Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Importi i mbetjeve si simptomë e kapjes

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 13 vite më parë

Blendi Kajsiu
Importi i mbetjeve si simptomë e kapjes

Bëhet fjalë për simptomën e kapjes së shtetit nga një grup i ngushtë interesash në kurriz të shoqërisë. Është vetë thelbi i krizës së sistemit tonë politik. Problemi real me të cilin përballet demokracia shqiptare sot nuk janë as zgjedhjet e lira, as integrimi europian dhe as konfliktualiteti politik. Problemi është kapja e shtetit;  vendosja e vendimmarrjes në funksion të një klientele të ngushtë që ushqen dhe ushqehet nga pushteti. Simptomë e këtij fenomeni të shëmtuar është edhe nxitimi i Kryeministrit për të lejuar importin e mbetjeve në vendin tonë.

Nuk ka si të shpjegohet ndryshe urgjenca me të cilën Kryeministri Berisha po e kalon ligjin përballë një presioni të gjerë nga institucione si Presidenti, nga ekspertë të ndryshëm të ambientit, dhe nga opinioni publik. Epitetet folklorike me pleh dhe jashtëqitje nuk e fshehin dot realitetin e shëmtuar të një Kryeministri, që më shumë sesa tek opinion publik, jep llogari te grupe të ngushta interesi që e ushqejnë financiarisht pushtetin e tij.

Nuk ka si të shpjegohet ndryshe injorimi sistemik që u bëhet të gjitha argumenteve kundër importit të mbetjeve në Shqipëri. Akuzat për populizëm nuk mund të fshehin faktin që ligji që qeveria synon të kalojë në Parlament nesër, nuk ndalon shprehimisht depozitimin e mbetjeve apo djegien e plehrave që vijnë nga jashtë (nenet 22 dhe 48). Në mungesë të infrastrukturës ligjore, administrative dhe monitoruese, ky ligj nuk ofron asnjë garanci që nesër vendi ynë nuk do kthehet në një kazan global plehrash.

Mjafton të shikosh nenin 63, ku transporti i mbetjeve të rrezikshme dënohet me një gjobë prej 5 deri në 10 milionë lekë të vjetra, për të kuptuar se sa të pambrojtur jemi me ligj nga veprimtari të tilla.

Nuk ka si të shpjegohet ndryshe fakti që qeveria dje na thoshte se do zhvillojë turizmin dhe bujqësinë dhe sot na thotë se do zhvillojë industrinë e riciklimit të mbetjeve. Çuditërisht objektivi i qeverisë për të tërhequr miliona turistë është zëvendësuar me tërheqjen e miliona tonelatave mbetje nga e gjithë bota. Të dy këta objektiva njëkohësisht vështirë të arrihen, sepse ligji aktual nuk i vendos ndonjë kufizim sasior importit të mbetjeve nga jashtë.

Nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti që institucione si Ministria e Mjedisit në vend që të bëjnë avokatin e ambientit dhe të shëndetit, bëjnë avokatin e industrive të riciklimit që do zgjerohen pa fund nesër. Është sa e çuditshme, po aq edhe e trishtë të shikosh se si ambientalistët tanë zyrtarë u qajnë hallin bizneseve që duan të importojnë mbetje nga jashtë, ndërkohë që do duhej të na garantonin eliminimin e mbetjeve tona të brendshme.

Nuk ka si të shpjegohet ndryshe fakti që qeveritarët tanë e injorojnë tërësisht atë që ndodh rrotull nesh. Askush prej tyre nuk guxon të hedhë vështrimin jo larg, por në Napoli, për të parë se çfarë katastrofash njerëzore dhe mjedisore kanë shkaktuar plehrat atje. Askush prej tyre nuk dëgjon paralajmërimet që na vijnë nga zëra të guximshëm të Italisë fqinje në lidhje me shtrirjen e mafies italiane në biznesin e plehrave. Askush prej tyre nuk guxon të kujtojë se është po vetë Kryeministri Berisha që dje akuzonte Fatos Nanon si të kapur nga mafia e plehrave.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, urgjenca me të cilën Kryeministri Berisha synon ta kalojë ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” pa i ndryshuar as edhe një presje, pavarësisht komenteve, vërejtjeve, kundërshtimeve dhe sugjerimeve të bëra nga të gjitha anët, është simptoma më e shëmtuar e kapjes së shtetit.

Vendosmëria për të kaluar një ligj të cilin e sheh me dyshim edhe vetë elektorati i djathtë, na tregon se sa thellë ka penetruar kapja. Ironikisht është pikërisht ky degradim i qeverisjes tek interesat e një grushti të vogël që krijon hapësirën për ndryshim. Në rastin konkret, vetë deputetët e shumicës po shohin se si prej tyre kërkohet të votojnë shpejt e shpejt një ligj prej të cilit dikush fiton por ata, familjet, dhe fëmijët e tyre humbasin. Tashmë edhe deputetët e shumicës po e kuptojnë se po u kërkohet të kalojnë një ligj që rrudh votat e tyre, pasi edhe durimi i elektoratit ka një kufi. Ndaj Kryeministri nxiton.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama