Regjistroni domainin tuaj .al

Andrea Boceli: Liria e këngës sime

Shkruar nga:  
Postuar më: 8 vite mĂ« parĂ«

 Andrea Boceli: Liria e këngës sime
Andrea Boceli: Liria e këngës sime

Andrea Boçeli është një person që nuk të fal. Ai nuk ndalet as nga verbëria, e cila nuk e lejon të shohë shkëlqimin e botës qëkur ishte ende fëmijë, as nga ai që tenton të kalojë kufijtë e ta dëmtojë shpirtërisht. Thuajse që prej 15 vitesh është ambasadori i muzikës italiane në botë. E ka ngritur "monumentin" e tij artistik, që ka në thelb një zë potent, duke përzier melodramën me këngën, duke krijuar kontakte të afërta me të mëdhenjtë e botës, daljet publike në ngjarje të paharrueshme si nata e fundshekullit, olimpiadat, përvjetori i kullave binjake etj.

Kur e takojmë ai qëndron ulur në një kolltuk në shtëpinë e tij në Lajatiko. Pak metra më larg gjendet "Teatri i heshtjes", ku heshtja e tij thyhet nga koncerti i vetëm që ai e jep vetëm një herë në vit. Koncerti i radhës filloi me datë 5 korrik dhe tenori i madh ka kënduar këngët e tij më të dëgjuara, duke filluar që nga klasikja "Con te partirò" (Me ty do të nisem).

Me këto premisa suksesi është i garantuar. Është e vështirë të mbani një popullaritet botëror si ky i juaji?

Nuk e di pse, por është problemi im i fundit. Popullariteti më ka bezdisur pa masë.

Përveç shqetësimit, sigurisht që ju ka dhënë edhe kënaqësi?

Më pak nga sa e kisha imagjinuar. Herën e parë që pashë Zucchero-n, një yll që në imagjinatën time prej djaloshi duhej të ishte në kulm të nxënësisë, u çudita kur mësova se ai ishte një njeri problematik dhe i palumtur. Dhe pas shumë kohësh arrita të kuptoj psenë.

Me këtë që sapo thatë u drejtoheni edhe gazetarëve?

Popullariteti ndërhyn në jetën private. Të shkëput nga jeta familjare dhe u jep fund martesave. Pas këtyre duhet të suportosh shumë vrer.

Shpeshherë bëni aludime ndaj kritikës. Faktikisht nuk kanë qenë gjithmonë dashamirës me ju...

Në fillim dëshpërohesha. Ndieja se më kritikonin jo për të më korrigjuar, por për të më shkatërruar. Nuk ia falja vetes faktin që dola nga Sanremo dhe hyra në opera. Gjërat nga njëri profil i këngës në tjetrin ndryshojnë shumë. Fillimisht ishin skenat e lirikës, më pas këngët si Karuzo, Xhilji.

Jashtë shtetit, veçanërisht në Amerikë, publiku ju adhuron pa masë. Si e shpjegoni këtë fakt?

Pavarësisht se konsiderohem një tenor i madh, nuk e harroj kurrë faktin që jam edhe një njeri i thjeshtë. Mendoj se ky detaj i ka rënë në sy publikut dhe ata i pëlqejnë njerëzit e thjeshtë si unë, prandaj edhe pëlqehem. Kështu jam krijuar, i thjeshtë.

Kështu si? A mund ta përshkruani?

Si kënga e bukur, romancat e mëdha, opera. Unë e ndiej si detyrë për të shëtitur botën jo vetëm për të prezantuar kombësinë time, por edhe për t‘u dhënë njerëzve një mesazh optimizmi dhe kurajoje.

E keni fjalën për verbërinë tuaj?

Nuk ka lidhje me të fare. E kam fjalën për besimin tim, i cili është filozofik dhe imagjinon një projekt inteligjent për të gjithë ne. Unë që nuk besoj te rastësia e lë veten të udhëhiqem nga ky projekt.

