Bota e trazuar e shqiptarit brenda 100 minutave

'Bota' e trazuar e shqiptarit, brenda 100 minutave

Filmi shqiptar “Bota” i regjisores Iris Elezi shfaq premierën botërore në Pragë. Interpretojnë aktorët Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, Alban Ukaj dhe Tinka Kurti.

Çdo vit Festivali Ndërkombëtar të Filmit “Karlovy Vary” që zhvillohet në Çeki, seleksionon filmat më të mirë europianë që do të shfaqen gjatë ditëve të festivalit. Edhe këtë vit organizatorët e kanë projektuar këtë event si një vitrinë të filmit europian, ku do të shfaqen edhe shtatë premiera botërore.

Shqipëria është përzgjedhur të jetë pjesë e edicionit të 49-të që mbahet në muajin korrik në Pragë. Filmi “Bota” i regjisores së re Iris Elezi, do të shfaqet në seksionin “Lindje-Perëndim”, ku rreshtohen filmat që vijnë nga Evropa Qendrore dhe Lindore, Ballkani, Turqia dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Në këtë seksion shfaq premierën botërore edhe filmi i regjisores Iris Elezi dhe Thomas Logorecit, bashkëskenarist. Interpretojnë aktorët Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, Alban Ukaj dhe Tinka Kurti. Brenda 100 minutave Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, përmes personazheve të tre të rinjve sjellin një tablo të Shqipërisë sot. Filmi, siç dhe ka shpjeguar regjisorja, fokusohet në jetën e një komuniteti të vogël të ish të përndjekurve politikë të harruar nga koha dhe nga vetë ne, buzë një kënetë në Sektorin C. Skena ku Elezi ka vendosur filmin e saj është Adriatiku i Lushnjës, një fshat i vogël e i largët ku familjet e tre personazheve kryesorë kanë mbetur aty që kur ish regjimi i kishte internuar. ‘Bota’ është kafja ku “takohen” personazhet. Në filmin e Elezit copëza historish bëhen bashkë për të rrëfyer universalen. Në të ndërthuren ëndrrat e një 20- vjeçareje që kërkon t’i shpëtojë izolimit të “botës” së vogël të fshatit të saj për t’u bërë banore e botës së madhe. Ecejaket e një 40-vjeçari për t’i dhënë një motiv jetës së tij, histori të së shkruarës që rikthehen dhe një autostradë që nis të ndërtohet. Subjekti që paraqesin Iris Elezi dhe Thomas Logoreci është eksplorimi i Shqipërisë sot përmes karakterit dhe shpirtrave të trazuar të tri personazheve, që ashtu si autostrada që po ndërtohet pranë fshatit të tyre, përpiqen të ndërtojnë jetët e tyre.

Iris Elezi është një regjisore e re, e shkolluar në Amerikë për teori dhe kritikë filmi. Pas përvojës me disa dokumentarë, “Bota” është filmi i saj i parë me metrazh të gjatë. Thomas Logoreci është kineast dhe skenarist amerikan me origjinë shqiptare. Te bashkëpunimi me filmin “Bota” ai gjeti dhe bashkëshorten e ardhshme, regjisoren dhe bashkëskenaristen Iris Elezi. Filmi për të cilin është folur shumë, nisi xhirimet një vit më parë dhe më 4-12 korrik shfaq premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Pragë.

Një festival ky që tërheq dhe yjet e Hollivudit, si Robert De Niro, John Travolta apo Sharon Stone dhe ku konkurrenca është vërtet e fortë. “Zgjedhjet e këtij viti të filmave në konkurrim ofrojnë një përzierje të mrekullueshme të filmave më të mirë botërorë, që me padurim presim t’i shfaqim gjatë ditëve të festivalit. Shumë prej filmave eksplorojnë në rrugë të pashkelura të shprehjes në kinema. Ata vijnë nga vendet e ish-bllokut lindor që ky festival i ka pasur në fokus edhe më parë”, – u shpreh drejtori artistik i Festivalit, Karel Och. Në seksionin zyrtar konkurron drama melankolike “Low Down” e regjisorit Jeff Preiss, i cili prezanton kinemanë amerikane. Filmi është portretizim skenik dhe njerëzor, jeta vetëshkatërruese e pianistit të famshëm të jazz-it, Joe Albany (interpretuar nga John Hawakes), parë me sytë e vajzës së tij Amy-Jo, që interpretohet nga Elle Fanning.

Gjithashtu, regjisori George Ovashvili shfaq premierën e filmit të tij “Coen Island”. Një film për të cilin është folur gjatë dhe është pritur shumë; një dramë psikologjike e marrëdhënieve të thella të njeriut me natyrën. Regjisorja ruse Angelina Nikonova do të shfaqë “Welcome Home”, një komedi e hidhur, e vendosur në një komunitet emigrantësh në Nju Jork. Regjisori hungarez Gyorgy Palfi prezanton “Free Fall”, një vështrim grotesk i shoqërisë sot. Ndërsa aktori çek Miroslav Krobot debuton si regjisor me filmin “Nowhere in Moravia”, drama lakonike me elementë të komedisë së zezë. David Lambert prezanton kinemanë belge me “I’m Yours”, premierë botërore në këtë festival ashtu si dhe filmi shqiptar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama