Agjencia Europiane e Mjedisit Shqiperia me cilesine me te keqe te ujerave bregdetare ne Europe

Agjencia Europiane e Mjedisit: Shqipëria me cilësinë më të keqe të ujërave bregdetarë në Europë

Cilësia e ujërave bregdetarë të Shqipërisë është më e dobëta në Europë. 40 për qind e pikave turistike bregdetare në Shqipëri janë me ujë me cilësi të keqe dhe larg standardeve europiane. Ndërkohë që, mesatarja europiane për pikat turistike me cilësi të keqe është vetëm 1,8 për qind.

Vendi i dytë pas Shqipërisë, renditet Britania e Madhe me një diferencë shumë të madhe me Shqipërinë, me 5 për qind të ujrave të varfër.

Këto janë përfundimet e raportit vjetor të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (AEM) dhe Komisionit Europian (KE) për vitin 2015. Raporti merr në shqyrtim dhe mat cilësinë e ujit të 21 mijë pikave turistike bregdetare dhe liqenore të vendeve të Bashkimit Europian, Zvicrës dhe Shqipërisë. Klasifikimi i ujrave bëhet në katër kategori: cilësi e shkëlqyer, e mirë, e mjaftueshme dhe e dobët apo e keqe.

Në Shqipëri, u mat cilësia e ujit në 78 pika turistike, të gjitha bregdetare. 31 prej tyre (40 për qind) nuk përmbushnin standardet europiane. Nga këto 31, 24 (77 për qind) pika me cilësi të keqe gjenden në bregdetin e Durrësit, një nga pikat kryesore turistike në vend. Shkaku kryesor për ndotjen e Durrësit janë rrjetet e pamjaftueshme dhe të pamirëmbajtura të kanalizimeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama