Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

KQZ-ja si rrezik publik

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 12 vite më parë

Blendi Kajsiu
KQZ-ja si rrezik publik

Në datën 13 mars 2012, mbi 62 mijë qytetarë shqiptarë dorëzuan firmat dhe fotokopjet e kartave të tyre të identitetit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke shprehur publikisht vullnetin e tyre, sipas Kushtetutës, për një referendum të përgjithshëm në lidhje me importin e mbetjeve në Shqipëri. Ishte hera e parë që qytetarët shqiptarë ushtronin të drejtën e tyre themelore për të organizuar një referendum kombëtar. Ishte hera e parë që në KQZ dorëzoheshin mbi 60 mijë firma dhe kopje të kartave të identitetit (nga 50 mijë që kërkon ligji) për të organizuar një referendum qytetar. Në këtë aspekt, 13 marsi shënoi një ngjarje në historinë e varfër të demokracisë sonë, ku referendumet janë organizuar nga qeveritë, por kurrë nga qytetarët.

Kjo ngjarje sot rrezikohet jo sepse kërkesa e qytetarëve është rrëzuar, por sepse ajo po injorohet në mënyrë publike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Me ligj KQZ-ja ka 90 ditë kohë për të verifikuar nënshkrimet dhe për t’u shprehur në lidhje me kërkesën. Ka kohë që koha ka mbaruar dhe KQZ-ja, pavarësisht reagimeve publike të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), hesht duke bllokuar publikisht dhe brutalisht vullnetin e dhjetëra mijërave qytetarëve për referendum.

Prandaj sot KQZ-ja është kthyer në një rrezik publik. Ajo ka marrë një atribut thelbësisht antidemokratik dhe antikushtetues: injorimin e vullnetit publik. Një institucion që është ndërtuar për të lexuar vullnetin popullor e injoron këtë vullnet në shkelje të ligjit, pa dhënë arsye dhe madje pa denjuar as t’u përgjigjet reagimeve dhe thirrjeve publike të shoqërisë civile. Sot qytetarëve shqiptarë u mohohet një e drejtë që ia garanton Kushtetuta nga një institucion që mbahet më këmbë me taksat e tyre.

Heshtja skandaloze e KQZ-së, injorimi publik që ky institucion u bën qytetarëve që paguajnë për ekzistencën e tij është simptomë e një sëmundjeje të rëndë të institucioneve tona demokratike. Sot shumica dërrmuese e institucioneve të demokracisë sonë (Parlamenti, gjykatat, KQZ-ja, qeveria), reagojnë vetëm ndaj shqetësimeve partiake dhe politike teksa injorojnë tërësisht vullnetin qytetar. KQZ-ja është shembulli tipik i një institucioni publik që formësohet dhe vihet në lëvizje nëpërmjet partive politike dhe që për pasojë është krejtësisht e pandjeshme ndaj publikut, vullnetin e të cilit e ka për detyrë ta pasqyrojë.

Natyrisht që skandali i fundit i KQZ-së është shfaqja e radhës në një spektakël politik ku qytetari vendoset në rolin e spektatorit të budallallepsur. Ama deri tani, qytetarit e drejta për të folur i është hequr me “lezet”. Herë duke e hutuar me integrimin europian, herë duke e habitur me spektakle pseudo-publike si zgjedhja e Presidentit, ngjalat e Lalzit apo me pafajësinë e Metës. Ndërsa sot kemi të bëjmë me një përshkallëzim të rrezikshëm. Pasi qytetari me shumë përpjekje e mori mundimin për të folur duke dorëzuar mbi 60 mijë firma dhe karta identiteti, KQZ-ja hesht dhe injoron publikisht zërin e tij në shkelje të hapur të ligjit. Ndaj, nëse nuk reagojmë sot, nesër do ta kemi tërësisht të pamundur të flasim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama