e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Turi i Frances, Kristofer From nuk duron me: Armstrong mashtroi, une jo!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Turi i Frances, Kristofer From nuk duron me: Armstrong mashtroi, une jo!

Fitorja historike e Kristofer From në Mont Vento, me një shkëputje spektakolare në etapën e 15 të Turit të Francës, ka bërë që shumëkush të shohë me dyshim paraqitjet e britanikut. Fakti që ai ka përshkuar ngjitjen e malit vetëm 2 sekonda më ngadalë se rekordi i Lens Armstrong gjatë viteve kur amerikani përdorte doping, bëri që dyshimet mes fansave të ishin më se të ligjshme. Këtë trysni e ka ndier edhe From i cili ka reaguar mjaft ashpër ndaj pyetjeve të vazhdueshme që i bëheshin nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp.

“Mendoj se është shumë e trishtueshme që ulemi këtu, një ditë pas fitores më të madhe të jetës sime, një fitore historike, duke folur rreth dopingut. Unë dhe shokët e mi të skuadrës kemi qëndruar për muaj me radhë larg shtëpive tona duke u stërvitur bashkë dhe duke u bërë copë për të mbërritur këtu, ndërsa tani akuzohem se jam mashtrues dhe gënjeshtar”, shpërtheu From para gazetarëve. “Lens mashtroi. Unë nuk po mashtroj. Me kaq i jap fund kësaj historie”, tha ai, duke i lënë vendin shefit të skuadrës së tij, Deiv Brailsford, i cili iu përgjigj mediave me tone po aq kritike.

“Si mund t’ua provojmë se nuk po mashtrojmë? Ma thoni ju mënyrën! Gëzimi ynë zgjat vetëm dy minuta, pasi pas çdo suksesi duhet të përgjigjemi vetëm për pyetje rreth dopingut. Të dhënat e skuadrës nuk do të bëhen publike për të gjithë, nuk ua japim rivalëve, por WADA mund t’i marrë kurdo, mund të vijnë edhe të jetojnë me ne po deshën”, tha ai.

Në mbështetje të From ka dalë një aleat i papritur, rivali i tij kryesor në këtë edicion, spanjolli Alberto Kontador, i cili ka bërë të qartë se nuk mendon se britaniku përdor doping. “Nuk kam arsye pse të dyshoj për From. Besoj se garon në mënyrë të ndershme dhe gjithçka që ka arritur është fryt i stërvitjeve dhe përpjekjeve”, tha spanjolli që para konferencës së tij paralajmëroi gazetarët se do të pranonte vetëm dy pyetje për dopingun, ndërsa tek e treta do të largohej nga salla.