Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lajmi televiziv, dhuna dhe fëmijët

Lajmi televiziv, dhuna dhe fëmijët

GËZIM MEKULI

Ne jetojmë në një shoqëri që është e udhëhequr dhe e kontrolluar nga media dhe kultura mediale. Shoqëria jonë, e përditshmja jonë është medializuar, apo më mirë të them e televizorizuar. Por përkundër televizorizimit të shoqërisë sonë njohuritë mbi ndikimin televiziv dhe veçanërisht njohuritë pedagogjike për lajmin në televizion janë të varfra.

Pse e them këtë dhe pse mendoj kështu?

Shohim se si lajmet “e këqija” po marrin kryevend në mediet pamore. Katastrofat e natyrës, lufta kundër terrorit, vjedhjet e armatosura, vrasjet në shkolla etj. janë ndodhi me të cilat fëmijët dhe të rinjtë çdo ditë konfrontohen me to. Redaktorët e lajmit shqip shpërndajnë fotografi të tmerrshme: nxënës që vriten në krah të mësuesve, fëmijë që vriten në spitale, fotografi të njerëzve nga hedhjet e kateve të larta të shtëpive të Prishtinës...

Fotografia e lajmit televiziv ka ndryshuar. Në këtë luftë komerciale për të përfituar gjithnjë e më shumë shikues televizioni parapëlqen elemente dhe efekte të fuqishme e fortndikuese. Kjo bënë që fotografia e lajmit televiziv të jetë e karakterizuar nga dhuna, shpejtësia dhe sensacioni. Jo rrallë fëmija është duke u përdorur si objekt dhe si instrument i lajmit. Pamje të fëmijëve të uritur e duke qarë përdoren si ilustrim/shpjegim për kinse shqetësimin, vuajtjen dhe tragjedinë e një shoqërie.

Të mos harrojmë se për lajmin televiziv fëmijët konsiderohen si mjete më të çmuara për të zgjuar emocion, frikë e patos te publiku. Shtrohet pyetja: si e përjetojnë fëmijët dhunën dhe vdekjen përmes lajmit televiziv? Çfarë fotografie ndërtojnë fëmijët apo të rinjtë për botën nga lajmi televiziv?

Shumë hulumtues të medieve paralajmërojnë se do të ketë pasoja negative për fëmijët, nëse as shkolla dhe as prindërit nuk kanë njohuri të mjaftueshme për mirësqarimin e fenomenit “lajm” dhe ndërtimin e lajmit televiziv. Në Kosovë – duhet pranuar e vërteta brengosëse – nuk kemi kompetenca të mjaftueshme mbi mësimin dhe kuptimin e medieve dhe ndikimin e dhunës mediatike në shoqëri. Veçanërisht mungon angazhimi i specialistëve për të hulumtuar krizat dhe lajmet mediale mbi katastrofat dhe tragjeditë jashtë perspektivës së fëmijëve.

Frika, injorimi, mërzia dhe depresioni janë përgjigje e zakonshme ndaj lajmit me "fotografi të forta". Shumë hulumtues këshillojnë gjithashtu se "fotografitë e forta" të shpërndara nga lajmet televizive mund të reflektojnë te fëmijët një bindje të pashpresë e të mbrapsht për botën dhe shoqërinë ku ata jetojnë.

Po ashtu afërsia gjeografike e dhunës reagon tmerrësisht dëmshëm ndaj fëmijës. Këta e ndiejnë veten të pasigurt. Dhuna përjetohet e nënkuptohet si diçka që ndodh në afërsi të tyre, pore herën tjetër kjo e keqe mund të përsëritet edhe ndaj tyre. Sipas hulumtuesit norvegjez Rundalen (1991), të rinjtë, si pasojë e lajmit të fortë televiziv e kuptojnë ardhmërinë si kërcënuese dhe të pasigurit. Dhe kjo ndodh në saje të "lajmit të fortë" që transportohet nga televizioni. Përqendrimi i televizionit në katastrofë është i madh në raport ndaj zgjedhjes dhe mundësive pozitive që paraqiten në lajme.

