Analiza e El Clasico vendosen penalltite

 Analiza e 'El Clasico', vendosen penalltite

Ishte një tjetër shfaqje e madhe, që në kujtesë do të na lërë paraqitjet fantastike individuale të yjeve të skuadrave, vendimet e arbitrave dhe shijen e humbjes së Realit, e cila do të ndihet deri në klasiken e ardhshme.


Formacioni bazë - Që të dy trajnerët nuk bënë asnjë surprizë me skuadrat që rreshtuan në fushë. Si Karlo Ançeloti edhe Geardo Martino zbritën me 4-3-3- shin e zakonshëm. Por, interesant ishte fakti i spostimit të lojtarëve në tapetin e blertë. Te Reali, Angel Di Maria shtynte lart në krah të majtë, duke e detyruar Kristiano Ronaldon të zhvendosej drejt qendrës dhe krijuar në praktikë modulin 4-2-3-1. Luka Modriç ishte përgjegjës për fazën organizative, me një spostim më në thellësi në mesfushë. Ndërkohë që Gerardo Martino kësaj radhe në trion e sulmit kishte Andres Iniestën, Leo Mesin dhe Nejmarin. Duke qenë se Nejmari më shumë spostohej nga e djathta drejt qendrës, ndërsa Mesi shkelte shpesh hapësirën e numrit “10″, Iniesta kishte hapësirë pafund në krah të majtë. Fabregas i qëndronte menjëherë pas vertikalisht, ndërsa Ksavi shkonte deri në lartësinë e Busketsit gjatë qarkullimit të topit. Formacioni bazë pasqyrohet në skemë.


Barça superiore - Pesëmbëdhjetë minutat e para Barcelona ishte më e rrezikshme, pavarësisht se luante më e tërhequr për shkak të presionit agresiv të madrilenëve, që shkonte deri në zonën e Valdesit. Nga presingu i vendësve, Serxho Buskets dhe Fabregas shfrytëzonin hapësirat për të vertikalizuar në hapësirat boshe që linin repartet e kundërshtarit. Por, goli i avantazhit të Barcelonës do të vinte nga një aksion i Mesit nga thellësia, ku ai i pashqetësuar ftoi në zonë Iniestën në të majtë. Katalanasit presingun e bënin me skemat 4-3-3 ose 4-1- 4-1, por pa agresivitet drejt topit. Tata Martino i trembej kundërsulmit të shpejtë vertikal të “mbretërorëve” dhe donte në këtë mënyrë që të linte sa më pak hapësirë që të ishte e mundur mes Mesit dhe Fabregasit.


Qasja e Ançelotit – Ndërkohë që Ançeloti zgjodhi një qasje ambivalente për të ushtruar presingun. Nga njëra anë Barcelona presohej lart në fushë, duke përdorur forcën e kolektivit të Realit. Nga ana tjetër, Reali e bënte presingun me një trekëndësh apo katërkëndësh, në përpjekje për të ngushtuar hapësirat në zona sa më të ngushta për të paralizuar qarkullimin e topit të katalanasve. Në foton 3 shikoni Ksabi Alonson, teksa lëviz drejt dinamikës së topit për të mbyllur hapësirën në të majtë, ndërkohë që Modriç spostohet në pozicionin e tij për ta dubluar në rolin e numrit “6″. Në këtë mënyrë Reali presonte me skemën 4-4-2, së bashku me Di Marian, duke lejuar vetëm Ronaldon dhe Benzemanë të qëndronin përpara. Presingu lart në fushë shkatërroi fazën e parë të ndërtimit të sulmit të Barcelonës, duke i detyruar miqtë që që të spostoheshin përpara, të përdornin topin e gjatë


Çelsi Di Maria - Deciziv në fazën ofensive të Realit ishte një lojtar, Angel Di Maria. Argjentinasi, i cili vinte nga thellësia e krahut të majtë, kombinonte me Ronaldon, ndërsa portugezi zhvendosej drejt qendrës për t’i lënë hapësirë mesfushorit të shkonte deri në fundore, duke e vënë në vështirësi Alveshin. Nga një kombinim i Di Marias me Benzemanë erdhi goli i barazimit pas 20 minutash. Francezi fitoi duelin ajror me Maskeranon dhe shënoi me kokë. Katër minuta më vonë Di Maria do të krosonte sërish për sulmuesin dhe sërish Benzema, i cili i shpëton mbulimit të mbrojtësit argjentinas, kontrollon dhe shënon i pashqetësuar. Dy minuta më vonë në ekranin e “Bernabeu”-t mund të ishin fiksuar shifrat 3-1. Edhe njëherë tjetër ishte një krosim i Di Marias, Fabregas dhe Alba pengojnë njëritjetrin në zonë, por goditja e Benzemasë shpëtohet nga Pike kur po i drejtohej vijës fatale. Në minutat në vazhdim Barça u rikthye të dominonte zotërimin e topit përmes pasimeve të shumta, edhe pse ekzistonte gjithnjë rreziku i një kundërsulmi të shpejtë nga Reali. Në çdo rrëmbim topi të vendësve, ajo çka binte në sy ishin sprintet e shpejta drejt sulmit të Ronaldos, Benzemasë dhe Bejlit. Në këtë moment, Di Maria tërhiqej me shpejtësi në thellësi për t’u lejuar atyre të përfitonin nga një duel i mundshëm një për një me mbrojtësit katalanas. Ndërkohë Barça kishte dy probleme me pasimet e saj të shkurta, për shkak të kompaktësisë së Realit në mbrojtje. Në foton 5 shikoni Pikenë që shtyn përpara, por e ka të pamundur të gjejë një hapësirë. Në këtë mënyrë mungonte prezenca e sulmuesve dhe rrjedhimisht pasimi i fundit në 1/3-at e zonës. Por, Barcelona e gjen vetëm një herë thellësinë dhe shpërblehet duke siguruar golin e barazimit. Mesi fton Nejmarin, i vjedh kohën Ramosit dhe Karvahal në tentativë për t’ia larguar topin brazilianit nga këmbët, e shndërron atë në një asist për “Pleshtin” që nuk fal.


Pjesa e dytë - Pjesa e dytë u karakterizua nga një dominim gjithnjë e më i madh i topit nga Barcelona dhe protagonizmit të arbitrit. Në minutën e 53-të Di Maria nga e majta kombinon me Ronaldon, i cili hyn në driblim, por Alvesh e ndal me një faull. Arbitri Undiano Majenko bëri me shenjë nga pika e bardhë dhe Ronaldo shënoi. Rreth 10 minuta më vonë ishte Mesi, ai që do ndryshonte përfundimisht fatin e kësaj ndeshjeje. Një top i tij për Nejmarin që u nis nga e djathta dhe braziliani rrëzohet në zonë. Majenko i tregon Serxho Ramosit kartonin e kuq, ndërkohë që edhe argjentinasi tregohet i saktë nga penalltia. Për të ruajtur balancat pas daljes me të kuqe të mbrojtësit, Ançeloti ndërhyn duke sakrifikuar Karim Benzemanë për Rafael Varanen. Tani e në vazhdim Reali do të sulmonte me 4- 4-1, ndonjëherë edhe me skemën 4-3-2 me vetëm Bejlin dhe Ronaldon në sulm. Martino lëviz nga stoli vetëm në 20 minutat e fundit kur hedh në fushë Sançezin për Fabregasin dhe, si rrjedhojë, Iniesta u spostua në qendër. Me një lëvizje të tillë Barcelona rriti posedimin e topit, por sërish e kishte gati të pamundur t’u afrohej 16 metrave të fundit të portës së Diego Lopezit. Vetëm një tentativë nga jashtë zone e Alveshit që ndalet në shtyllë, përpara se të vijë një tjetër vërshëllimë për 11-metërsh. Iniesta pengohet mes Karvahalit e Ksabi Alonsos dhe Majenko bën për të tretën herë me shenjë nga pika e bardhë, atje ku Mesi nuk do të gabonte përsëri.


Konkluzionet - Natyrisht që në pamje të parë ndeshja u vendos nga vërshëllimat e arbitrit gjatë pjesës së dytë. Por, nga këndvështrimi teknik i ndeshjes, zbulohen dinamika interesante të lojës së të dyja skuadrave. Nëse në fazën fillestare të ndeshjes Barcelona qëndroni disi pasive, me kalimin e minutave ata u bënë më dominues, ndërsa Reali u përqendrua për t’i zënë në befasi përmes kundërsulmit të shpejtë. Në të njëjtën kohë, madrilenët u rreshtuan për të mbyllur çdo hapësirë që rivalët të mos infiltronin topin e fundit. Reali iu përgjigj me presing agresiv deri në zonën e Barçës dhe zhvendosjet drejt sulmit dhe anasjelltas i kishin shumë kompakte. Sigurisht që gjatë dinamikës së lojës lanë hapësira vertikalizuese për këmbët e Mesit, Fabregasit dhe Busketsit, sidomos në 2/3- at e fushës, kur ata u zunë në mënyrë të përsëritur në befasi. Por, në të njëjtën kohë, ata nuk ishin gjithnjë efikasë në bllokimin e Mesit. Barcelona kryesisht kishte probleme në krahun e djathtë të saj, për shkak të lëvizshmërisë së Di Marias. Dihet që dobësia e katalanasve janë krosimet që vijnë drejt qendrës dhe Reali i shfrytëzoi shumë mirë karakteristikat fizike të Benzemasë. Megjithatë, kampionët e Spanjës bënë shumë pak gabime në mbrojtje gjatë pjesës së dytë dhe në fund u larguan nga kryeqyteti spanjoll me tri pikë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama