e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Zhgenjen edhe Qerimaj, Shqiperia pa medalje ne Boteror

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zhgenjen edhe Qerimaj, Shqiperia pa medalje ne Boteror

Zhgënjim i trefishtë për shtangën shqiptare në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Wroclaw të Polonisë. Pas rezultateve të dobëta të Daniel Godellit dhe Romela Begajt, emrin në listën e medaljeve nuk arrin ta shënojë as Erkan Qerimaj që iu rikthye peshëngritjes pas 2 viteve për shkak të pezullimit për përdorimin e një substance të ndaluar. Shangisti nga Shkodra u rendit i gjashti në dygarësh për kategorinë 77 kg duke ngritur në total 346 kg.

Garimi nisi me këmbën e mbarë për 25-vjeçarin që ngriti me sukses 155 kg në provën e parë të shkëputjes por zhgënjeu në peshën 159 dhe 160, duke u mjaftuar me vendin e gjashtë në këtë disiplinë. Në stilin e shtytjes, Qerimaj preferoi ta niste garimin me 191 kg.

Pa shumë mundim, shtangisti kuqezi e çoi lart peshën, duke shpresuar për një vend në podium, por dy provat e tjera me 196 kg rezultuan të dështuara edhe pse e ngriti shtangën mbi gjoks, duke u renditur në vendin e pestë. Përsa i përket garimit për vendin e parë, kjo kategori nuk pati rivalë sepse kinezi Lyu Xiao Jun theu rekordin botëror në shkëputje dhe dygarësh, duke rrëmbyer edhe titullin botëror. Me garimin e Qerimajt mbyllet edhe aventura e kombëtares shqiptare në Poloni ku si rrallëherë, kuqezinjtë do të rikthehen në atdhe pa asnjë medalje.