Nuk mendoni se fakti që ju jeni i verbër ka ndikuar të paktën në formimin e personazhit tuaj?

Absolutisht jo. Ju e dini se çfarë do të thotë handikap? Është një sfidë. Pa këtë handikap do të kisha bërë shumë gjëra ndryshe, si në jetë ashtu edhe në këngë. Publiku i blen disqet për mëshirë dhe nuk shkon në koncerte për të njëjtën gjë. Maksimumi nëse mallëngjehet hedh një lule në skenë. Duke thënë këtë nuk harroj të shtoj: do të ishte një kërkesë e tepërt nga jeta.

Edhe fansat tuaj nuk janë admirues të thjeshtë: Papa, Klinton, Bush, Putin…

Jam befasuar edhe unë, sepse nuk jam ndonjë fans i madh i vetes sime. Në fillim habitesha kur një nga njerëzit që më kërkonte autograf ishte Heri Belafonte, apo ajo që më qëndronte pranë ishte Elizabet Tejlor. Por, nëse një ditë të troket në derë Strejsand, e cila kërkon të të njohë, një ditë tjetër është Toni Bler, i cili ta hap derën dhe kështu fillon të mësohesh ta pranosh faktin me normalitet.

A lexoni shumë?

E dini që në fëmijëri kam qenë paksa revolucionar? Lexoja Marksin, Mao Tse Tung, Ho Chi Min.

Tani keni ndryshuar llojin?

Tani kërkoj të ndjek një drejtim. Një vit refuzova ftesën që m‘u bë për të kandiduar për të majtët, sepse nuk më pëlqen që diletantët të merren me politikë. Ashtu siç nuk më pëlqen që flasin për gjithçka.

Pse jo? Janë tema ku çdo njeri duhet të japë opinionin e tij...

Jam dakord. Është mirë që të gjithë të kemi një opinion, por ta mbajmë për vete. Këto janë çështje për të cilat duhen pyetur teknikët dhe shkencëtarët. Ndërsa sot intervistohet një futbollist ose një tenist, ku pas një pyetjeje mbi ndeshjet u kërkohet nga gazetarët t‘u përgjigjen pyetjeve nga më të çuditshmet e që nuk kanë të bëjnë fare me profesionin e tyre.

Le të flasim pak për një tjetër argument material. Ju jeni shumë i pasur?

I pasur është një fjalë që nuk ka kuptim. Në krahasim me njerëzit e pasur të tokës, unë jam shumë i varfër dhe në krahasim me të varfrit, jam shumë i pasur.

Ju keni shitur 50 milionë disqe...

Pavarësisht kësaj, ajo është një shifër më shumë simbolike sesa reale dhe gjithashtu përfshin këngët e ndara dhe internetin. Unë përpiqem që paratë t‘i vë në shërbim të gjithçkaje.

I përdorni këto para edhe për bamirësi?

Lëmoshën e konsideroj fyese për atë që e pranon. Unë u jap punë dhe u ofroj mundësi shumë njerëzve. Paratë që nuk përdoren janë vërtet një mëkat i madh. Ato duhen vënë në përdorim për të prodhuar pasuri. Reminishencat e mia të ekonomisë politike shërbejnë për diçka.

Meqë po flasim për politikën, ju keni studiuar për Juridik dhe keni qenë avokat...

Kam bërë vetëm praktikën në një studio ligjore për një vit. U bëra avokat i zyrës, por nuk arrija dot t‘i bëja të miat problemet e të tjerëve. Në mbrëmje "arratisesha" për të luajtur në piano, në një piano-bar. Kam pasur pak a shumë një rini të shthurur.

Me të vërtetë? Çfarë bëje ndryshe?

Isha një djalosh i fuqishëm dhe pasionant, nuk e ndieja kurrë punën. Mbrëmjeve kthehesha shumë vonë në shtëpi, madje edhe në pesë të mëngjesit.

Kjo është e gjitha? Mendoj se ka edhe më shumë...

Sigurisht që shkoja edhe me femra, por rezultatet ishin të pamjaftueshme. Më vonë pastaj gjithçka filloi të përmirësohej, sepse është e drejtë të pohosh që mashkulli i suksesshëm është më i bukur dhe ka më shumë shanse. Nuk ka nevojë të skandalizohesh, sepse është një fakt biologjik, i ndodh edhe më të fuqishmit në botën e kafshëve.

Meqë ra fjala te kafshët, fotografoheni shpesh hipur mbi kalin tuaj. Nuk keni frikë?

Faktikisht është kali që ka besim tek unë. Unë praktikoj sporte të ndryshme, por pasioni im i vërtetë është të zbus këto kafshë të mrekullueshme, duke i marrë në një gjendje të egër dhe duke i kthyer në më të buta.

Ju pëlqen shumë të jeni udhëheqës?

Me kalin po. Me njerëzit nuk kam preferenca të veçanta. Por nëse është e rëndësishme nuk tërhiqem pas.

Para pak vitesh ju keni shkruar një roman autobiografik, i cili është përthyer në shumë gjuhë. Ende shkruani?

Po, shkruaj prej pak kohësh vetëm aforizma. Më pëlqen shkurtësia e tyre, lojërat e fjalëve dhe absolutizmi. I kam përdorur në këngë, art, dashuri, në çështjet e parëndësishme.

Atëherë le ta mbyllim me një nga aforizmat tuaj.

Po ju them këtë që e di përmendësh: "Këndon ai që i pëlqen të këndojë, jo ai që pëlqehet të këndojë".


Biografia


1958 - Andrea Boçeli ka lindur më 22 dhjetor të vitit 1958 në Lajatiko, në një fshat të Pizës. Në atë kohë, babai i tij, Aleksandri, dhe e ëma, Edi, kishin një ofiçinë me makineri bujqësore. Sot vëlla i tij është një arkitekt

1959-‘60 - Pas një glaukome bilaterale, operohet 27 herë në Torino. Sheh pjesërisht me syrin e djathtë dhe arrin të ndajë ngjyrat e dritat

1964 - Në moshën 6-vjeçare fillon të studiojë pianoforte, më pas do të mësojë flautin dhe saksofonin. Ndjek shkollën fillore në një institut për fëmijët e verbër

1970 - Gjatë një ndeshjeje futbolli në oborrin e shkollës qëllohet me top fort në sy dhe humbet të gjithë shikimin

1976-‘88 - Pasi mbaroi pedagogjiken regjistrohet në Fakultetin e Jurisprudencës në Pizë, ku pas pak vitesh edhe do të diplomohet. Më pas ndjek për një vit praktikën në një studio ligjore avokatësh, por mbrëmjeve punonte nëpër piano-bare

1989 - Andrea martohet dhe nga kjo martesë do të lindin 2 fëmijë. Në vitin 2002 divorcohet

1992 - Zucchero i kërkon të këndojë një pjesë lirike të "Miserere", me qëllim që të bindte Pavarotin për të kënduar me të

1993 - Fiton Festivalin e Sanremos për kategorinë e të rinjve

1995 - Kënga "Con te partiro" (Me ty do të nisem) do ta çojë Andrean drejt suksesit ndërkombëtar. Në Gjermani është disku më i shitur i të gjitha kohërave

1996-‘99 - Bumi i albumeve pop "Romancë" dhe "Ëndërr", duke shitur miliona kopje disqesh dhe fillimi i tureve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

2000 - Inauguron të gjitha ngjarjet e mëdha: jubile, Kampionatin Evropian të Futbollit, Olimpiadën në Sidnej. Këndon gjithashtu në mënyrë private edhe për njerëzit më potentë të tokës

2001-‘06 - Fillimi i incizimeve të shumë operave, mes tyre edhe "Boheme", një ndër më të shiturat, duke mos harruar edhe muzikën pop e romanet Kritika jo gjithnjë është në krahun e tij

2007 - Incizon dy opera të tjera të njohura

Marre nga : Gazeta Shqip

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema të nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi