Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa shume sukses ne Japoni?!

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Nazarko
Sa shume sukses ne Japoni?!

Vizita e Kryeministrit Berisha në Japoni ishte padyshim një vizitë historike. Unike në llojin e vet, për shkak të madhësisë së vendit pritës, distancës gjeografike që na ndan, dhe plotësisë protokollare të vizitës. Ishte vizita e parë e një Kryeministri shqiptar dhe kushedi se kur një pasardhës tjetër i zotit Berisha do të mund të bëjë një vizitë zyrtare kaq të plotë: takimet me krerët më të lartë të shtetit niponik, përfshi perandorin, kryetarin e senatit, krerë bankash dhe agjencish më të rëndësishme shtetërore për ndihmë ndërkombëtare, etj. Delegacioni që shoqëronte Kryeministrin ishte i madh, tipik për një vizitë zyrtare: tre ministra, disa këshilltarë, etj., etj. Bash për unicitetin e saj, kjo vizitë meritonte komente të rëndësishme në shtyp që të tejkalonin zyrtarizimin e informacionit që e shoqëroi atë, një pjesë e mirë kumtuar prej vetë Kryeministrit në një konferencë shtypi të para dy ditëve. Dhe një koment serioz ndërkohë mund të shtrojë disa pyetje rreth çështjeve që mbeten pa ndriçuar.

Si vizitë me përmasa të tilla, kjo vizitë do të duhet të mendohet se është bërë me ftesë të mikpritësve. Domethënë të autoriteteve japoneze. Janë ata që janë kujdesur që vizita të ketë plotësinë që kishte në pikëpamje protokollare. Nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe dhe nëse do të ishte pala jonë që do ta kishte kërkuar, por vështirë se do të arrihej një vizitë kaq e plotë. Po ndërkaq, cila ishte arsyeja pse japonezët ftuan kreun e qeverisë sonë për këto takime? Dhe si mund të shfrytëzohej ky interes japonez?

Arsyeja duket se del nga një kronikë e "TV Klan" apo nga një korrespondencë e Fevziut botuar në "Koha Jonë", por jo dhe aq nga kronikat zyrtare. Shqipëria premtoi se do të jepte votën e saj për pranimin e Japonisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB! Me shumë gjasa jemi në kushtet e një diplomacie lobingu të njohur: për vendet e mëdha kandidate në raste si ky, vota e secilit prej anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka vlerë të njëjtë. Domethënë njëlloj peshon në Asamble vota amerikane, me atë shqiptare apo atë të Lihtenshtajnit. Duke u përpjekur për të mundur konkurrentët, ministritë e jashtme të vendeve kandidate realizojnë oferta të ndryshme për krerët e vendeve anëtare, që shkojnë nga ftesat për vizitë zyrtare të krerëve të shteteve te premtimet apo vetë ndihmat ekonomike. Të njëjtën gjë e bëri dhe Gjermania, ndërsa ftoi Nanon para pak kohësh në Bon, e ka tentuar Italia, zhgënjyer prej mashtrimit të Nanos dhe ambiguitetit të qeverisë së re të Berishës, shprehur nëpërmjet ministrit të Jashtëm të asaj kohe, Mustafaj. A ka ndonjë gjë të keqe këtu? Jo, në mënyrë absolute. Sigurisht shtrohet ndonjë pikëpyetje: ky premtim i votës së Japonisë, mos vallë bën të pakënaqur gjermanët dhe italianët? Reforma e Këshillit të Sigurimit nuk duket diçka shumë e afërt, dhe qarkullojnë disa versione. Por ama në momentin kur bëhet, ne do të duhet të mbajmë qëndrim. Nëse do të na duhet të vendosim midis Japonisë, Gjermanisë dhe Italisë, vallë kujt duhet t‘ia japim? A na lidh fjala e dhënë në Japoni?

Si u shfrytëzua vizita?

Vizita shënoi kontakte të shumta të Kryeministrit Berisha me qendra pushteti politik, financiar dhe të biznesit japonez, i cili asistohet nga shteti në forma të ndryshme, veçanërisht me garanci për investimet në zona të pasigurta të globit etj. Por ajo nuk shënoi ama nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje të veçantë bashkëpunimi midis dy vendeve. Për koincidencë, zoti Berisha u ftua të nënshkruante një marrëveshje për kredi të butë për sistemin e kanalizimit të ujërave të zeza të Tiranës. Në momentin e dhënë nuk kam informacione se kur u vendos kjo kredi dhe cila është pesha e kontakteve të drejtpërdrejta të bashkisë me organizmat donatore japoneze, por ama është e sigurt se në përzgjedhjen paraprake të këtij sektori si përftues të kredisë japoneze, me siguri ka luajtur rol ekzistenca e projektit serioz të bashkisë. Për koincidencë gjithashtu dhe Kuvajti, si vend donator, vendosi të financonte saktësisht një projekt të Bashkisë së Tiranës, për qendrën e kryeqytetit, kur kreu i këtij shteti të pasur vizitoi Shqipërinë. Nuk duhet të diskutohet ama se zoti Berisha do të donte që të financohej edhe ndonjë projekt tjetër i qeverisë, apo pse jo i ndonjë bashkie të fituar prej demokratëve.

Tirana nuk është vetëm e pushtetit lokal, ajo i përket gjithë Shqipërisë, por ama aftësitë projektuese të qeverive të majta dhe të djathta, asnjëherë nuk kanë qenë të ndritshme. Shqipëria humbi raste të jashtëzakonshme ndihme gjatë qeverisjes së socialistëve, ndërsa perëndimorët ofronin mbështetje të pakursyer nën impresionet e pamjeve të mrekullueshme të solidaritetit të qytetarëve tanë me kosovarët. Arsyeja? Mungesa e projekteve. Madje asokohe Kryeministri Bler, premtoi se do të dërgonte ekspertë dhe për të hartuar projekte! Ish-kreu i OKB-së, Gali, i thoshte Presidentit Meidani në 1999-ën, se duhet të shfrytëzoni këtë koniunkturë premtimesh për të marrë maksimumin prej bashkësisë ndërkombëtare, përndryshe, nesër do të humbni shumë kohë!.

Por a arriti Shqipëria e 2008 të paraqiste projekte në Japoni? Me siguri, por ama këtë mund dhe duhej ta kishte bërë edhe më parë. Në kontakte të nivelit më të ulët me donatorët japonezë që kanë dhënë deri më tani ndihmën më inteligjente se të tjerët, në traktorë për bujqësinë!. Nga sulmet frontale mbi kreun e organizatës përftuese të agrobiznesit Rrapaj, pjesë e një projekti japonez për bujqësinë, bashkë me kreun e saj duhet të jenë bezdisur dhe vetë donatorët, që kishin dhënë paratë e tyre, që e kishin ngrirë projektin. Më saktë, mund të kishte më shumë sens mase në këto sulme që të mos bezdiseshin donatorët, që ndoshta tani dhe mund ta kenë shkrirë atë. Mund të ishte punuar që më parë për të arritur një marrëveshje lehtësimi investimesh, etj., që vizita unikale e zotit Berisha të sillte dhe një sukses politik, siç mund të ishte marrëveshja.

Pa diskutim vizita pati dhe shumë përmasa të tjera serioze, siç ishte lobimi për Kosovën, por ama duhet të imagjinohet se vota japoneze për pavarësinë nuk vjen veçse prej vizitës së zotit Berisha. U organizuan takime me biznesin japonez, u hap një dritare e Shqipërisë në vendin e largët. Por të gjitha këto nuk shmangin pikëpyetjet për atë sesa shumë më e suksesshme mund të ish vizita e parë, e vetme, e një Kryeministri shqiptar në Japoni, ku shteti vërtet mbështet investimet e privatëve në vende të caktuara. A ishte kjo vizitë një rast i humbur? Jo, por ndoshta një rast jo i shfrytëzuar sa duhej.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama