Banda e tritolit Andon Mehillaj dorezohet ne polici Jam i pafajshem

Banda e tritolit, Andon Mehillaj dorezohet ne polici: Jam i pafajshem

Andon Mëhillaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia për sulme terroriste, është dorëzuar në policinë e Vlorës mëngjesin e sotëm. Andon Mëhillaj dyshohet si njëri prej ndërmjetësve të një sërë krimesh me pagesë të kryera nga Julian Sinanaj.

Sipas burimeve të “A1 Report” Mëhillaj është dorëzuar në polici rreth orës 09:30 minuta, pas negociatave që familjarët kishin kryer me të dhe në bashkëpunim me policinë.

Mësohet se Andon Mëhillaj, thotë se është i pafajshëm dhe do të japë shpjegime në lidhje me akuzat si pjesëtar i bandës së tritolit, por dhe si  një prej ndërmjetësve të një sërë krimesh me pagesë të kryera nga Julian Sinanaj.

Mëhillaj ka kërkuar siguri për familjen e tij, duke u nisur edhe nga ngjarja e ditëve të fundit në banesën e tij në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, ku shpërtheu një sasi eksplozivi.

Para dy ditësh Interpol ka përfshirë dy kushërinjtë Mëhillaj në listën e personave më të kërkuarave. Andon dhe Genis Mëhillaj janë shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi janë përfshirë në vrasjet dhe atentatet me tritol të organizuara nga vrasësi me pagesë Julian Sinanaj.

Ata dyshohet se, janë të parët në listën e personave që akuzohen për “akte terroriste” dhe të “financim të terrorizmit”. 38 dhe 43-vjeçari akuzohet gjithashtu për fshehje të fondeve dhe të mirave të tjera për financimin e terrorizmit, për dhënie informacioni për persona që mbajnë funksione publike, prodhim dhe armëmbajtje të armëve luftarake dhe municioneve si dhe për trafikim të tyre.

 Sipas policisë, kushërinjtë Mëhillaj kanë porositur Sinanajn të kryejë këto krime: Vrasjen e shtetasit Sokol Veizi më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës; vrasjen e shtetasit Agron Çela më datë 20 gusht 2013 në Vlorë, vendosjen e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi më datë 1 qershor 2013 në Vlorë; vendosjen e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E. B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013 dhe vendosjen e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E. B. në Vlorë më datë 31 gusht.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama