Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ankth dhe shpresë nga e kaluara

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Ankth dhe shpresë nga e kaluara

1. Në hyrje të 99-vjetorit të pavarësisë, politika, ende me mosbesim e vickla, po hyn në normalitet. Kërcënimet mbi pezullimin e liberalizimit të vizave, për shkak të një numri azilkërkuesish, më së shumti abuzivë, u fashitën. Gjasat për një vlerësim pozitiv në dhjetor e më pas në mars nga Komisioni dhe Këshilli Europian janë rritur. Ndaj, janë rritur mundësitë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në vitin e ardhshëm të 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar.

2. Për ironi të fatit, kur ne na vijnë mendtë, Europës po i ikën mendja. Kriza amerikane që shpërtheu në 2008-n, goditi fuqishëm Europën. Ndërsa ekonomia amerikane, falë vitalitetit, ndali rënien dhe po ia del, ndonëse me vështirësi, të rimëkëmbet, ajo europiane po përballet me krizën e dytë, shkaktuar së brendshmi nga borxhi dhe deficiti i lartë në eurozonë. Pëshpërimat për Greqinë, Italinë, Spanjën, Portugalinë dhe vende të tjera në fillimin e vitit 2010 u vetëprovuan në 2011-n. Greqia u gjunjëzua. Italia gulçon. Europa pret një 2012-të të zymtë.

3. Shqipëria u përball me sukses me valën e parë të krizës. Efektet e saj u ndjenë të forta, me sfazim në kohë, mbi depozitat, eksportet, dërgesat e emigrantëve, importet, konsumin, të ardhurat fiskale, shpenzimet buxhetore, investimet publike, investimet private. Faktorët ekonomikë u rimëkëmben dora-dorës, pas kalimit të valës së parë goditëse me origjinë amerikane. Ekonomia shqiptare, përjashtuar tremujorin e fundit të 2009-s në të cilin ajo ra me -0.6%, vazhdoi të rritet me 2% në fillim të 2010-s dhe 5.6% në fund të këtij viti. Ndërsa po kthehej tendenca rritëse, filluan efektet e valës së dytë goditëse me origjinë nga disa epiqendra të eurozonës. Dy prej tyre, fqinjët tanë: Greqia dhe Italia.

4. Perspektiva e zymtë e eurozonës ul pritshmërinë për ekonominë shqiptare në vitin e ardhshëm. Në këto rrethana, nëse ekonomia do të rritet qoftë edhe paksa mbi zero, do të ishte një përfitim i jashtëzakonshëm për ne shqiptarët, relativisht të tjerëve. Shumëçka, për të mos thënë gjithçka, varet nga ngjarjet ekonomike në eurozonë. Sado që rritja e ekonomisë shqiptare të jetë disa pikë mbi atë europiane, sa më e madhe rënia e saj, aq më poshtë do ta tërheqë ekonominë tonë. Nëse është e thënë të ndodhë, le të ndodhë. Forcë madhore. Njësoj si tërmetet a vullkanet. Europës s’kemi ç’t’i bëjmë. Gjëja e vetme që kemi në dorë, është të ruajmë mendjen. Politika veçanërisht, tani që sapo i kanë ardhur ca.

5. Kërkesa është në radhë të parë për qeverinë. Zot na ruaj nga lajthitja qeveritare! Projektbuxheti 2012 tregon maturi. Projeksion më realist i të ardhurave. Deficit në nivelin 3% të prodhimit të brendshëm bruto. Niveli i stokut të borxhit nuk kalon 60% të këtij prodhimi. Të ardhurat tejkalojnë shpenzimet korrente, përfshirë shpenzimet për interesat e borxhit, duke lenë mundësi për investime publike dhe fond rezervë për ditë të zezë. Borxhi neto i ri financon deficitin dhe destinohet vetëm për investime të tjera shtesë.

6. Qeveria mund të kish qenë edhe më konservatore. Viti 2012 mund të jetë më i dobët nga parashikimi i saj. Por edhe pesimizmi i tepruar është i dëmshëm. Pesimizmi në ekonomi ka prirje të vetërealizohet. Më mirë një skenar i mesëm. Përgjatë vitit fiskal 2012 nevojitet një verifikim tepër i kujdesshëm e i përditshëm i të hyrave e të dalave. Disiplinë fiskale e fortë dhe jo arbitrare ndaj bizneseve. Verifikim i dobisë së çdo shpenzimi, veçanërisht shpenzimeve që kryhen nga shumë agjenci shtetërore periferike, disi larg vëmendjes së përditshme të qeverisë e publikut. Nga vrimat e vogla por të shumta të shtetit rrjedh para e shkon dëm.

7. Diskutimet për projektbuxhetin, ndonëse tashmë me një opozitë normale, aktive në Kuvend, ishin tejet të polarizuara. Në thelbin e këndvështrimit opozitar, sipas diskutimeve të saj në Kuvend, Shqipëria është po aq keq, në mos më keq, se Greqia. Problemin e kemi të brendshëm. S’ka faj Europa. Qeveria gënjen me shifrat. Banka e Shqipërisë gënjen. INSTAT gënjen. Gënjehen institucionet ndërkombëtare. FMN u përzu. Borxhi është shpërthyes. Bankat janë në ditë të hallit. Biznesi po falimenton. Shqiptarët të varfëruar. Ca më shumë të dëshpëruar. Të revoltuar me qeverinë. Prapë, Saliu i ka të gjitha fajet. Si në 97-n.

8. Në konflikt e në normalitet, jo vetëm nga politika por edhe faktorët pranë e rreth saj, vështrimi për të sotmen bazohet në huazimin e deformuar të së shkuarës. Banka kryesore e memories është viti i famshëm 1997. Rrënimi ‘97 ishte produkt i marrëzisë kolektive, babëzisë për fitime në kohë të shkurtër e pa punë. Ai ishte edhe produkt i tolerancës qeveritare, nën darën e dy palë zgjedhjeve, të parat të manipuluara dhunshëm e të dytat që duhej të vërtetonin rezultatin e të parave. Ai ishte produkt edhe i dëshpërimit opozitar dhe i medies së komprometuar nga fondet a fondacionet mashtruese. Rrënimi i tyre, shpresa e vetme për të rrezuar regjimin e Saliut e për të ardhur në pushtet. Ndodhi. U rrënua Shqipëria. Të gjithë protagonistët janë fort mirë me shëndet sot e kësaj dite.

9. Për dreq, opozita ka veç një eksperiencë pararendëse të ardhjes në pushtet. Vitin rrënues 97-të. Për fat, demokratët kanë dy eksperienca të mira. Vitin 1992 dhe 2005. Këtyre u referohen shpesh. Kur duan të ngjallin shpresë të lartë, thonë se fitorja do të jetë apo është si ajo e 1992-shit. Por kur ulen me këmbë në tokë, thonë se mjafton edhe e vogël. Bizhu! Edhe demokratët, për dreq, kanë veç një eksperiencë për përmbysjen nga pushteti, atë të dhunshmen 97-të. Por, për fat, socialistët kanë eksperiencë të lënies së paqme të pushtetit në 1992-shin dhe 2005-n. Asimetri e plotë në raport me ardhjen/rënien nga pushteti. E përbashkët është vetëm që as demokratët në opozitë e as socialistët në opozitë nuk kanë njohur humbjen.

10. Viti ‘97-të mbetet referenca dominante e gjykimit, sjelljes dhe shpresës opozitare për pushtet. Ngjashmëri totale me 97-n gjatë dyvjeçarit ekstremist opozitar për ekonominë, regjimin, borxhin dhe popullin e revoltuar që do tejkalojë opozitën. Lexo të paktën deklaratën për shtyp – fjalim frymëzues për dhunë – të kryetarit socialist në www.ps.al datë 18.1.2011. Vazhdon ngjashmëria me ‘97-n edhe gjatë këtyre muajve të fundit të opozitës në normalizim. Kriza, vetëm me origjinë shqiptare, shtruar këmbëkryq. Lexo të paktën fjalën para Grupit Parlamentar të kryetarit socialist në www.ps.al, datë 22.11.2011. Mungon ftesa për dhunë. Vetëm kjo. Të tjerat njësoj.

11. Rruga e dhunshme ka marrë fund përgjithmonë. Shqiptarët zunë mend nga ’97-ta. Bizneset. Bankat. Shteti. Më në fund edhe opozita. Pushteti as merret me dhunë, as mbahet me dhunë, as nuk i dorëzohet më dhunës. Mrekulli ekonomike nuk ka. Para pa punë nuk ka. Punë pa biznes nuk ka. Biznes pa shtet nuk ka. Shtet pa taksa nuk ka. Dhe ca borxh gjithashtu. Në Greqi, shteti nuk iu dorëzua dhunës, por borxhit. Ndaj, borxh me karar. Të shqetësohesh për borxhin, veçanërisht në këto kohë, është e arsyeshme. Të alarmohesh për të, është e tepërt. Ta njësosh atë me ‘97-n, është marrëzi për këdo që e beson sinqerisht. Poshtërsi për këdo që manipulon me vetëdije. Qesharake po aq. Duket sikur e dëshiron rrënimin me gjithsej, veç Saliu të ikë! I pashpresë!

12. Më shumë se gjysma e borxhit publik është i brendshëm, ndaj bankave, d.m.th. depozitave tona, apo drejtpërdrejt bizneseve dhe individëve. I këtillë, ai është i manovrueshëm. Më pak se gjysma është borxh i huaj. Pjesa dërmuese e tij është borxh ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare apo shteteve partnere. Kreditë e buta që kemi marrë 10 a 15 vite më parë, i dhanë frytet. Tani u ka filluar koha për kthim pjesë-pjesë. Askush nga këta kredidhënës nuk ka interes a nevojë të na shtrëngojë lakun në ditë të vështirë. Vetëm rreth 15% e borxhit të huaj është ndaj subjekteve private. Shumë pak për të përbërë një risk të ngjashëm me atë të Greqisë. Ndaj, s’ka alarm. Veç kujdes! Dhe lutje që Europa ta kalojë sa më lehtë e sa më shpejt valën e dytë të krizës. Nëse në ekstrem, larg qoftë, Bashkimi Europian dhe euro shpërbëhen?! Durim! Perandoritë, që nga ajo romake e deri tek ajo komuniste u rrënuan. Ne mbijetuam. Sërish do mbijetojmë. Vitin tjetër, 100-vjetorin e Shtetit Shqiptar do ta festojmë me patjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama