Zbardhet plani i Bashkisë, do shesë aksionet e Elbasanit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Aksionet e KF El basani mund të shiten në përfundim të këtij sezoni ose në rastin më të keq gjatë vitit të ardhshëm.
Këtë gjë e ka pohuar vetë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kur edhe u miratua buxheti ku shifra për sportin ishte rreth 700 milionë lekë të vjetër. Këtë diskutim e hapi këshilltari i PD-së, Florenc Vavla, i cili kërkoi të dinte më shumë rreth klubit: "Për sa i përket futbollit, ne e miratuam mbledhjen e kaluar që bashkia të blinte aksionet dhe të merrte shumicën, duke u bërë aksionari kryesor.
Kur merr aksione, merr edhe përgjegjësi, sepse e dimë që Elbasani e ka shumë të vështirë edhe për të qëndruar në Kategorinë e Parë", kërkoi sqarime Vavla. Sejdini I menjëhershëm ka qenë edhe sqarimi i Sejdinit, i cili ka bërë një përmbledhje të situatës aktuale në klub, ku ndër të tjera veçoi se bashkia nuk ka ndër mend ta mbajë klubin gjatë.
"Ende nuk e kemi bërë blerjen e aksioneve, sepse duhet vendimi i Këshillit Bashkiak për buxhetin, sepse këtu janë paratë për të blerë aksionet dhe marrja e tyre kërkon detyrime, por nuk i kemi marrë këto aksione për t'i mbajtur.
Këto aksione i morëm për ta përgatitur që ta shesim klubin e futbollit, sepse Bashkia e Elbasanit dhe cilado bashki tjetër nuk mund ta mbajë dot. Futboll me 1 milion euro në vit nuk ka bashki në botë që të merret. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo histori.
Ne do të tentojmë, pasi kemi bërë edhe hapat e para duke shlyer një detyrim nëpërmjet FSHF-së të rrogave të sportistëve dhe pretendojmë që ta mbajmë ekipin në kategori, pasi ky është problemi ynë kryesor. Njëkohësisht do të vazhdojmë tratativat, edhe me FSHF-në që të ofrojmë për shitje pjesë të aksioneve tona dhe më pas edhe të partnerit që nesër do të dalë në minorancë.
Vetëm kështu mund të veprojmë, ndryshe i kemi dyert e mbyllura. Shpresojmë ta nxjerrim nga gjendja dhe ta çojmë atje ku duhet, por jo me paratë e bashkisë. Nuk kemi ne mundësi dhe është gabim që paratë e taksapaguesve të shkojnë atje. E kemi bërë një herë këtë gabim në një mandat tjetër dhe nuk kemi pasur sukses", përfundoi fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.
Aktualisht, bashkia zotëron shumicën e aksioneve të klubit, pasi ka blerë 8.98% që zotëron Gentian Çërraga, ndërsa Arben Laze aktualisht është pakicë.
Përgatiti: VLADIMIR MEMA