Dhuna dhe televizioni

Disa e konsiderojnë televizionin si zbutës të realitetit të ashpër jetësor. Në skajin tjetër ndodhen ata që, përkundrazi, këtë media e konsiderojnë si "lindje e djallit", i cili shkatërron kulturën dhe kërcënon njerëzimin. Kjo shtresë e opinionit e cilëson televizionin si ndikues të dëmshëm për zhvillimin dhe edukimin e mirë të fëmijës. Televizioni, sipas tyre, ndikon në humbjen e aftësisë së përqendrimit te fëmijët; ndikon në krijimin e pasivitetit të përgjithshëm, egoizmit, në shkëputjen nga realiteti e deri te lindja e instinkteve kriminale.

A mund të jetë pozitiv televizioni për fëmijët?

Sigurisht se po. Televizioni mund të ndikojë mirë te fëmijët atëherë kur prindërit bëjnë zgjedhjen e programit të duhur për shikim. Konsumimi i programit televiziv në mënyrë aktive duhet të udhëhiqet nga prindërit e jo nga vetë fëmijët. Pasojat e mosseleksionimit aktiv të emisioneve për fëmijë janë të paparashikueshme: fëmijët nga këto familje pjesën dërmuese të kohës së lirë e kalojnë para medieve pamore, duke përfshirë këtu edhe videolojërat dhe internetin. Kështu ata kanë mundësi të shikojnë pamje që për fëmijët janë rreptësisht të ndaluara. Sipas psikologëve gjermanë, 20 000 deri 30 000 fëmijë të këtij grupi qëndrojnë deri në orën 2:00 të mesnatës para televizionit. Një 18-vjeçar sot përmes medieve pamore ka parë me sytë e tij mbi 200 000 akte dhune, ka parë gjithashtu mbi 40 000 herë sekuenca ose foto me njerëz të gjymtuar, të dhunuar e të masakruar, p.sh. Lufta në Afganistan, Rripi i Gazës, Irak etj.

Dhuna në televizion shkakton frikë. Nëse për të rinjtë një pamje televizive do të konsiderohej provokim nervash dhe kënaqësi, kjo për fëmijët mund të ngjallë frikë dhe pasiguri e më pas pasoja të rënda psikosociale. Koha e kaluar para televizionit redukton kohën për aktivitete të lira e kreative.

Konsumimi i televizionit duhet të mësohet

Ekspertët e kësaj fushe vijnë në përfundimin e hidhur se shumë prindër nuk kujdesen për shprehinë e shikimit televiziv për fëmijët e tyre. Ja çfarë u rekomandojnë këtyre prindërve:

1. Televizioni nuk është "Baby sitter" - përkujdesje e fëmijës.

2. Konsumimi i programit televiziv duhet të bëhet në përputhshmëri me moshën e fëmijës, pra:

0 deri në 3 vjeç nuk ka fare shikim televiziv;

3 deri në 6 vjeç shikimi në raste shumë të rralla ose nuk ka fare;

6 deri në 9 vjeç më së shumti gjysmë ore në ditë, por jo rregullisht;

9 deri në 12 vjeç më së shumti një orë në ditë, por jo rregullisht;

12 deri në 15 vjeç më së shumti një orë e gjysmë çdo ditë, por jo rregullisht;

15 deri në 18 vjeç më së shumti dy orë në ditë, por jo rregullisht.

3. Fëmijët e vegjël nuk lejohen të shikojnë televizion vetëm. Ata kanë nevojë për mbrojtjen e afërt dhe sqarimin mbi emisionin nga një i rritur.

Edhe pse televizioni te fëmijët mund të ketë një ndikim përkeqësues, mendohet se ky nuk duhet të përjashtohet tërësisht për fëmijët dhe të rinjtë. Me rëndësi është kontrollimi nga prindërit dhe të rriturit, që gjithsesi do të kishte pjesën e përcaktuar të rolit pozitiv të medies pamore, televizionit për informacion, argëtim, arsimim dhe edukim.

Se si fëmijët e konstruktojnë shprehjen solidaritet, kur fillojnë fëmijët të kuptojnë se një fotografi është realitet e tjetra “fantazi”, janë disa nga pyetjet që dikush nga bordi i televizionit publik të Kosovës e ka borxh të na përgjigjet.

www.mekulipress.com

gezim@mekuli.com

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama