1 Dhjetor 2025

Nga Alba Kepi

Nën mermerin e bardhë dhe arkitekturën madhështore të Sagrestia Nuova, në kompleksin e Bazilikës së San Lorenzos në Firence, fshihet një nga hapësirat më të jashtëzakonshme të historisë së artit: dhoma sekrete e Michelangelos. E harruar për më shumë se katër shekuj dhe e zbuluar rastësisht në vitin 1975 nga drejtori i atëhershëm i muzeut, Paolo Dal Poggetto, kjo dhomë e vogël e nëndheshme mbart një histori që bashkon politikën, artin dhe dramën e një gjeniu në arrati.

Një qytet në krizë dhe një artist në rrezik

Në fillim të shekullit XVI, Firence ishte e përfshirë në turbullira të mëdha politike. Rrëzimi i Dinastës së Mediceve në vitin 1527 solli ringjalljen e Republikës Florentine, të cilën Michelangelo e mbështeti hapur. Ai u emërua Kryeinxhinier i Mbrojtjes së qytetit, duke organizuar fortifikimet kundër forcave të Papa Klementit VII, një Medici që kërkonte rikthimin e pushtetit me çdo kusht.

Kur Medicet triumfuan sërish në vitin 1530, përkrahja e Michelangelos ndaj republikës u konsiderua tradhti. Emri i tij u fut në listën e personave të ndëshkueshëm dhe dënimi dukej i pashmangshëm. Për t’i shpëtuar hakmarrjes, ai u zhduk nga skena publike dhe gjeti strehë pikërisht nën ndërtesën ku kishte kaluar vite duke punuar: Sagrestia Nuova.

Dhoma ku u fsheh artisti është një hapësirë e thjeshtë, rreth 10 metra e gjatë dhe 3 metra e gjerë, me tavan të ulët dhe pa dritare. Ajo ndodhet nën dyshemenë e muzeut, e aksesueshme dikur vetëm përmes një hyrjeje të maskuar pas një dollapi druri.

Këtu, Michelangelo kaloi rreth dy muaj në ankth me pak ushqim, gjumë në dysheme dhe heshtje absolute. E vetmja dritë vinte nga çarje të vogla në mur, mjaftueshëm për t’i lejuar atij të shihte një pjesë të hapësirës.

Dhoma e Fshehte e Mikelangjelos

Megjithatë, edhe në izolimin e plotë, shpirtit të tij artistik nuk pushoi së punuaru. Ai mori karbon, një copë gips dhe filloi të vizatonte. Muret e dhomës u kthyen në një fletore ku hodhi ide, studime anatomike dhe fragmente kompozicionesh.

Vizatimet e ruajtura në dhomë janë të shumëllojshme dhe mbartin menjëherë stilin e Michelangelos. Ato përfshijnë, Studime anatomike me muskuj të tendosur, tipike të mënyrës së tij të punës, Skica për figurat alegorike që ai krijoi në Sagrestia Nuova Agimi, Mbrëmja, Dita dhe Nata, Buste, profile dhe kompozicione të papërfunduara, që japin ndjenjën e një mendjeje të trazuar, por të pandalshme, Figura të Krishtit, portrete të shpejta dhe forma që gërshetojnë spontanitetin me mjeshtërinë.

Në tavanin e saj gjurmët e një dore joshin cdo turist e historian arti të mendojë se janë të mjeshtrit të madh.

Veçantia e këtij vendi është se deri një gjysëm shekulli më parë përdorej si vend depozite qymyri e motivi pse skicat e Michelangelos janë ruajtur pa u dëmtuar, sipas ekspertëve të artit “shtresa e gipsit me të cilat ishin veshur muret, ksihin bërë që të ishin trasnparentë e mbrojtës ndaj kohës”.

Sagrestia Nuova

Dhoma e fshehur gjendet pikërisht poshtë një prej kryeveprave arkitekturore dhe skulpturore të Michelangelos: Sagrestia Nuova, mauzoleumi i Mediceve. Aty gjenden disa prej skulpturave më të rëndësishme të tij, të cilat lidhen drejtpërdrejt me studimet që la në muret e dhomës.

Monumenti i Giuliano de’ Medici

Figurë autoritare, e paraqitur si komandant. Skulpturat alegorike në anët e tij Dita dhe Nata, simbolizojnë ritmin e pambarimtë të kohës.

Monumenti i Lorenzo de’ Medici

I njohur si “Il Pensieroso” (Mendimtari), Lorenzo paraqitet i zhytur në mendim. Përballë tij ndodhen Agimi dhe Mbrëmja, dy figura që mishërojnë luftën mes dritës dhe errësirës.

Madonna Medici

Një vepër e qetë dhe e përmbajtur, ku Maria mban Krishtin e vogël. Përkrah tyre ndodhen dy shenjtorë, Kozma dhe Damian, të realizuar nga nxënësit e Michelangelos sipas projektit të tij.

Dhoma e Fshehte e Mikelangjelos

Këto skulptura, të cilat qëndrojnë vetëm disa metra mbi kokën e tij, ishin frymëzimi dhe kujtimi më i fortë i misionit artistik të Michelangelos gjatë kohës kur ai fshihej nën tokë.

Për shkak të brishtësisë së vizatimeve, dhoma sekrete mund të vizitohet vetëm me rregulla strikte: grupi maksimal është 4 persona, hyrja lejohet për vetëm 15 minuta, vetëm 100 vizitorë në javë kanë akses. bileta kushton 20 euro, përveç hyrjes në muze dhe tarifave të rezervimit, nuk lejohen fëmijët nën 10 vjeç dhe as personat me lëvizshmëri të kufizuar.

Dhoma sekrete e Michelangelos nuk është thjesht një hapësirë muzeale. Ajo është një kapitull simbol i historisë së gjeopolitikës e artit, një vend ku gjeniu, frika dhe krijimtaria u bashkuan në një nga momentet më të trazuara të Firences.