“Sot shpërndanë tollona karburanti tek fermerët”- PD kallëzim penal në prokurori, ja cili zyrtar akuzohet

24 prill 2021

Partia Demokratike e Vlorës ka kallëzuar penalisht përgjegjësin e sektorit të drejtorisë Rajonale të Extensionit Bujqësor, Fejzi Nezha.

Mësohet se PD e akuzon Nezhën se sot, në ditën e heshtjes zgjedhore, “kanë shpërndarë tollona karburanti tek fermerët”.

Njoftim për mediat!

Partia Demokratike dega Vlorë ka dorëzuar pranë organit të Prokurorisë së shkallës së parë të rrethit gjyqësor Vlorë kallezimin penal drejtuar Agjencisë Rajonale të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve, konkretisht për përgjegjësin e sektorit të drejtorisë Rajonale të Extensionit Bujqësor, Fejzi Nezha.

Kallëzimi ka ardhur pasi sipas Partisë Demokratike, ky i fundit ditën e sotme ( 24 prill 2021, heshtje zgjedhore) ka kryer veprën penale të Shpërdorimit “Korrupsion aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328\a.

Nezha, si drejtues i sektorit dhe punonjës të tjerë të Agjensise Rajonale të Bujqësisë, ditën e sotme kanë shpërndarë tollona karburanti tek fermerët.

Partia Demokratike e Vlorës e ka shoqëruar kallëzimin në Prokurori me fakte, pamje filmike të cilat vërtetojnë pretendimin.

Gazeta Panorama