Çardaku në banesën beratase. –

Nga: Latif LAZIMI

Çardaku në banesën beratase, Zhvillimi i çardakut dhe banesës. Tri zgjidhjet e këtij zhvillimi: 1) Banesa me çardak në gjithë ballin. 2) Banesa me çardak në një krah.3) Banesa me çardak në qendër. Madhësia dhe përdorimi i çardakut.

Shtrirja dhe karakteristikat kryesore të banesave me dy kate dhe çardak në Berat. Ato i gjejmë të vendosura në të gjitha lagjet e qytetit. Në katin e parë ndodhen katonjtë dhe hajati, me të cilin komunikojnë. Në katin e dytë, që është dhe kati i banimit, kemi çardakun dhe ambientet përreth tij. Ai ndodhet gjithmonë mbi hajat dhe ka të njëjtin konfiguracion dhe sipërfaqe me të. Ndërlidhja ndërmjet dy kateve realizohet me anë të shkallëve të cilat dalin në çardak e që mund të jenë të njëanëshme ose të dyanëshme.


Krahas proçeseve të punës çardaku mori dhe karakterin e ambjentit shoqëror. Gjatë stinëve të ngrohta jeta e përditshme familjare shpërngulej këtu. Ai kryente edhe funksionin e disa ambienteve të tjera të banesës: përdorej si vënd shlodhje dhe soditje, duke dhënë mundësi për një komunikim më të madh me natyrën. Përmasat e mëdha, lehtësia në qarkullim dhe komunikim e bënte çardakun një ambjent të përshtatshëm edhe në raste festimesh familjare.