e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Zhduken brenda dites varrezat e makinave

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Zhduken brenda dites varrezat e makinave
Nëse prishej një pjesë e makinës që nuk gjendej më në treg apo duheshin kursyer para, shumë lehtë atë mund ta gjeje në varrezat e makinave. Zgjidhja ishin akset kryesore kombëtare dhe grumbujt e makinave të vjetra apo të aksidentuara që gjendeshin aty. Tashmë kjo “parajsë” për shoferët nuk është më. Të paktën për zonën Tiranë-Durrës, pasi ne rrethina zbatimi i ligjit zgjat pak më shumë në kohë. Akti Normativ i qeverisë për zhvendosjen e varrezave të makinave ka bërë që brenda pak ditësh nga ky aks rrugor të zhduken thuajse të gjitha makinat e mbledhura ndër vite me qëllime biznesi.

Dje ishte afati i fundit për zhvendosjen e varrezave të makinave nga akset kombëtare, sipas Aktit Normativ të qeverisë i miratuar tri javë më parë. Një ditë, në të cilën pronarët e një pjesë të pikave të mbledhjes së makinave të dala jashtë përdorimit e kanë nisur me punën që herët në mëngjes. Rruga dytësore Tiranë-Vorë u kthye në një kantier çmontimi i makinash të përdorura, ku pronarët e pikave nxitonin t’i hiqnin ato nga vendi, ndërsa tregtarët e skrapit të përfitonin sa më tepër nga situata duke ngarkuar në mjetet e tyre të transportit dhjetëra skelete makinash të zhveshura nga pjesët e këmbimit. Karrotrecët, kamionçinat apo triciklat, ishin frekuentuesit më të shpeshtë të kësaj rruge gjatë paradites së djeshme, të gjitha të ngarkuara me makina të dala jashtë përdorimit. Të nisur nga vende të ndryshme, ato kishin një destinacion, dërgimin e ngarkesës tek pikat e mbledhjes së skrapit duke e shitur sigurisht “me të lirë” krahasuar me tregun normal.

Të angazhuarit e djeshëm, ishin ata që kishin shpresuar më kot në moszbatimin e vendimit të qeverisë, ashtu siç ndodh rëndom me ligjet apo vendimet e ngjashme në vend, ndërkohë që një pjesë tjetër, nën presionin e inspektorëve lokal, kishin zhvendosur para afatit limit makinat e tyre duke lenë atyre vetëm gardhet rrethuese apo shenjat e grasos dhe vajit të akumuluar gjatë ushtrimit të aktivitetit ndër vite. Të vetmet materiale që kanë mbetur janë tuba gome, ndenjëse të vjetra, xhama të thyer, korskotë, fshirëse xhamash. Të gjitha këto kanë një gjë të përbashkët: nuk i hyjnë në punë mbledhësve të hekurishteve, për t’i shitur më pas për skrap.

Të paktë janë ata që kanë mundur të gjejnë një vend tjetër për zhvillimin e aktivitetit, ndërsa janë mjaftuar me çmontimin apo shitjen e makinave që kanë nëpër duar duke e mbyllur atë. Makinat e “rrjepura” totalisht u jepen blerësve rastësor të skrapit, të cilët me mjetet e tyre i dërgojnë ato tek mbledhësit më te mëdhenj duke përfituar në këtë rast të ardhura në një masë te kënaqshme. Mesdita e ka gjetur thuajse të pastruar këtë rrugë të njohur për numrin e madh të varrezave të makinave, brenda afateve të përcaktuara nga qeveria. Tregtarët e pjesëve të makinave të përdorura tregojnë se për ditë të tëra kanë qenë nën presionin e inspektorëve të cilët i kanë kërkuar zhvendosjen, në të kundërt do të ndërhyhej me mjetet e ushtrisë, ashtu siç ishte premtuar edhe nga qeveria më parë. Një aksion, i cili zgjati pak ditë por zhvendosi mijëra tonelata makina të vjetra.

Hiqen makinat, por nuk zhduket tregu i pjesëve të përdorura

Para se të bëjnë zhvendosjen, pronarët janë kujdesur që të bëjnë çmontimin e çdo pjesë të vlefshme të makinës, e cila magazinohet në një ambient pranë vend grumbullimit duke vijuar tregtinë e pjesëve të këmbimit, por kësaj radhe në ambiente të mbyllura. “I kemi hequr që dy-tri ditë makinat, na thanë t’i largonim dhe i çmontuam duke i futur brenda atje (bën me gisht magazinën). Na thanë që nëse i fusin brenda nuk do të kemi probleme”,- shpjegon punonjësi i një pike grumbullimi makinash të përdorura, thuajse në përfundim të punës së tij për çmontimin e një dere. Pjesët e këmbimit janë të vendosura në rafte të ndara sipas llojit dhe markës duke e bërë më te lehtë gjetjen e pjesës së duhur për blerësit.

Makinat që mblidhen në varreza zakonisht janë të aksidentuara që nuk mund të rregullohen më dhe blihen me çmime të lira me qëllim shitjen e pjesëve të këmbimit. Tregu në fjalë ka njohur një zgjerim të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit duke ofruar një zgjidhje alternative për pjesët e këmbimit krahas blerjes së tyre të reja. Tani, pas Aktit Normativ, vërtetë mund të jenë hequr vend grumbullimet por tregu i pjesëve të këmbimit të përdorura do të vazhdojë edhe më i ristrukturuar se më parë. Nevojtarët nuk do të jenë më të detyruar të kërkojnë për pjesën që i përshtatet makinës së tyre në pirgun e mjeteve të vjetra por do të shkojnë në magazinat e ngritura rishtazi. “Do vazhdojmë por tani sapo të marrim makinën do ta çmontojmë. Pjesët do t’i mbajmë brenda dhe shasinë do ta shesim për skrap”, – shpjegon pronari i një varrezë makinash duke sqaruar më së miri atë ç’ka pritet të bëhet me këtë treg pas Aktit Normativ të qeverisë.

Shvendosja e varrezave, dyshime të forta mbi vendimin e qeverisë

Ashtu si edhe nisma për dhënien e hipotekave për më shumë se 400 pallate në kryeqytet, edhe një herë, vërehet se kur ka vullnet politik vendimet dhe ligjet zbatohen pikë më pikë, madje para afateve limit. Më datë 14 shtator qeveria miratoi një Akt Normativ ku detyrohej zhvendosja në një kilometër largësi nga rrugët kombëtare të të gjitha varrezave të makinave që ndodheshin pranë tyre. Qëllimi kryesor i këtij vendimi sipas Kryeministrit Berisha ishte imazhi i keq që i jepnin vendit dhe zhvillimit të turizmit prania e këtyre pikë grumbullimeve të makinave të dala jashtë përdorimit pranë akseve kombëtare.

Procesi për zhvendosjen e varrezave të makinave nga akset kombëtare është shoqëruar me dyshime të mëdha në drejtim të qeverisë. Nga të dhënat e pasqyruara në faqen zyrtare të qeverisë, mësohet se Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e të paktën dy kompanive që ushtrojnë veprimtari në sektorin e riciklimit të mbetjeve metalike në vend një ditë para miratimit të Aktit Normativ. Nga ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, vërehet se pronarët e njërës prej kompanive të fjalë janë dy shtetas serb.

Më tri javë më parë, ekzekutivi miratoi papritmas aktin normativ duke parashikuar heqjen e të gjitha varrezave të makinave pranë akseve kombëtare. “Ndalimin e krijimit të vendgrumbullimeve dhe grumbullimin e mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe në vende të tjera të paautorizuara nga organet apo institucionet përkatëse, të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qëllim”, – theksohet në të.

Por, përpos ndalimit të grumbullimit të automjeteve të vjetra, qeveria detyroi pronarët e varrezave që t’i zhvendosnin ato me paratë e tyre në një vend tjetër brenda një muaji nga miratimi i Aktit Normativ. “Pronarët ose poseduesit e vendgrumbullimeve ekzistuese të mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e tij, duhet t’i largojnë, me shpenzimet e veta, nga vendndodhja e tyre aktuale këto mjete. Ato mund t’i rivendosin në vende të tjera, të lejuara dhe të autorizuara për këtë qëllim, duke zbatuar edhe kërkesat e tjera ligjore për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbrojtjen e mjedisit”, – citohet në të. E. Senja

Dita e lumtur e tregtarëve të skrapit

E djeshmja ishte një ditë e lumtur dhe me fitime të majme për tregtarët e skrapit. Duke shfrytëzuar afatin limit për zhvendosjen e varrezave ata kanë dalë në aksion me karroca dhe triçikla për blerjen e skeleteve të makinave të fundit që kanë mbetur pa u hequr. Ata me më pak fat, kontrollojnë në pikat që janë zhvendosur tashmë për ndonjë hekurishte të harruar. Nuk janë pak. Karroca mbushet shpejt e shpejtë dhe ngarkesës i duhet gjendur “vendi” duke nxituar për ngarkesën e radhës pas u shtuar konkurrenca. Një pazar i shkurtër dhe shasia e makinës hidhet menjëherë në karroceri. Pikat e mbledhjes së skrapit kanë pasur ditët e tyre më të majme këtë periudhë pasi janë bërë vend prehja për qindra e mijëra skeletet e makinave të zhvendosura. Tashmë ato i pret furra e shkrirjes.

Përse shërbejnë varrezat e makinave

Varrezat e makinave janë një fenomen që është në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe kryesisht pranë akseve kombëtare. Varrezat shërbejnë si një “supermarket” gjigant për ata që nuk kanë para apo që kërkojnë një pjesë këmbimi, e cila nuk gjendet më në treg. Në makinat e vjetra vlerësohet motori, pjesët xhenerike dhe pjesë të tjera të konsumit. Kështu, një makinë e përplasur e ka më të lehtë të gjejë xhamin, fenerin ose pasqyrën e thyer në një varrezë makinash se sa në dyqan. Pjesët janë të përdorura, por vjetërsia e tyre kompensohet me origjinalitetin. Shpesh herë të leverdis më shumë të marrësh një pjesë të përdorur origjinale se sa të blesh kopjen e saj. Një tjetër grup pjesësh që blihen në varreza janë edhe “gjërat” e vogla që ka tapiceria e makinës. Duke nisur nga fletët e kondicionerit dhe duke përfunduar tek sedilja e pasme ose tek levat e hapjes së xhamave, është më e leverdishme që të blihen në varreza. Makinat që dërgohen në varreza qëndrojnë aty për vite të tëra deri sa rripen tërësisht nga çdo pjesë e përdorshme.

Pikat kryesore të varrezave të makinave

Rruga e vjetër Tiranë-Durrës deri në Kavajë
Autostradës Tiranë-Durrës
Rruga Mamurras-Laç
Rruga Elbasan-Metalurgji
Rruga Lezhë–Shkodër
Rruga Rrogozhinë-Fier
Rruga Ballsh-Tepelenë