Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kryeministri shock-on serish: Denoncon opoziten neper shkolla

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 12 vite më parë

Mustafa Nano
Kryeministri shock-on serish: Denoncon opoziten neper shkolla

Në momentin që u kritikua pakëz për fjalimet e ndërkryera politike e sektare që po mbante nëpër shkolla, Kryeministri doli për të na thënë se “nuk do të hiqte dorë nga kjo aventurë; do ta bënte sërish, sepse i duhej të bindte fëmijët se është opozita ajo që po na pengon të integrohemi etj., etj., etj.”. Dhe e mbajti fjalën. Dje ishte në Lezhë, në një përurim të rikonstruksionit të një shkolle, dhe i gjithë fjalimi i atyshëm, përballë nxënësve nën 15-vjeçarë që duartrokisnin e brohorisnin të shastisur, ishte thellësisht politik e elektoral; ishte kundër opozitës. Po ju veçoj disa fraza nga ai fjalim:

“Të dashur nxënëse e nxënës, ju bëj thirrje juve, bashkëmoshatarëve tuaj në mbarë Shqipërinë, mos harroni kurrë një moment historik për ju, për shqiptarët, për lirinë e dinjitetin e tyre, momentin e heqjes së vizave. Në këtë moment, ky zotëri [Edi Rama] mori një kuti nën sqetull dhe vrapoi nëpër Shqipëri me sloganin ‘Hap kutitë të lirosh vizat’, si dëshmi e vullnetit të tij për të penguar këtë akt madhor, këtë arritje historike të qytetarëve shqiptarë. Natyrisht, vizat nuk kërkonin vendime me 3/5 dhe ato nuk u penguan dot. Shikoni tani, të dashur nxënëse e nxënës, jemi në prag të një vendimi të madh, të cilin ky zotëri e bllokoi dy vite me radhë. Sapo marrin vesh që statusi mund të jepet, kanë tërhequr deputetët dhe çdo ditë largohen nga Komisioni i Ligjeve, për të mos votuar ligjin për Gjykatën e Lartë. Dhe për këtë kërkon pazar, pazar e vetëm pazar. Për vizat kërkonte pazar: hap kutitë të të çlirojmë vizat. Tani kërkon: më jep Fierin të të lirojmë statusin. Ndaj i them edhe një herë zotit Rama, mos shqelmo ëndrrat e këtyre të rinjve, lëri pazaret se nuk janë pazaret ato, mbi të cilat këto vajza e djem ndërtojnë të ardhmen e tyre. Le të votojmë e të përmbushim detyrimet, pasi këta në mendje, në shpirt e në zemër kanë projekte të mëdha. Në ëndrrën e tyre qëndron Shqipëria e së nesërmes, qëndron Shqipëria me të gjitha bukuritë e saj, me të gjithë zhvillimin e saj.” Etj., etj., etj.

Mezi i gjej fjalët për ta denoncuar këtë gjest. Jam në një gjendje shock-u nga kuraja e këtij njeriu për t’i dhunuar politikisht fëmijët, të cilët – kështu thosh me shumë të drejtë Edmond Dragoti në një intervistë për numrin e djeshëm të “Shqiptares.com” – kanë nevojë ta njohin realitetin në mënyrë spontane e të organizuar. Nuk e di Kryeministri këtë gjë? Nuk e di ai nga ana tjetër se kjo që po bën nuk ka bythë të rrijë? Nuk e di se kjo që po bën është në kundërshtim me ligjin mbi arsimin? I di. Me siguri i di të gjitha arsyet që këtë aventurë e bëjnë të palejueshme në pikëpamje psikologjike, etike, morale, ligjore etj. Madje, pikërisht ngaqë e di e përsërit për herë të dytë, të tretë, e kështu me radhë. Në këtë kuptim, nuk e ndalim dot, ashtu si nuk kemi mundur ta ndalim edhe në rrethana të tjera të ngjashme, apo më dramatike, këtë marrok. Por zërin duhet ta ngremë.

Gazetat u kanë dhënë hapësirë më pak se sa duhet këtyre vizitave nëpër shkolla e fjalimeve politike përpara nxënësve. Madje, dje ish vetëm “Shqiptarja.com” që e kish bërë këtë (për fat, në një faqe tjetër kish intervistuar edhe Edmond Dragotin e Vjollca Meçajn që e qortonin qartë e prerë si dukuri); të tjerat nuk e kishin konsideruar si lajm. Dhe ky është një lajm i mirë. Por kjo heshtje e një pjese të shtypit nuk mjafton, ashtu si nuk mjaftojnë tonet kritike të përdorura në ndonjë gazetë apo site. Kjo heshtje e këto denoncime nuk bien në sy; eklipsohen nga televizionet, sidomos ato që transmetojnë lajme gjatë gjithë ditës, të cilat u çanë duke e dhënë të plotë kronikën e ngjarjes. E jo njëherë e dy, por disa herë. Mua m’u desh ta ndiqja si një pantomimë në ekranin e një televizioni që jep lajme të titruara, teksa po haja drekë në një restorant të periferisë. “Serendipity”, thashë duke bërë ironi me vete. Por kjo ngasje për të bërë ironi me veten nuk më zgjati më shumë se një sekondë. Shihja dorën e majtë të Berishës që ‘tundej në ajër’, ndiqja gjuhën e tij trupore dhe ngërdheshjet që i merrte fytyra duke folur përpara fëmijëve, shihja dhe ca fëmijë pas shpinës së tij, e teksa përpiqesha të përfytyroja ato që thosh, u gjenda i sulmuar nga ideja se po shihja një skenë pedofilie. ‘Pedofili’ ynë nuk po ushtronte dhunë fizike a seksuale, por po ushtronte dhunë amá. Dhe sakaq u ngjetha nga ideja tjetër se në atë moment, secili prej atyre fëmijëve mund të ish fare mirë dhe fëmija im. Nuk do doja që të ish. E shyqyr që s’ish.

Duhet ngritur zëri. Ky njeri po i kalon të gjitha limitet. Kreu i PS-së do të duhej t’u binte borive të alarmit në këtë rast. Politikanët e tjerë, sidomos ata të opozitës, do të duhej të ndaleshin te ky moment. Edhe ambasadorët s’do të bënin keq ta gjenin një mënyrë për ta thënë të tyren në këtë rast (përderisa e thonë të tyren në shumë raste të tjera), qoftë dhe për t’na bërë me dije se në vendet e tyre nuk mund të gjendet asnjë koqe kandari që të përfytyrojë kryeministrin teksa shkon nëpër shkollat nëntëvjeçare për të denoncuar opozitën si armike të vendit, të kombit, të së ardhshmes.

E di që në këtë vend ndodhin gjëra më të rënda, por ky gjest i Kryeministrit është një dhunim flagrant i një standardi të arritur qysh në vitin 1991, e të padhunuar nga askush tjetër, përveçse nga Berisha. Ishte për të ardhur keq që në një duzinë me komente e opinione të publikuara në shtypin e përditshëm, vetëm njëri fokusohej te kjo fabul. Edhe një ditë më parë kështu ndodhi. Personalisht, më vjen çudi se si nuk ka ndjeshmëri përballë një situate të tillë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama