Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

MEDIAT DHE POLITIKA: Roli i mediave në ndërmjetësimin e agjendave politike

Shkruar nga: Gëzim Mekuli  
Botuar më: 16 vite më parë

Gëzim Mekuli
MEDIAT DHE POLITIKA: Roli i mediave në ndërmjetësimin e agjendave politike

Mediat dhe Politika

Roli i mediave në ndërmjetësimin e agjendave politike

Gëzim MEKULI


Pse disa tema sociale, politike dhe ekonomike që vërehen më lehtë, bëhen temë diskutimi në shoqëri e pse disa jo?! McCombs dhe Shaw (1972) thonë: "Mediat vetëvendosin se cila temë do jetë temë diskutimi dhe cila do të tërheqë vëmendjen në opinion. Këto vendosin se cilës temë do t’i japin prioritet e cilës jo".

Prania mediale për politikanin është e pashmangshme dhe e domosdoshme. Mediat mund të mendohen të mbijetojnë pa përmbajtje politike, por politikanët pa mediat jo. Madje, nuk mendoj se e teproj nëse them se pa prezencën e kënaqshme të mediave masive, shumë politikanë shqiptarë nuk do ishin politikanë, por "çobanë".

Teoria e McCombs dhe Shaw në shkencat e komunikimit njihet si ”Agenda setting Theory”. Në Kosovë kjo teori e përcaktimit të temave në debatin publik është duke dominuar. Këtu, për shembull, do të nënvizoja mediat të cilat përmes agjendës së tyre mënjanuan dhe larguan debatin rreth të drejtës për referendum, kurse në anën tjetër imponuan dhe fuqizuan shprehjen "Kombi Kosovar" dhe debatin për ”standardet para statusit.”

Vendimet "demokratike" në Kosovë duket se nuk merren si rezultat i informacioneve dhe i fakteve të mjaftueshme, por si prodhimrezultat i "realiteteve" të cilat konsiderohen si "fakte", sepse ato janë të paraqitura, të fokusuara dhe të ofruara ashtu nga "mediat tona".

Shumë shqiptarë të Kosovës pyesin: A jemi ne ai publiku që ndërmjetëson dhe që imponon temat ditore, sociale, politike e ekonomike, apo janë politikat ato që kryejnë këtë ndërmjetësim? Çfarë është roli i mediave në këtë organizim? Hulumtojnë, ndihmojnë mediat masive apo janë thjesht shërbëtore të politikës qeverisëse?

Të gjitha këto shqetësime të opinionit nuk janë të pabaza. Sipas rezultateve të arritura nga hulumtuesit e shkencave të komunikimit, ndër tjera, janë edhe katër modele klasike që ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në organizimin, në imponimin dhe në ndërmjetësimin e përmbajtjes politike.

 

*Modeli top – down

Këtu aktorët politikë kanë një rol aktiv. Këta, nëpërmes vendimeve dhe qëndrimeve të tyre, ndikojnë në botën reale. Çdo ndryshim dhe ngjarje në kohë dhe në hapësirë regjistrohet prej tyre. Vendimet që ata marrin, u ofrohen pastaj mediave të cilat katërçipërisht janë të varura nga ky burim informacioni. Shprehjet ”standardet para statusit” dhe ”decentralizimi” janë tipike për këtë model. Politikat e bashkësisë ndërkombëtare, me ndihmën e bartësve të politikave kombëtare, imponuan një ”detyrë të re” për shqiptarët, një detyrë që nuk është mirëkryer nga shumë shtete demokratike evropiane. Standardet për Kosovën, të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar, kanë për synim të tejzgjasin diskutimin për zgjedhjen e statusit të ardhshëm. Këto ”standarde” ideologjike janë duke penguar krijimin dhe funksionimin e një shoqërie të re demokratike. Fjalët ”standard”  dhe “decentralizim”  ka kohë që dominojnë në fjalorin dhe në porosinë e lajmit mediat. Pasi që kancelaritë, ku u pollën këto ”projekte” politike, për gazetarët tanë nuk ishin të depërtueshme, aktorët politikë, fillimisht, për opinionin shpërndanë informata të qëllimta dhe të përzgjedhura. Mediat këtu janë të varura nga aktorët politikë. Gazetarëve u është bërë e ditur paraprakisht se çfarë duhet të raportojnë dhe çfarë jo. Ata lansojnë informacione që gatuhen nga politikat. Lajmet për shprehjen e vërejtjeve dhe të mospëlqimit ndaj ”standardeve para statusit”, lajmet mbi kritikat dhe pezmin ndaj decentralizimit  në bazë etnike dhe defekteve të ngjashme demokratike, u shfaqën vonë dhe me shumë kujdes në opinionin tonë. Mediat, në këtë model, janë vetëm në rolin e ndërmjetësuesit. Andaj instrumentalizimi i tyre nga aktorët politikë është i përhershëm dhe i mundshëm.

 

*Modeli mediokrat

Këtu mediat janë faktorë vendimtarë. Në këtë grup mediat kanë rol të fuqishëm. Madje, këto konsiderohen edhe si dhunë e katërt në aparatin shtetëror. Këto vendosin si nga lart në drejtimin politik, po ashtu nga poshtë në drejtimin të opinionit. Politika ditore thith informatat e gatuara nga mediat dhe të njëjtat i jep në opinion si vendime të aprovuara e të lansuara nga politika. Shembull: Një shtëpi mediale zbulon se mjeku i famshëm grek, Fotis Andropulos, organizonte trafikun e fëmijëve nga Shqipëria me qëllim të shitjes të organeve të tyre (organet më të kërkuara kanë qenë sytë dhe veshkat) në tregun e zi. Ky alarm publikohet në disa media greke. Mediat tjera i bashkëngjiten kësaj "afere" me po të njëjtin pompozitet. Pas disa ditëve ky skandal është temë e diskutimeve ditore dhe javore, reaksioni i publikut është i madh, prindërit shqetësohen.

