketë e veçantë. Tipi i dytë i raketave që propozoi Ciollkovskij për prodhim ishte grupi i raketave me vendosje pozicion paralel të tyre, që ai e quajti "Skuadrilje raketash". Në këtë rast, sipas mendimit të Ciollkovskijt, të gjitha raketat, të vendosura në një plan horizontal, punojnë në veçanti dhe njëkohësisht deri në momentin e harxhimit të gjysmës së sasisë së lëndës djegëse të secilës prej tyre.

Pastaj, raketat anësore zbrazin sasinë e mbetur të lëndës djegëse në cisternat gjysmë boshe të raketave të tjera dhe shkëputen nga "Treni" (grupi i raketave), duke rënë në tokë. Procesi i zbrazjes së lëndës djegëse dhe i hedhjes së saj prej raketave anësore në ato të pjesës qendrore përsëritet dhe vazhdon derisa në "Trenin" e raketave të mbetet vetëm një raketë, raketa kryesore, që tashmë ecën me një shpejtësi kolosale. Krijimi i një konstruksioni sa më efektiv në prodhimin e raketave ka qenë një nga problemet më aktuale të periudhës së asaj kohe. Shumë shkencëtarë dhe inxhinierë punonin në bazë të këtyre ideve gjeniale të Ciollkovskijt.

Ciollkovskij ishte i pari që zgjidhi problemin e lëvizjes së raketave në fushën e gravitacionit homogjen dhe llogariti sasinë e nevojshme të lëndës djegëse për kapërcimin e fuqisë tërheqëse të tokës (gravitetit). Ai parashikoi me përafërsi ndikimin e atmosferës në fluturimin e raketave dhe llogariti po ashtu sasinë e nevojshme të lëndës djegëse për të kapërcyer rezistencën e forcave të mbulesës ajrore të tokës.

Ciollkovskij është themeluesi i teorisë së fluturimeve ndërplanetare. Për çështjen e udhëtimeve ndërplanetare ai u interesua qysh në fillimin e kërkimeve të tija shkencore. Në radhë të parë studimet e tij treguan se mund të fluturohet me shpejtësi kozmike, pavarësisht vështirësive teknike në realizimin praktik të këtyre fluturimeve. Ai i pari studioi problemin mbi raketën si satelit artificial i Tokës dhe shfaqi idenë mbi krijimin e stacioneve ndërhapësinore si baza të ndërmjetme në udhëtimet ndërplanetare. Me hollësi shqyrtoi kushtet e jetës dhe të punës së njerëzve (ekuipazhit) në satelitët artificialë të Tokës dhe stacionet ndërplanetare. Ciollkovskij dha idenë e timonëve gazorë për drejtimin e fluturimeve të raketave në hapësirë pa ajër.

Ciollkovskij argumentoi domosdoshmërinë e ftohjes së mureve të dhomës së djegies së motorit reaktiv. Propozimet e tij për ftohjen e mureve të dhomës së djegies me përbërës të lëndëve djegëse u përdoren gjerësisht në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të në konstruksionet e motorëve reaktivë. Në mënyrë që raketa të mos digjej si meteorit gjatë kthimit nga hapësira kozmike në Tokë, Ciollkovskij propozoi planifikimin e trajektoreve të veçanta për raketën, duke ulur shpejtësinë në afrimin e saj pranë Tokës. Ai gjithashtu propozoi mundësitë e ftohjes së mbulesës së raketës me oksidues të lëngshëm, duke studiuar një numër të madh të oksiduesve të lëngshëm. Për motorët reaktivë të lëngshëm rekomandoheshin si lëndë djegëse substanca dylëndore si: hidrogjen i lëngshëm + oksigjen i lëngshëm, alkool + oksigjen i lëngshëm, hidrokarbure + oksigjen i lëngshëm ose ozon.

Gjatë pushtetit sovjetik, kushtet e jetesës dhe të punës të Ciollkovskijt ndryshuan në mënyrë radikale. Për punën e tij kërkimore qeveria e atëhershme tregoi përkrahje të jashtëzakonshme. Për Ciollkovskijn, që me punën e tij u bë i famshëm, shfaqën interes edhe shumë përfaqësues të organizatave të ndryshme shoqërore dhe shkencore të kohës. Ciollkovskijt iu caktua një pension super i veçantë dhe iu siguruan kushte mjaft të mira për jetesë dhe punë krijuese.

Ciollkovskij si shkencëtar dha një sërë studimesh edhe në fusha të tjera të shkencave si: aerodinamikë, filozofi, linguistikë e të tjera. Studimet e tij në shkencën e teknikës së raketave dhe teorinë e udhëtimeve ndërplanetare shërbyen si material udhëzues për gjithë konstruktorët dhe shkencëtarët e kohës së mëvonshme që u morën me studimin dhe prodhimin e aparateve reaktive.

Ciollkovskij vdiq më 19 shtator të vitit 1935, në moshën 78-vjeçare. Vite më vonë jeta e vërtetoi më së miri se idetë e këtij shpikësi gjenial u realizuan me sukses. Rreth dy dekada mbas vdekjes së Ciollkovskijt ishin rusët që çuditën botën me satelitin e parë artificial që hodhën në hapësirë në një fluturim përqark Tokës. Më vonë ishin amerikanët që bënë çudinë e dytë, duke dërguar njerëzit e parë në Hënë. Sot, hapësirave ndërplanetare po u bëhet një studim i hollësishëm në shkallë të gjerë me fluturimin e raketave, satelitëve dhe stacioneve hapësinore. Edhe shekulli 21 që sapo ka filluar po sjell arritje të reja në prezencën gjithnjë e më të madhe të njeriut në kozmos. Filluan udhëtimet e para turistike me raketë nga njerëz të veçantë në rrugën ajrore Tokë-kozmos e kthim.

Është koha të themi që njerëzit e planetit Tokë po përgatiten ta bëjnë udhë të zakonshme fluturimin në hapësirat ndërplanetare. Kjo është dhuratë nga mendja gjeniale e shkencëtarëve të botës tonë, ku një ndër më të mëdhenjtë është Kostantin Eduardovic Ciollkovskij, i cili do të mbetet monument në shkencën botërore të raketave.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama