Kërkohet të barazohet krimineli me viktimën

Shkruar nga: Shpëtim Idrizi  
Botuar më: 9 vite më parë

Shpëtim Idrizi
Kërkohet të barazohet krimineli me viktimën

Raporti i parlamentarit zviceran Dik Marti, kundër kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, e luftës çlirimtare që ai drejtoi  bashkë me shokët e tij, nuk është vetëm kundër tyre, por ndaj të gjithë neve. Ai është shprehje e një konspiracioni të vazhdueshëm të zotit Marti kundër shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve si komb në përgjithësi.

Në fakt, nuk ka qenë konspiracion vetëm i tij, por edhe i zonjës Karla Del Ponte, me të cilën, ai ka bashkëpunuar në cilësinë e prokurorit.

Ky konspiracion mbështetet mbi një themel të dobët siç është shpikja e ish-hetueses së Gjykatës së Hagës për Krime Lufte, Karla Del Ponte, për ekzistencën e të ashtuquajturës Shtëpi e Verdhë në veri të Shqipërisë.

Raporti në fjalë, madje, ka referenca për hetimin e nisur prej saj në Kosovë dhe dështimin e këtij hetimi. Shpikja sensacionale e zonjës Del Ponte, nën ndikimin e kuzhinës mjeshtërore serbe, për të fabrikuar fakte, ku sipas të cilës në atë shtëpi

bëhej trafikimi i organeve të të ashtuquajturve robër lufte serbë, është zhvleftësuar nga koha dhe nuk është provuar asnjëherë.

Madje, unë kam informacion se libri i zonjës Del Ponte, ku përmbahen këto akuza, është bllokuar nga autoritetet zvicerane, pikërisht në prag të shpërndarjes së tij.

Është provuar shkencërisht se trafiku i organeve kërkon kushte të caktuara, që s’mund t’i plotësonte shtëpia e fshatarit të thjeshtë shqiptar, qoftë ajo në Dibër, qoftë në Fushë-Krujë.

Mesa duket, zoti Marti nuk e pranon këtë dështim të bashkëqytetares së tij. Ai e ka mbështetur mbi këtë shpifje të paprovuar asnjëherë, akuzën e tij ndaj kryeministrit të Kosovës dhe në përgjithësi gjithë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky raport synon të zhvleftësojë punën e organeve hetimore të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Është e çuditshme sesi një njeri i vetëm, që përfaqëson Këshillin e Europës, pa mjete investigative, të arrijë të kryejë një hetim kaq specifik, më mirë se të gjithë organet e specializuara.

Madje të kapërcejë në aftësi dhe punën e zonjës Del Ponte, që ishte në krye të një organi të specializuar.

Ky raport mbështetet mbi të dhëna, por jo mbi fakte, jo mbi prova. Ky element e bën atë, një raport me frymëzim politik dhe jo profesional.
Përfundimi dhe bërja publike në një gazetë britanike me frymëzim të majtë, e rezultateve të stisura të këtij raporti, në kohën kur në Kosovë përfunduan zgjedhjet, tregon akoma dhe më qartë për një frymëzim politik të këtij raporti.

Shpallja e këtij raporti, kur Kosova do të ulet për bisedime me Serbinë, synon që të dobësojë pozicionin negocial të palës shqiptare në këto bisedime, imazhin e saj. Ky është një argument tjetër pse të paktën frymëzimi i zotit Marti është politik.

S’po supozoj dhe për elementë të tjerë ndikimi të palës serbe tek zoti Marti. Pala serbe është e njohur për teknikat e saj lobuese, korruptuese për të fabrikuar fakte në mediat botërore gjatë luftës së Kosovës, apo dhe më parë. Ndaj asgjë nuk duhet të jetë e çuditshme.

Ky raport është mbështetur më së shumti në “gjetjet” e prokurorisë serbe. Edhe ky është një moment që qartëson frymëzimin politik të palës serbe.

Ky raport ka frymëzim politik të qartë dhe nga pjesa argumentuese e tij. Ai ka bërë të vetat të gjithë argumentet e kuzhinës serbe kundër shqiptarëve.

E ashtuquajtura udhëheqje e moderuar serbe, nuk ka arritur të kapërcejë mentalitetin e shoqërisë së vet dhe t’i kërkojë ndjesë popullit shqiptar, për krimet e kryera. Dhe në ndihmë i vijnë pikërisht fabrikime të tilla, sipas të cilave dhe shqiptarët kanë kryer krime monstruoze mbi serbët, dhe se “e keqja ka dy anë, jo vetëm një”. Edhe në historinë e popullit çam ka momente të ngjashme, kur ata që kryen krime mbi ta, tentuan t’i përbaltin me krime të shpikura, të kryera në mënyrë kolektive. Teoria e barazimit të kriminelit me viktimën është e njohur në historinë e krimeve.

Me cilësinë e anëtarit të Asamblesë së Këshillit të Europës, si kryetar i një partie si Partia për Drejtësi dhe Unitet, që ka çështjen kombëtare në themel të saj, unë e denoncoj raportin, si raport me frymëzim politik, me qasje sensacionale, i pathemeltë, dhe antishqiptar.

Zoti Marti madje është i njohur për qëndrime të tilla më parë, në cilësi të tjera.

Në librin autobiografik të politikanit kosovar Bexhet Pacolli, përcillen momente nga vizita pompoze e Martit, i rrethuar me policë, bodigardë të shtetit të vet, në Kosovë.

A është serioz ky njeri? Vërtet beson se mund ta kthejë rrotën e historisë mbrapsht? Vërtet beson se sot mund të përlyejë shqiptarët me krime monstruoze? Vërtet beson se qenka më i zoti se gjithë policitë europiane dhe perëndimore që janë të pranishme në Kosovë?
Në këtë raport prej mitomani ka shumëçka antishqiptare. Ndaj, reagimi ndaj tij është gjëja e duhur që mund të bëjmë.

Reagoi dhe zoti Tadiç, me njëlloj kujdesi, sepse do të kuptohej qartë sintonia serbe me raportin e Martit, ndaj këtë duhet ta bëjmë dhe ne. Reagoi dhe prokuroria serbe, sipas të cilës, raporti provon drejtësinë e hetimeve të saj. Unë besoj fuqimisht se Këshilli i Europës do ta hedhë poshtë këtë krijim, këtë fabrikim pervers dhe antishqiptar, që nuk fyen Hashim Thaçin apo qeverinë e Kosovës, por mbarë kombin tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama