Zgjohen tifozët, ja kërkesa për hapjen e tribunave
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Festimi i Ditës së Verës në Gjirokastër, si në mbarë Shqipërinë, ka bërë që të shtyhet për sot prezantimi i dyshes drejtuese të bluzinjve, Haxhiu-Kodra.
"Falë mbrojtjes së hekurt dhe mesfushës elastike, Luftëtari ia doli të korrte atë që mbolli ndaj një kundërshtari të etur për fitore.
Përpos barazimit pa gola, Luftëtari dëshmoi edhe një herë se kur në fushë vendoset shpirti i garës dhe zemra, nuk ka kundërshtar që ta ndalë", shprehen për "Panorama Sport" pjesëtarë të tifo-grupit "Shqiponjat Bluzi" që ishin të pranishëm në transfertën e Fierit ndaj Apolonisë.
"Kemi mbetur të befasuar nga mikpritja e të gjithë aktorëve të qytetit të Fierit duke nisur nga forcat e rendit, drejtuesit organizativë të klubit të Apolonisë si dhe tifozerisë", vazhdojnë tifozët bluzi. Ndërkaq, ecuria e Luftëtarit në dy fazat e para ka rritur ndjeshëm interesimin e gjirokastritëve për të ndjekur në vijimësi ecurinë e bluzinjve. Duke nisur nga kjo javë do të kërkohet hapja e tribunës ballore D, aty ku kërkojnë të vendosen pjesëtarët e tifo-grupit "Shqiponjat Bluzi".
Shkak për moshapjen e tribunës ballore sipas forcave të rendit është mosgarantimi i mbarëvajtjes së ndeshjeve. Ndërsa Olsi Bala, përfaqësues i tifo-grupit gjirokastrit, shprehet: "Do të kërkojmë hapjen e tribunës ballore për të na dhënë mundësi që të mbështesim skuadrën më mirë në takimet e fazës së tretë. Nëse do të hapet ajo tribunë, spektakli do të jetë i garantuar".
Përgatiti: Tomor Shehu