Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shterpësia e progres-raportit të BE

Shkruar nga: Blendi Kajsiu  
Botuar më: 13 vite më parë

Blendi Kajsiu
Shterpësia e progres-raportit të BE

Çdo vit një raport i shkruar nga një dorë burokratësh europianë në Bruksel, që kanë po aq pak njohje sa ç’kanë interes për një vend të vogël, të largët dhe të bezdisshëm si Shqipëria, kthehet në një dokument pothuajse mistik ku kërkohet dhe ofrohet zgjidhja përfundimtare e problematikës shqiptare. Në fakt, progres-raporti i përmbush të gjitha kriteret e një revelacioni profetik. Vjen nga një fuqi e epërme (BE-ja), jep 12 rekomandime që kanë formën e urdhëresave dhe është çelësi për të hyrë në parajsën e europianëve. Çdo vit raporti i ngjan një liste që konstaton problemet e Shqipërisë; mungon zbatimi i ligjit, mungon vullneti politik, demokracia nuk funksionon, administrata është e dobët, e kështu me radhë. Çdo vit mungon ndonjë analizë, qoftë edhe sipërfaqësore, se nga burojnë këto probleme, se si struktura jonë ekonomike prodhon problemet tona sociale dhe anasjelltas, apo se si politikat e ndjekura në kuadrin e integrimit mund të kenë pasur edhe ndonjë efekt negativ.

Çdo problem shqiptar reduktohet te mungesa e vullnetit politik. Gjithçka varet nga politikanët shqiptarë, të cilët, në fakt, të gjitha shpresat i kanë varur te BE-ja. Në epokën tonë globale, ku edhe qeveritë e vendeve të zhvilluara tashmë varen nga faktorë jashtë kontrollit të tyre, politikanët tanë e kanë gjithçka në dorë. Prandaj nuk ka nevojë për ndonjë vizion konkret zhvillimi, mjafton vullneti politik. Mjafton që politikanët tanë ta dëshirojnë dhe Shqipëria zhvillohet.  Mjafton të ndiqen me sy mbyllur rekomandimet e BE-së.

Në fakt, nuk është as detyrim dhe as punë e burokratëve europianë të na thonë se si duhet të zhvillohemi. Këta individë nuk kanë as aftësinë dhe as interesin për ta bërë diçka të tillë. Për këtë qëllim ne duhet të kemi një qeveri, mijëra të punësuar në administratën publike, me qindra specialistë dhe dhjetëra universitete, nga ku duhet të burojë një vizon zhvillimor për Shqipërinë. Të presësh nga një dorë eurokratësh që as zgjidhen dhe as paguhen nga ne të na tregojnë rrugën drejt së ardhmes, është një utopi që buron nga dëshpërimi i thellë te vetvetja dhe nga një besim fetar te BE-ja.

Ky është një besim që paralizon, mënjanon dhe injoron vetë potencialin dhe problematikën shqiptare duke i hedhur sytë vazhdimisht drejt Brukselit. Në thelb të progres-raportit dhe të diskutimit rreth tij është ideja bazë se Shqipëria nuk bëhet me shqiptarët. Disa ia hedhin fajin pozitës, disa opozitës, disa klasës politike dhe disa vetë popullit shqiptar në përgjithësi, që prodhon këtë klasë politike. Në kohën tonë globale problemet buruakan vetëm nga brenda dhe zgjidhjet vijnë vetëm nga jashtë.
Pikërisht për këtë arsye, progres-raporti dhe diskutimi rreth tij është shterp. Çdo diskutim mbi progres-raportin është në thelb një diskutim mbi pamundësinë e Shqipërisë për t’u zhvilluar. Është një diskutim për më shumë monitorim dhe disiplinim nga BE-ja. Është shprehja “ky vend s’bohet” e artikuluar ndryshe. Është dëshpërimi që na bën të dëgjojmë çdo ambasador të rastësishëm europian që përsërit të njëjtën konferencë shtypi, vit pas viti.

Teksa me dëshpërim konspektojmë progres-raportet si dikur fjalimet e xhaxhit Enver, harrojmë të diskutojmë mbi mbrojtjen e prodhimit dhe industrisë vendase. Harrojmë të diskutojmë mbi ringritjen e industrisë së minierave ku mund të punësoheshin me mijëra punëtorë. Harrojmë të diskutojmë për punëtorët që vdesin në galeri si pasojë e privatizimit të dështuar, edhe me firma europiane. Harrojmë të marrim në shqyrtim politikat tregtare që kemi përqafuar me zell përgjatë integrimit. Harrojmë të diskutojmë për hapjen e vendeve të punës dhe një sërë problemesh për të cilat kemi krijuar iluzionin dembel se do të na i zgjidh në mënyrë magjike integrimi në BE.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama