Geixh, kjo hienë politike

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 9 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Geixh, kjo hienë politike

Ditët e fundit në Shqipëri u shfaq  Nikolas Geixh, një personazh që në fakt i ngjan atyre komandantëve të Luftës së Dytë Botërore, etërve të vet shpirtërorë, siç ishte Zerva, gjakpirësi i shqiptarëve. Duket e çuditshme që hiena të tilla shfaqen në tokën tonë, kur vendi, për shkak të krizës së brendshme duket se është në vështirësi. Ky njeri, në shumë aspekte, me ardhjen e tij këtu më kujton Dik Martin, me të cilin u ndesha në Këshillin e Europës. Janë që të dy bartës të një filozofie, të një teknologjie propagandistike, asaj të barazimit të viktimës me kriminelin, madje të paraqitjes së viktimës si kriminel.
Si Parti për Drejtësi dhe Unitet ne nuk dëshirojmë të ndalojmë të hyjë në territorin tonë një njeri i tillë, që s’ka korrigjuar asgjë në sjelljet e tij dhe as dëshiron të shmanget nga sjelljet e paraardhësve të vet gjenetikë dhe ideologjikë. Në filozofinë tonë politike, as ndalimi, as dëbimi nuk është instrument veprimi ndaj individëve provokues.

Ky njeri jeton dhe endet nëpër tokat tona me urrejtjen e vet për shqiptarët, me obsesionet e veta kriminale ndaj tyre, siç e tregon jo vetëm në qëndrimet e tij politike, por dhe në veprat e tij letrare.

Heroi kryesor i romanit të tij autobiografik, Eleni, ka jetuar për një kohë të gjatë me obsesionin për të vrarë pa gjyq, në shenjë hakmarrjeje ish-komunistin grek, që me një gjyq të stisur urdhëroi ekzekutimin e nënës së tij, sepse komunikonte me të atin e vet emigrant në Amerikë. Ky hero që është rritur në Amerikë si Geixhi, pasi e zbuloi, është matur shumë për ta vrarë pa gjyq urdhëruesin e vrasjes së të ëmës. E vërteta jonë është se gjatë Luftës së Dytë, që Nikolas Geixh na përmend në tokën tonë, grekët vranë në Çamëri mijëra gra, pleq, fëmijë edhe në barkun e nënës, pa asnjëlloj gjyqi. Ndryshe nga ai, ne çamët duam drejtësi europiane për krimet e grekëve. Ndryshe nga ai ne nuk kemi jetuar me obsesione të tilla, ndaj e lejojmë Geixhin të na tregojë dokrrat e tij. Por duam t’i themi megjithatë disa të vërteta.

Ky njeri abuzon me mikpritjen tonë dhe na provokon në tokën tonë, me koncepte të sajuara të kuzhinës ushtarake greke të shekullit të 19, siç është koncepti i Vorio Epirit. Ky njeri kërkon që të gjallërohet kjo ndjenjë në shekullin e 21. Shikoni sa anakronik është ky personazh i pakorrigjueshëm në veprën e vet keqbërëse!

Ky njeri vepron me konceptin e fajësisë kolektive, për një popull të tërë siç ishte populli çam i Greqisë. Ky njeri kujton se ai dhe ata që ai përfaqëson mund të kompleksojnë popullin çam, që ka 1800 partizanë në radhët e EAM-it, një numër jashtëzakonisht i madh në raport me popullsinë dhe në krahasim me Greqinë e 30.000 bashkëpunëtorëve të pushtuesve, me Collakoglunë dhe Ralisin në krye. Ky njeri, që jeton në SHBA, nuk ka mësuar kurrë të shohë brenda njollave të errëta të historisë së popullit të vet, në një qasje vetëkritike. Popujt e mëdhenj korrigjojnë veten, duke kritikuar veten. Ky njeri, ndryshe nga shumë historianë të rinj dhe realistë grekë, nuk do të shohë se Greqia në fund të Luftës së Dytë Botërore, i përzuri të gjithë minoritetet që kishte brenda territorit të vet dhe kjo nuk e nderon, por e turpëron atë. Kur gjithë bota hebraike është e përfshirë nga një kërkim i ethshëm për mrekullinë shqiptare të shpëtimit të hebrenjve, ky njeri vjen këtu dhe na kujton fajësinë kolektive të pretenduar të shqiptarëve. Kur shqiptarët shpëtonin hebrenjtë, baballarët shpirtërorë, por jo vetëm shpirtërorë të Geixhit, ndihmuan në shfarosjen dhe dëbimin jo vetëm të shqiptarëve, por dhe të hebrenjve, të maqedonasve të Greqisë.

Ndaj, në këtë moment duam t’i bëjmë një pyetje këtij njeriu, që nuk vjen në Shqipëri vetëm për idealizmin e tij helenik, por dhe për ndonjë interes tjetër material: Mirë shqiptarët që i fajësoni kolektivisht, po hebrenjtë, po sllavo-maqedonasit?

Ndërkohë, meqë ky njeri vjen dhe na mëson për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, do doja që të më ndihmonte dhe mua që të vija në Greqi e t’i mësoja vendit të tij amtar, si regjistrohet popullsia sipas parimeve që na shpjegon Geixhi.

Ne do t’ia kujtojmë vazhdimisht këto pyetje këtij misionari të të keqes, që fut frymën e urrejtjes midis popullit shqiptar dhe atij grek. Por, ne do të donim që Partia e re e minoritetit, Mega, të mos shfrytëzojë për të formësuar ideologjinë e vet partiake, tezat e këtij njeriu, që nuk impresionon më askënd në Shqipëri, megjithëse flet për Megalidhenë anakronike, me pasaportë amerikane. Ne do të donim shumë që Mega, si parti e re të korrigjojë shumë çka nga sjelljet e partisë tjetër të minoritetit PBDNJ. Kështu do të marrë mbështetjen e gjithë popullsisë minoritare në Shqipëri, që e do miqësinë me popullin shqiptar dhe nuk do katandiset një autobus, apo disa autobusë që paguhen në Greqi. Ne do donim dhe që shefja e Komitetit Shtetëror për Minoritetet të mos i shërbejë si mbulesë shtetërore ndërmarrjeve antishqiptare të këtij provokatori.

Dhe më në fund, i them të gjithë kolegëve nga partitë kryesore: të bëjmë gjithçka që të mos e lejojmë Shqipërinë të bjerë në gjunjë dhe hiena të tilla si Dik Marti, apo Nikolas Geixh, të vijnë dhe të kërkojnë kufoma në tokën tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama