Zoti eshte me kuqezinjte

Zoti eshte me kuqezinjte

Mrekulli kuqezi. Shqipëria nuk di të humbasë. Shqipëria është një skuadër gjigante. Meriton të kualifikohet në Europian. Atë që bëri të dielën në "Elbasan Arena", nuk ka se si të përshkruhet. Sepse ka treguar karakter, vendosmëri dhe gjakftohtësi për t'ia dalë. Për të fituar, kundër Armenisë, për të marrë tri pikët që na çojnë në 7 dhe sërish të dytët në grup. Por fitorja e djeshme ka qenë nga ato që nuk do të harrohen kurrë në jetë. Me një përmbysje, si skuadër e madhe falë Mavrajt dhe Gashit jemi në lojë për ëndrrën kuqezi, Europianin.

Trajneri Xhani De Biazi vendos që t'i besojë Mavrajt në një ditë të vështirë, sepse babanë e kishte të sëmurë rëndë. Një dedikim dhe lojë për mbrojtësin që kjo javë ka qenë një ferr i vërtetë, sepse veç golit, pëson fatkeqësinë familjare. Mbrojtësi i dëmtuar gjatë javës ia del. Në të djathtë Roshi, në stol Lenjani, ndërsa Xhaka luan majtas. Një skuadër e re, që nuk ka luajtur asnjëherë bashkë me tre mbrojtës prapa.

Loja nis e qetë, por me problemin më të madh për kuqezinjtë

E pabesueshme. Ende loja nuk kishte nisur mirë dhe e pësojmë. Një gabim i Hysajt, sjell golin. Pikërisht në minutën e katërt është Mkhitarian që çon Armeninë në avantazh. Ylli i Borusias pas një krosi nga e majta godet lehtë dhe mund Berishën. Stadiumi ngrin i gjithi. Duket që skuadra jonë nuk ka forcë nga krahët dhe mungon shpërthimi i Lenjanit. Armenët janë vendosur mirë në fushën e lojës dhe kanë epërsinë e mesfushës. Në minutën e 14 është Xhaka që ka rastin për të barazuar ndeshjen, por pas krosit të Agollit nuk ia del të shënojë.

Sherr edhe mes tifozërisë shqiptare, dhe duhet ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Në minutën 18 është Abrashi me portën bosh, i cili humbet rastin e barazimit. Në aksionin pasardhës është Cana, që detyrohet të marrë karton të verdhë, për të ndalur një aksion të rrezikshëm të miqve. Kombëtarja jonë ka marrë kontrollin e lojës. Loja bëhet më e ndezur, sepse kuqezinjtë mundohen të barazojnë rezultatin. Kanë epërsi territoriale, por nuk ia del. Në minutën e 33-të shumë pranë golit Shqipëria. Është Cikalleshi që merr një top në rrethin e mesit të fushës, ecën përpara godet diagonal, por shtylla i mohon golin lojtarit kuqezi. Dy raste të diskutueshme për kuqezinjtë që kërkojnë penallti, por nuk është kështu për gjyqtarin spanjoll. Sërish Shqipëria me Cikalleshin në minutën 45 është afër golit, pas një krosi të Agollit, Cikalleshi godet me kokë, por portieri armen pret në vijë. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 0-1 për Armeninë. Kuqezinjtë duhet të reagojnë.

De Biazi nxjerr skuadrën nga dhomat e zhveshjes me dy ndryshime. Jashtë Memushaj dhe Abrashi. Në fushë Gashi dhe Lenjani. Ata kanë marrë përsipër që të kthejnë ndeshjen. Shkëlzeni do të luajë si sulmues i dytë, ndërsa Lenjani merr vendin e tij majtas, pikërisht si në ndeshjen me Danimarkën. Gashi në minutën e 54-rt së bashku me Cikalleshin kanë një rast të mirë për gol, por sërish fati nuk është me ne. Skuadra është zgjatur, por kundërshtari luan në mbrojtje dhe kundërsulmin e ka si armën më të fortë të tij. Minuta e 55-të. Është Lenjani që pas një krosi të gjatë del në fundore kalon topin te Gashi që është te shtylla e dytë, që godet fluturimthi, por grushton, portieri. Nuk kalon as 60 sekonda dhe tjetër rast i artë për gol me Cikalleshin që pengohet në zonë, por për gjyqtarin kryesor nuk ka penallti. Loja ndizet edhe më shumë, siç tymoset stadiumi nga tifozët. Gjithsesi skuadra për pak sa nuk kapet në kundërkohë.

Minuta e 65- të dhe është Shkëlzen Gashi që nga 35 metra gjuan, por jashtë. Kukeli ka marrë kontrollin e mesfushës, por ende jemi të paqartë. Tjetër rast për moviolë për Lenjanin që pengohet në zonën armene. De Biazi hedh në fushë kartën e fundit. Hamdi Salihi në vend të Roshit. Armenia mbetet me 10 vetë. Hambartsumyan merr kartonin e dytë të verdhë. Goditje dënimi dhe Salihi fut këmbën godet, për të gjithë është gol, por jo. Është iluzion optik. Për gjyqtarin jo. Portieri e ka kapur topin në vijën e portës. Një minutë më vonë Cikalleshi godet, por është shtylla që ndal sferën që shkonte drejt portës. Është e pamundur, topi nuk futet në portën e Berezovskit. Minuta e 79-të dhe stadiumi i gjithë në këmbë.

Është ai, Mërgim Mavraj që barazon rezultatin pas një zhvillimi të një goditje këndi, Agolli çon topin në zonë dhe Mërgimi mbrapsht godet dhe 1-1. Stadiumi digjet nga çmenduria e tifozëve që i vënë zjarrin stadiumit. Skuadra hidhet në sulm, ka edhe disa raste me Lenjanin, Gashin e Cikalleshin. Dhe kur duheshin vetëm gjashtë minuta nga fundi vjen tërmeti Shkëlzen Gashi. Njeriu, i cili ishte marrë për të zgjidhur bën takimin. Në minutën e 84-rt Lenjani fut një top në zonë, që kalon gjithë pasqyrën e portës dhe në shtyllën e dytë është Gashi që një centimetër nga vija fatale e çon topin në rrjetë. Po tani që jemi në qiell.

Stadiumi çohet në këmbë dhe ka edhe invadim të fushës. Asnjë nuk mban përgjegjësi për atë që bën. Përmbysim ndeshjen. Kjo një çmenduri më vete, sepse kurrë nuk ia kishim dalë ta bënim kështu. Minutat e fundit janë drithëruese. Madje na shpëton edhe shtylla në sekondën e fundit. Por fitojmë, fitojmë, fitojmë në një ndeshje të jashtëzakonshme, plot emocion.

Ia dalim të mundim Armeninë me mënyrën tonë. Jemi skuadra për t'u mundur këtë grup, sepse kemi hequr qafe përfundimisht Armeninë, por duke u afruar me ëndrrën tonë, kualifikimin për në Europian. Jemi 360 minuta larg mrekullisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama