Në ndeshjen e vetme të fituar nga Shqipëria kundër Maqedonisë, autori i golit të parë, Rudi Vata, është asistuar nga menaxheri aktual i kuqezinjve, Alban Bushi. Një aksion nga e majta, me Vatën që afrohet në zonë dhe merr një pasim nga "Loku", teksa shkodrani bën një goditje fluturimthi dhe Shqipëria gjen avantazhin në minutën e 48- të.
17 vite më pas, ish-sulmuesi tregon për "Panorama Sport" se protagonisti kryesor i atij takimi është bërë një arbitër anësor. "Ka qenë një ndeshje me reshje të dendura shiu dhe në pjesën e parë, Shqipëria ka krijuar shumë raste për gol.
Edhe unë kam pasur disa të tilla. Megjithatë, një aksion i shpejtë i yni u finalizua si duhet. Vata realizoi një eurogol. Ai shpërtheu nga e majta dhe del pas shpinës së mbrojtjes ku unë i jap një top, duke e nxjerrë përpara portës. Rudi e ekzekutoi mjaft bukur, me të vërtetë që ka qenë një gol model", tregon Alban Bushi për "Panorama Sport".
Autori i 14 golave rrëfen edhe detajin që i ka mbetur peng nga ai takim i zhvilluar në "Qemal Stafa", në vitin 1999.
"Unë arrita të shënoj një gol që e çonte ndeshjen në 2-0. E kujtoj mjaft mirë, pasi ka mbetur si histori mes nesh që kemi qenë në fushë dhe në Kombëtare gjatë asaj periudhe. Ndonëse gjyqtari grek e akordoi gol, ka qenë një arbitër anësor shqiptar, i cili mbante për shumë sekonda flamurin të ngritur lart, duke insistuar për pozicion jashtë loje.
Në fund, ai bindi edhe gjyqtarin kryesor nga Greqia që të më anulohej ai gol", është shprehur Bushi me jo pak keqardhje për rastin e golit të anuluar.
OLSI TUJANI