Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Paqeftues dhe luftënxitës

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Paqeftues dhe luftënxitës

1. Në dy muajt e kësaj vjeshte politika njohu një intensitet ngjarjesh, një larmi temash dhe përfshirje njerëzish në diskutimin e tyre, pro a kundër, shumë më tepër krahasuar edhe me periudha disa herë më të gjata në kohën e konfliktit dyvjeçar politik, kohë kur dominoi rropatja pas kutive.  Po diskutohen, ndonëse me pasione populiste dhe/ose pikëpamje ekstreme, çështje mjedisore, fiskale, arsimore, shëndetësore, kulturore, gjuhësore, patriotike, korruptive, kriminalistike. Kjo është vetia e artë e paqes që zgjeron frymëmarrjen dhe shumëfishon ngjyrat. Edhe kaq e paktë e kaq e brishtë, si një dalldisje pas lufte, fryma e së cilës ende vazhdon, paqja po prodhon të mira publike.

2. Paqja, kuptuar si gjendja mbi minimumin kritik të normalitetit politik, po vjen me vështirësi. Lufta, kuptuar si gjendja e tensionuar ekstrainstitucionale, ushqehet sa nga e shkuara, aq edhe nga interesat e segmenteve që mendojnë se ajo i krijon avantazhe konkurruese. Paqja gëzon mbështetje të gjerë, por mbështetësit, si çdo shumicë e heshtur, janë shumë më pak të organizuar. Lufta ka mbështetje të ngushtë, por të interesuarit janë më të organizuar, më aktivë dhe më demagogë. Këta vazhdojnë stilin e luftës edhe në kohë paqeje. Ekstremizimi i debatit mbi çështjet me interes publik është shprehje e inercisë të frymës së luftës.

3. Dinamika politike mund të analizohet në dy dimensione: I) maxhorancë kundrejt opozitë; II) paqeftues kundrejt luftënxitës. Në të dyja kampet e politikës ka paqeftues dhe luftënxitës e mes këtyre ka gjithnjë një masë amorfe që mendon si paqeftuesit, por duartroket luftënxitësit. Në krye të kampeve qëndrojnë liderët. Të dy me eksperiencë të mjaftueshme për të marrë vendime politike e për të drejtuar, sipas momentit, të tria kategoritë e mbështetësve: paqeftuesit, luftënxitësit dhe amorfët. Qëllimi mbetet i njëjtë, sipas rastit, marrja apo ruajtja e pushtetit. Ç’po ndodh e ç’do të ndodhë së shpejti e në vazhdim? Pyetje kjo që e bën shumëkush.

4. Analizën e zhvillimeve do ta mbështes në modelin e kushteve të sjelljes së secilës palë politike në shërbim të paqes. Sa për kujtesë: PESË JO-të për opozitën: i) jo dhunë; ii) jo bojkot; iii) jo destruktivitet, as obstruktivitet; iv) jo epitete për regjime fashiste, mafioze a familjare e të tjera kësisoj; v) jo mosnjohje të humbjes elektorale; PESË JO-të për maxhorancën: i) jo provokim; ii) jo padurim; iii) jo mosbesim; iv) jo destruktivitet, as obstruktivitet; v) jo epitete për opozitë mafioze, të shthurur e të tjera kësisoj. Paqja arrihet kur të dyja palët plotësojnë të gjitha kushtet. Ajo prishet sapo njëra të shkelë njërin prej tyre, shkelje që sjell reagimin mbrapsht të tjetrës e kështu me rrallë deri në rikthimin në gjendjen fillestare të luftës.

5. Opozita ka lënë pas dhunën dhe bojkotin. Impenjimi i saj në institucione është thuajse i plotë. Ndonjë bojkot mendjelehtë në Këshillin Bashkiak Tiranë nuk e prish këtë progres. Opozita nuk heq dorë nga teza e vjedhjes së zgjedhjeve. Formalisht ndoshta s’ka për të hequr dorë ndonjëherë. Ajo është investuar kaq shumë në këtë tezë, pjesërisht e vetëbeson gënjeshtrën e vetëkrijuar, sa tërheqja formale është bërë e pamundur. Por sjelljet e saj të fundit, idetë që qarkullojnë për zgjerimin e aleancave dhe mbylljen e çarjeve, tregojnë se ka kuptuar, qoftë edhe minimalisht, arsyet thelbësore të humbjes në 2009-n e të ripërsëritjes së rezultatit proporcional në 2011-n. Kaq mjafton për plotësimin e këtij kushti për momentin.

6. Opozita po voton në Kuvend. Në ndonjë rast edhe me votë pro ndonjë ligji a marrëveshjeje. Pakti me dhjetë pika i liderit Rama përmbante disa propozime me vlerë. Këtu veçoj pikën shtatë për bashkëprodhimin e ligjeve me 3/5-tat nën drejtimin e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit apo çështja e theksuar e pikës tetë lidhur me ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet. Ndërkaq, kanë nisur kontaktet për reformën zgjedhore dhe pritet të fillojë puna për përmirësimin e rregullave të funksionimit të Kuvendit. Këto janë shenja për një prirje distancimi opozitar nga destruktiviteti dhe obstruktiviteti e si të këtilla duhen mbështetur, ndonëse me kundërshti dhe luhatje edhe brenda pak ditëve.

7. Maxhoranca nuk ka kryer ndonjë akt provokimi ndaj opozitës. Ajo ka shfaqur një farë durimi ca më të madh ndaj ngacmimeve e luhatjeve inerciale opozitare të dy muajve të fundit dhe e kupton që kthesa opozitare, nëse do ndodhë, kërkon kohë. Që kthesat s’merren shpejt, maxhoranca e kupton nga eksperienca e saj e shkuar opozitare. Por maxhoranca mbetet mosbesuese, për arsye të qenësishme, ndaj vetë kthesës opozitare. Maxhoranca nuk zgjodhi besimin për vërtetësinë e kthesës opozitare si pikënisje deri në provën e kundërt se kjo kthesë është e gënjeshtër. Maxhoranca ka zgjedhur mosbesimin deri në provë bindëse për të kundërtën, por pa humbur shpresën tek kthesa, ndaj vëzhgon me kujdes çdo hap, para a prapa, të opozitës.

8. Ndaj, paktit “Rama” me 10 pika maxhoranca i ktheu përgjigje minimale. Dakordësi vetëm me nisjen e punës për Rregulloren e Kuvendit, pa prekur votimin e hapur, si dhe nisjen e punës për Kodin Zgjedhor, duke shtyrë për një tjetër moment çështjet e sistemit zgjedhor. Këto dy kërkesa, si dhe ajo për emërimin e Avokatit të Popullit, ishin ofruar edhe më parë nga maxhoranca. Asgjë e re deri këtu nga kampi maxhoritar. Pikës 7 të paktit të liderit Rama, Kryeministri Berisha iu përgjigj se “ligjet iniciohen nga qeveria”, ndërsa pikës 8 iu përgjigj se “reduktimi i imunitetit s’kërkon ndryshime kushtetuese”. Një JO kjo fillestare për këto dy pika në pritje të kundërreagimit opozitar.

9. Në ditët e fundit opozita ka avancuar më tej, pozitivisht, lidhur me pikat 1, 2, 3, 7 dhe 8 të paktit “Rama”, duke iu afruar pikëpamjes maxhoritare. “Sistemi zgjedhor nuk është kusht për fillimin e punës për reformën zgjedhore”, deklaroi z. Gjiknuri. Në konsultimin publik për reformën e Drejtësisë dy ditë më parë çështja e ligjeve me 3/5-tat dhe ajo e imunitetit sikur u veçuan nga pikat e tjera problematike të paktit “Rama”, përfshirë kërkesat për ndryshime të tjera kushtetuese që do të zhbënin ato që u miratuan bashkërisht në prill 2008. Lidhur me këto të fundit opozita i rikthehet deklarimit të fundverës së vetë liderit Rama.

10. Këto hapa më të fundit konvergues opozitarë, ndonëse edhe këto me kundërshti e luhatje, si p.sh. vlerësimet mbi Gjykatën Administrative, kërkojnë hapa po aq konvergues nga maxhoranca në të gjitha frontet e përbashkëta të punës. Në veçanti, është momenti për një kuptim progresist të përcaktimit kushtetues të miratimit të disa ligjeve specifike me të paktën 84 vota. Mesazhi kushtetues mund dhe duhet lexuar me gjerësinë maksimale, si mesazh për një bashkëprodukt bipartizan. Ndaj, në çdo fazë të procesit: analiza e nevojave; peshimi i opsioneve e deri tek përmbajtja e ligjit; duhet punuar bashkërisht. Komisioni i Ligjeve është organizmi më i përshtatshëm për këtë qëllim.

11. Një pjesë e mirë e paketës ligjore është gati, përgatitur me mbështetje europiane dhe ekspertizë të cilësisë së lartë. Dje, në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, maxhoranca riofroi rishikimin në themel, në komisionet e Kuvendit, të të gjitha këtyre ligjeve, por nuk mori një përgjigje nga opozita, sjellje kjo që flet për hezitimet dhe paqëndrueshmërinë opozitare. Nëse oferta do të pranohej dhe do të niste puna e përbashkët rishikuese e paketës në fjalë, puna për ligjet e tjera të pafilluara mund dhe duhet të nisë sipas modelit të ri bipartizan me një garanci të lartë për konsensus në finish. Në këtë mënyrë do të mund të adresoheshin çështje të rëndësishme të zhvillimit të vendit dhe integrimit europian të tij.

12. Nëse e gjitha është veç një lojë, asgjë s’humbasim që nuk e kemi humbur deri tani. Rikthehemi te “ngërçi konfliktual politik” me të gjitha pasojat e tij. Faji përsëri i përbashkët dhe i pandashëm. Rikthimi në ngërç është lehtësisht i arritshëm. Opozita ende s’ka hequr dorë nga epitetet e rënda për maxhorancën, ndonëse e ka zbutur disi aciditetin e tyre këto ditët e fundit. Maxhoranca, pas një farë pauze, u është kthyer, ndonëse pa zellin e dikurshëm, epiteteve të vjetra për opozitën. Të dyja palët vazhdojnë t’i kenë këmbët në baltën e llogoreve të luftës, ndonëse po zgjaten të kapin degën e ullirit aty pranë. Gjërat do të varen ndjeshëm nga sa e si do angazhohen paqeftuesit në raport me luftënxitësit. Amorfët shkojnë nga anon balanca. Duhet nxitur ajo pjesë e mirë e unit të liderëve. Na pëlqen apo jo, këta vendosin, në instancë të fundit, për luftën apo paqen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama