e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Zvicra, me 6 shqiptare ne 'Brazil 2014'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zvicra, me 6 shqiptare ne 'Brazil 2014'

Mesfushori shqiptar, Pajtim Kasami, mendon se ka shumë gjasa që të jetë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës në Kampionatin Botëror “Brazili 2014″. Por, për të arritur ta bindë trajnerin e Zvicrës, Otmar Hitzfeld, Kasami, 21-vjeçar, thotë se duhet të bëjë paraqitje të mira te skuadra e tij, Fulhem, shkruan “Koha Ditore”.

Kapiteni i ekipit Shpresa (U-21) të Zvicrës, në një intervistë për “Kohën Ditore” ka thënë se dëshiron që në botëror të shkojë së bashku me futbollistët e tjerë shqiptarë që janë pjesë gati e pandashme e ekipit “helvetik”: Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Admir Mehmedi.

“Unë jam kapiten i ekipit U-21 të Zvicrës. Kam bërë 26 ndeshje për këtë grupmoshë. Unë kam pasur një bisedë me trajnerin Otmar Hitzfeld para se të nisin pushimet. Ai është i kënaqur me mua. Dhe, në bisedën që pata me të, gjasat për të qenë në Botërorin `Brazili 2014′ janë shumë të mira, normale nëse luaj edicionin e ri vazhdimisht. Kjo është e rëndësishme”, ka thënë Kasami.

Mesfushori nga Struga ka shënuar tri gola për ekipin Shpresa të Zvicrës. Ai ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Zvicrës, madje me atë U17 ka dalë edhe kampion i Botës. Por, tani kur i është afruar ekipit të të mëdhenjve, gjërat kanë ngecur paksa.

Kasami i është rikthyer Fulhemit para pak ditësh dhe me të ka nisur tashmë përgatitjet për sezonin e ri në Premier League. Në gjashtë muajt e fundit ishte i huazuar te Luzerni në Zvicër për të gjetur formën. Këtë formë dëshiron ta vazhdojë edhe në Premier League.

“Në Luzern luaja çdo ndeshje dhe rrita formën. Unë jam lojtar që sa më shumë që luaj, aq më i fortë bëhem në pozicionin e mesfushorit qendror. Është një pozicion shumë special. Unë jam vetëm 21-vjeçar dhe tani duhet të punoj shumë dhe të luaj më shumë që të bëhem mesfushor më i mirë”, ka thënë Kasami. “Unë pres hapësirë më të madhe dhe do të përqendrohem maksimalisht në përgatitjet për të fituar te Fulhem hapësirën e duhur. Shpresoj që përgatitjet të më shkojnë sa më mirë, sepse qëllimi im është të luaj më shumë edicionin e ardhshëm”, shprehet ai.

Kasami me Fulhemin ka kontratë deri në qershor të vitit 2015. Më herët ka luajtur edhe për skuadrën e Palermos në Serie A, nga ku më 2011 kaloi në Angli. Kasami ka synime të mëdha te Fulhemi. Ai dëshiron të bëhet lojtari më i mirë i mesfushës së ekipit anglez.

“Kam biseduar me trajnerin dhe ka besim tek unë, pasi me propozimin e tij kam ardhur nga Palermo te Fulhemi. Premier League është kampionati më i fortë në botë dhe kur je i ri duhet të punosh më shumë”, ka thënë Kasami.

Ai ka treguar se gjatë janarit ishte shumë afër të firmos kontratë me Milanin. Por, nuk është pishman që ka ngelur te Fulhemi.

Ai do të donte që Zvicrës t’i bashkohej qysh në tetor, kur do të luajë ndeshje kualifikuese kundër Shqipërisë në Tiranë. Por, kjo është goxha e vështirë, pasi nuk ka deri atëherë ndeshje për t’u dëshmuar.

“Jam krenar që jam shqiptar i Maqedonisë, nga Struga. Me shokun tim Blerim Xhemaili kam qenë në Tiranë dhe më është dukur një vend shumë i bukur”, ka theksuar Kasami.

Zvicra ende nuk e ka siguruar kualifikimin në Botëror, por është e para në grup me katër pikë më shumë se vendi i dytë, Shqipëria.