BIRN: – Rama shton presionin publik ndaj Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”

1 Dhjetor 2025
Një kolegj prej 3 gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet të martën për të marrë në shqyrtim kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv. kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.
Kryeministri pretendon se me vemdimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër dhe prej dy ditësh ka rritur presionin publik ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar një vendimmarrje në favor të tij.
“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin dhe me vetë jetën politike do krijonte precedent unikal, të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit nëpërmjet procesve penale, do ndodhte diçka që është e panjohur në Europë,” tha Rama të hënën gjatë një video-mesazhi.
Rama e ka justifikuar ankimin në Kushtetuese si një betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe mbrojtjen e kompetencave kryeministrore. Ai nuk ceku në asnjë moment akuzat me të cilat përballet zëvendësja e tij dhe as arsyet se pse nuk i kërkoi dorëheqjen nga detyra që të përballet me drejtësinë e zhveshur nga pushteti ekzekutiv.
Të njëjtin mesazh ai përcolli edhe të dielën, duke pretenduar se argumentet e tij po i mbështeste në opinione të Komisionit të Venecias apo qëndrime të Gjykatës Europiane të Strasburgut.
Kryeministria nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për referencat e akteve juridike të “Venecias’ ku ishte bazuar kryeministri në mbrojtjen e tij, por opozita pretendoi të hënën se jo vetëm nuk ekzistonte asnjë akt i tillë, por se kundërta ishte e vërtetë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një dalje për mediat të hënën sfidoi kryeministrin që të publikonte aktet ku e bazon mbrojtjen e tij, ndërsa shprehu urimin që Gjykata Kushtetuese “të mos bjerë viktimë e presioneve të gjithanshme mafioze”.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, në një reagim publik iu referua dy opinioneve të Komisionit të Venecias që trajtonin çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërore dhe për pezullimin e tyre që hidhin poshtë pretendimet e Kryeministrit.
Në një opinion të vitit 2020 për Republikën e Kosovës lidhur me pezullimin e zyrtarëve publikë, sipas Bardhit, thuhet se “Komisioni e quan pezullimin një masë të ligjshme, efektive dhe të mbështetur nga standardet ndërkombëtare, sidomos në luftën kundër korrupsionit”.
“Komisioni thekson se kjo masë mbështetet nga UNCAC (Konventa e OKB-së kundër Korrupsionit), e cila rekomandon që zyrtarët nën hetim mund të ‘pezullohen ose shkarkohen duke pasur parasysh edhe prezumimin e pafajësisë’”- shkruan më tej Bardhi duke akuzuar kryeministrin si gënjeshtar.
Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën.
Ajo u mor e pandehur disa javë më parë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera pasi akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar.
Ajo është gjithashtu zyrtarja më e lartë që përballet aktualisht me akuza penale nga SPAK, pas një serie bashkëpunëtorësh të ngushtë të kryeministrit që kanë humbur postet e tyre për shkak të hetimeve, përfshirë Arben Ahmetajn, ish-zv.kryeministër; Erion Veliajn, kryebashkiak i Tiranës; Ilir Beqajn, ish-ministër i Shëndetësisë; dhe më herët Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm.
