e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Zhao Pinto: Kjo Portugali eshte 'gjenerata e arte'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zhao Pinto: Kjo Portugali eshte 'gjenerata e arte'
Drejtori i Federatës Portugeze të Futbollit (FPF), Zhao Pinto, ka përshëndetur përparimin e ekipit kombëtar në gjysmëfinale të “Euro 2012”, duke pohuar se lojtarët luzitanë e kanë vulosur tashmë vendin e tyre në historinë krenare të futbollit të vendit. “Seleccao” ka përparuar në katër skuadrat e fundit, që mbijetojnë në “Euro 2012”, pas një fitoreje 1-0 ndaj Republikës Çeke, të enjten, me yllin Kristiano Ronaldo që shënoi golin e vetëm të lojës.

Pinto ishte pjesë e “gjeneratës së artë” të Portugalisë, por ai beson se ekipi aktual është i aftë të fitojë edhe titullin e Europianit, duke superuar edhe sërën e Luis Figos e Rui Kostës me shokë. “Lojtarët kanë qenë gjithmonë të përqëndruar në atë që ishte e rëndësishme, domethënë duke menduar vetëm për atë që mund të bëjmë dhe jo çfarë çekët mund të bëjnë, – ka thënë ish-sulmuesi Benfikës para gazetarëve. –

Ata ishin të shkëlqyer në këtë drejtim dhe ky ekip do të zërë një vend në historinë e futbollit portugez. Unë shpresoj se kjo është gjenerata e artë, që do të t’i japë më shumë se asnjëherë tjetër lavdi Portugalisë”.

Ndërkohë, presidenti i Portugalisë, Anibal Cavaco Silva ka falënderuar djemtë e Paulo Bentos, të cilët me suksesin e tyre në finalet e turneut të kësaj vere kanë lumturuar shpirtrat e bashkombasve të vet gjatë kohës së një pasigurie të madhe ekonomike. “Demonstrimi, vendosmëria, korrektësia dhe një vullnet për të fituar e bënë “Seleccao” tonë të sprovuar, edhe një herë tjetër, madje në kohë të vështira.

Kjo tregon se kombi portugez mund të kapërcejë sfida të mëdha, – shkroi ai në faqen e tij zyrtare. – Unë shpresoj për progres edhe në fazën e ardhshme të “Euro 2012”, por edhe arritjet e deritanishme e kanë dalluar tashmë futbollin portugez dhe kanë kontribuar në projektimin pozitiv ndërkombëtar të vendit.”

Portugalia do të përballet tani me fituesin e ndeshjes midis Spanjës dhe Francës në gjysmëfinale të këtij Europiani.