e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ronaldo: endrra vazhdon, tani dua edhe finalen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ronaldo: endrra vazhdon, tani dua edhe finalen
Kristiano Ronaldo është pa dyshim edhe lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme. Kapiteni i luzitanëve shënoi golin e vetëm, duke kualifikuar Portugalinë e tij për në gjysmëfinalet e Evropianit. Pas ndeshjes, ai nuk i ka fshehur emocionet për këtë arritje duke zbuluar edhe një fakt interesant: objektivi i Portugalisë për këtë Evropian ishte arritja e gjysmëfinaleve. “Jam shumë i lumtur pasi arritëm objektivin tonë primar.

Që para se të niste ky kampionat, ne kishim le të themi si detyrim që të kalonim çerekfinalet, pra të arrinim në gjysmëfinale. Tani që këtë objektiv e arritëm, jemi edhe më të qetë dhe nuk kemi asnjë presion për takimin e radhës”, pohoi fillimisht ylli i Portugalisë. Më tej ai analizoi edhe ndeshjen, duke pohuar se rezultati duhej të kishte qenë edhe më i thellë për nga rastet e shumta që patën luzitanët. “Për atë çka bëmë në 90 minuta lojë, jam i sigurt se rezultati i kësaj ndeshjeje ishte më se i drejtë. Patëm shumë herë më shumë raste sesa ata (çekët) dhe goditëm edhe dy herë shtyllën.

Do kishte qenë fatale që në fund të mos ishim ne ata që duhej të kualifikoheshim”, vazhdon Ronaldo. Në fund, ai nuk i anashkalon edhe kur e pyesin për ndeshjen gjysmëfinale dhe faktin nëse tani kjo Portugali mendon për titullin e kampionit të Evropës apo jo. “Kampionë të Evropës? Kemi bërë një kampionat evropian mjaft të mirë dhe mund të them se ëndrra jonë vazhdon. Kam shpresa për të shkuar edhe në finale, por duhet të rrimë me këmbë në tokë. Edhe në ndeshjen e radhës, pavarësisht kundërshtarit që do të kemi (Spanja ose Franca), do të tentojmë të fitojmë. Me këtë fitore u dhamë një shkelm edhe kritikave ndaj nesh të bëra ditët e fundit”, ka përfunduar Ronaldo. Kujtojmë se sulmuesi i luzitanëve ka arritur kuotën e tre golave në këtë Evropian, po aq sa edhe Gomez, Dzagoev dhe Mandzukiç, por këta dy të fundit tashmë janë eliminuar nga gara.