Pompoziteti i mediave, i krijuar rreth kësaj teme, bën që skandali kombëtar "të kapërcejë" një shkallë më lart dhe të shndërrohet në skandal ndërkombëtar. Opinioni publik sensibilizohet pa masë. Mediat në këtë grup janë njëkohësisht "kërcënuese" dhe hulumtuese të agjendave politike. Nëse politikanët kanë marrë ndonjë vendim apo jo, kjo është për opinionin krejt pa rëndësi derisa nuk emetohet dhe nuk bëhet i njohur nëpërmjet mediave. Një vendim i tillë, sado i rëndësishëm që të jetë, mbetet praktikisht i vdekur nëse mediat nuk ia japin atij mundësinë të bëhet “i dukshëm” për opinionin. Në këtë mënyrë, modeli mediokrat mbisundon politikën

 

*Modeli bottom - up

Në këtë grup opinioni publik është faktor vendimtar. Ai përcakton agjendat politike. Mediat, po ashtu, si në modelin top-down, kanë rolin transportues, por ndryshe nga modeli i mësipërm, ato nuk instrumentalizohen nga politika dhe në këtë mënyrë janë në shërbim të opinionit. Shembull domethënës për këtë grup janë dorëheqjet e njëpasnjëshme në ministrinë suedeze, datë 14 dhe 16 tetor 2006. Është folur shumë se disa qeveritarë u kishin ikur obligimeve tatimore. Po ashtu edhe Ministria e financave u kishte dërguar shumë letra anonime mediave të vendit. Korrupsioni ishte temë e bisedimeve në mjedisin suedez. Nga protestat dhe dërgimi i letrave u zgjua interesimi i opinionit. Mediat, tashmë në mënyrë besnike dhe nën “mikroskop”, raportonin opinionin rreth çdo aktiviteti të ministrisë suedeze. Nga raportimi profesional i mediave rreth fshehjes së tatimit u zgjua interesimi i opinionit. Kështu, pas vetëm një javë qëndrimi në detyrë, ministresha e Tregtisë së Suedisë, Maria Borelius, dha dorëheqjen pas akuzave të bëra në media për mospagimin e taksave. Kjo nuk ishte e tëra. Si rezultat i gjithë kësaj trysnie të madhe të opinionit dhe të bashkëpunimit me njerëzit përgjegjës brenda institucionit të financave për këtë aferë, detyroi edhe ministreshën suedeze të Kulturës, Sesilia Stego Çilo, që të paraqesë dorëheqjen. Edhe këtu shkak ishte fshehja e tatimit. Kjo ishte dorëheqja e dytë me radhë në Qeverinë suedeze, pas asaj të ministreshës së Tregtisë, Mari Borelius. Pra, raportet e publikut me median në këtë model janë parësore.

 

*Modeli biotop

Në këtë model kemi dy aktorë kryesorë: aktorin politik dhe aktorin mediat. Të dy këta aktorë vendosin marrëdhënie të ndërsjella të cilat funksionojnë mrekullisht. Ata vendosin së bashku se çfarë do të jetë "Top-temë" e ditës e çka jo. Pra, mediat dhe politika vendosin së bashku për agjendat politike. Si politika, ashtu edhe mediat janë të varura nga njëra-tjetra. Ato i japin këshilla dhe sugjerime njëra-tjetrës. Cilat tema duhet të jenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik dhe cilat duhet të "varrosen", varen nga "tandemi" - media dhe politika.

Publiku në këtë trekëndësh është qind për qind pasiv. Ai është përcjellës i thjeshtë, spektator i lënë jashtë lojës. Shembull domethënës për këtë model mund të marrim imponimin e termit “Kosova multietnike” dhe tentimfabrikimi i "popullit kosovar".

A ka pyetur ndokush se cilët ishin ata mekanizma që e përpunuan dhe e instaluan këto shprehje ideologjike? A është marrë ndonjëherë në konsideratë realiteti historik, shkencor, etnografik, demografik dhe politik i Kosovës? Ü dëgjua zëri kritik i shqiptarëve të Kosovës në lidhje me këto prodhime ideologjike?

Kjo shprehje ideologjike, së pari është gatuar nga aktorët politikë dhe pastaj është kopjuar dhe është transportuar “pa filtër”, ose, thënë më mirë, është pompuar nga mediat. Këto të fundit, në këtë rast, janë rrogëtare e shërbëtore të politikës, thuajse kanë nënshkruar një pakt të përbashkët me aktorët politikë.  Ndërmjetësimi politik nuk duhet të konsiderohet dhe as të kuptohet si njëdimensional dhe i njëanshëm. Është e qartë se ekzistojnë edhe shumë mënyra e forma tjera se si mund të ndërmjetësohen politikat, por si përfundim logjik do të rridhte se pa aktorin "enigmatik", pra, pa mediat masive, ndërmjetësimi politik në shekullin 21 do të ishte joreal dhe i dënuar me abort.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama