e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Zbardhet dosja/ Pergjimet e Kajollit: Mallin po ua sjell nga Cekia

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Zbardhet dosja/ Pergjimet e Kajollit: Mallin po ua sjell nga Cekia
Dy biseda të gjata telefonike me Sokol Genicën, një tjetër fierak i implikuar në trafikun e heroinës, kanë përfshirë emrin e Fatmir Kajollit në skedat e policisë italiane. Historia zë fill në gusht të vitit 1998, kur grupi i Genicës kishte mbetur pa furnitorë, ndaj edhe futi në lojë një tjetër personazh të fortë, Fatmir Kajollin. Vendimi i Gjykatës së Milanos, që i rëndon me 16 vite burg biznesmenit Kajolli, zbardh bisedat telefonike mes tij dhe Genicës, ku i pari ndodhej në Fier dhe i dyti në Milano. E megjithatë, distanca nuk e ka penguar Fatmir Kajollin të plotësojë fare thjesht kërkesën e mikut të tij përtej Adriatikut. MAPO publikon vendimin e Gjykatës së Milanos, ku Kajolli implikohet në trafikimin e 6 kilogramëve heroinë dhe 1 kg kokainë, ndërsa veç protagonistëve të përgjimit, në këtë episod kanë qenë edhe Bledar Mahmutaj, Muharrem Durra dhe italiani Michele Arcangelo. “Në datën 16 gusht 1998, Sokol Genica, nëpërmjet numrit në përgjim 0347/7973562 kontakton numrin shqiptar …274.

Kërkon Fatmir Kajollin. Më pas flet disa herë gjatë ditës me shtetasin Fatmir, ku të krijohet bindja se po konsumonin akuzën e ngritur”, – thuhet në dosjen italiane të Kajollit. Më tej, për të identifikuar plotësisht implikimin e Kajollit në këtë rrjet trafiku është përfshirë mareshalli Grassi, i cili i ka kërkuar departamentit të DSCA-së të zhvillojë hetime për  identifikimin e personit me numrin  …0726. Ky sektor ka komunikuar me policinë shqiptare, e cila ka konfirmuar se ky numër i përkiste personit Fatmir Kajolli, lindur në Fier më 29 korrik 1965. Mbi bazën e këtyre përgjimeve, Gjykata e Milanos e dënoi Kajollin me 16 vjet burg, por arrestimi i tij u realizua vetëm pak ditë më parë në qytetin e Fierit, ku njihet si një ndër investitorët kryesorë në qytetin e tij, e njëherazi edhe si aktivist politik në radhët e Partisë Republikane. Aktualisht, Fatmir Kajolli ndodhet në arrest shtëpie, në pritje të vendimit të Gjykatës për ekstradimin e tij.

TELEFONATA 1

Datë 16.8.1998, ora 09:12. Telefonatë ndërmjet Sokolit dhe Fatmirit

Fatmiri: Alo?
Sokoli: Po.
Fatmiri: Hë mo?
Sokoli: Kush je?
Fatmiri: Alo, Fatmiri jam.
Sokoli: Po ku je o grupi, ça po bën, si je ti?
Fatmiri: Mirë vllai.
Sokoli: Fëmijët, mirë i ke?
Fatmiri: Mirë, mirë.
Sokoli: Ore, e kupton se kush jam?
Fatmiri: Ore Sokol, ti je o vlla?
Sokoli: Po unë jam, Sokoli jam.
Fatmiri: Po ku je o vllai im?
Sokoli: Ça më thua ndonjë gjë ti?
Fatmiri: Je kthyer këtej ti?
Sokoli: Jo, në Itali jam.
Fatmiri: O vlla, po ça më thua ndonjë gjë?
Sokoli: Çdo gjë është shumë mirë.
Fatmiri: Vetë si je?
Sokoli: Po shtyhemi, të telefonova dhe mbrëmë unë po…
Fatmiri: Sa e ndeza telefonin unë. Ça më thua ndonjë gjë ti?
Sokoli: Po hiç, shtyhemi.
Fatmiri: Si i ke punët andej?
Sokoli: Si dyfek i lagur.
Fatmiri: …qesh ….Si the?
Sokoli: Akoma s’i kam në vijë punët, s’kemi fare nga ajo gjëja..
Fatmiri: Dëgjo
Sokoli: Po.
Fatmiri: Me…atë Lirimin…kam unë aty.
Sokoli: Si the?
Fatmiri: Kam unë për t’i dhënë Lirimit..e kam aty, e fitojmë të gjithë ndonjë gjë.
Sokoli: Kush është Lirimi?
Fatmiri:  Kush e ka atë djalin?….Ti e ke? …Ashtu më duket…e gjen?
Sokoli: Si ta gjej unë?
Fatmiri: Ke ndonjë muhabet në vijë ti?
Sokoli: Jo, s’kam gjë fare prandaj.
Famiri: Epo mirë se mbase ta gjej unë aty.
Sokoli: Për sa kohë e gjen ti?
Fatmiri: Që sot.
Sokoli: Po si e gjen?
Fatmiri: Ta gjej që sot. Më dëgjon?
Sokoli: Po.
Fatmiri: Ta gjej direkt.
Sokoli: Mos kërkojnë shumë ata?
Fatmiri: Neve sa na leverdis? Se nuk e kam nisur që këtej unë atë….për kokë të kalamajve.
Sokoli: Si the?
Fatmiri: Neve si na leverdis më mirë?
Sokoli: Po tani….
Fatmiri: Dëgjo!
Sokoli: Po.
Fatmiri: Dëgjo, të betohem që e ke aty te vendi…e ke parasysh që shkon te vendi dhe sa shkon?
Sokoli: Po, por ti fol njëherë se qysh e tek..
Fatmiri: Çfarë…
Sokoli: Fol njëherë vetë me të ti.
Fatmiri: Po.
Sokoli: Nga Republika Çeke e keni? Nga andej erdhi?
Fatmiri: Po, andej ka ardhur…që andej erdhi aty te ju…aty është tani.
Sokoli: Dëgjo.
Fatmiri: I kanë në makinë ata.
Sokoli: Kush është ai djali? Kush është ky? Avniu është ai?
Fatmiri: Nuk e di, të pyes njëherë ata se kush është…Më dëgjove vllai? Se kështu…
Sokoli: Epo mirë. Që mos t’i hallakatim kot dhe ata. Na vijnë lekët një për një, pastaj kur të pijmë kafen.
Fatmiri: O vllai, dëgjo pak, di gjë me sa e kanë lënë aty?
Sokoli: Hë, më thuaj.
Fatmiri: Se nuk fitoj asnjë lek unë, të betohem.
Sokoli: Po?
Fatmiri: Me 31.
Sokoli: Po vlla, ata kështu e kanë lënë.
Fatmiri: Të betohem ajo që shesim ne është….vij dhe unë dhe fitojmë të dy ne…atë që…të them të vërtetën…të betohem që s’kam dërguar asnjë lek..
Sokoli: Jo re…..
Fatmiri: Dëgjo…ma kanë lënë kështu, se ishin vetë ata që e çuan dhe i bënë të gjitha gjërat.
Sokoli: E kanë sjellë ata?
Fatmiri: Ça do ti të them unë tani?!
Sokoli: Ti ça po bën vetë njëherë?
Fatmiri: Mirë fare.
Sokoli: Ata nuk erdhën më ….kështu që…
Fatmiri: O vlla, për kë po thua ti?
Sokoli: Atë muhabetin e atij të UÇK-së…a ça dreqin ishte ai.
Fatmiri: Po re, kanë ardhur ata, i mbushën rrafsh dhe makinat.
Sokoli: Shyqyr!
Fatmiri: Dy makina i kam nisur unë.
Sokoli: Epo mirë.
Fatmiri: Dy tani, duhet të nis dhe nja dy të tjera.
Sokoli: Ata të Vlorës nuk kanë ardhur apo jo?
Fatmiri: Jo, ata s’u bënë më të gjallë.
Sokoli: Epo le të shkojnë të q…. Ata erdhën te unë dhe më kanë çarë k…
Fatmiri: …(qesh)…sa mirë bëre që…
Sokoli: Turi ça bën ndonjë gjë?
Fatmiri: Turi është yll fare, është në Republikën Çeke.
Sokoli: Ah.. po ai nuk na e bie dot këtu?
Fatmiri: Ata ma dërguan dhe mua… miqtë e Turit… ata ma sollën kështu..e ke parasysh ti meqenëse s’ka pasur fare…kupton?
Sokoli: Epo mirë (bie linja)

TELEFONATA 2

Datë 16.8.1998, mes Sokol Genicës dhe Fatmir Kajollit
Fatmiri: Alo!
Sokoli: Më thuaj grupi.
Fatmiri: Dëgjo.
Sokoli: Po.
Fatmiri: Më thuaj çik atë lokalin që doni ju për ta takuar atë personin, se vjen vetë t’u takojë ai.
Sokoli: Po?
Fatmiri: Hë pra? Thuaj ndonjërit aty që…se unë e ti s’i njohim mirë këto…
Sokoli: Ça the?
Fatmiri: Ne të dy se njohim fare vendin aty, prandaj më thuaj emrin e ndonjë lokali apo ndonjë vendi aty…që të vijë të të takojë ai personi.
Sokoli: Po.
Fatmiri: Do të flasë me ty ai, me asnjë tjetër.
Sokoli: Po, dakord.
Fatmiri: Domethënë?
Sokoli: Domethënë do ta mbyllim këtë punë apo jo?
Fatmiri: Po re po, më thuaj atë vendin ku do takosh personin ti. Ku je ti tani?
Sokoli: Unë jam te ky hoteli “Gran Sasso”
Fatmiri: Çfarë..? Cili hotel..?
Sokoli: “Gran Sasso”. Alo.
Fatmiri: Një sekondë vlla… Gran Sasso?
Sokoli: Po te hoteli i Lamit.
Fatmiri: Ku është ky Lami?
Sokoli: Po…ore këtu është…po më mirë mos ta zgjasim shumë në telefon ne…vjen ai dhe…tani vjen ai?
Fatmiri: Po.
Sokoli: Epo mirë.
fatmiri: Atëherë në ça vendi?
Sokoli: Këtu në Milano.
fatmiri: Mirë po flas me të direkt unë…ai ty do të kërkojë kur të vijë aty?
Sokoli: Po, s’ka problem fare se aty poshtë do jem unë.
Fatmiri: Se mund të vonohet një çikë ai…po telefonoj njëherë ata andej unë, se e marrin ata në telefon, se unë s’kam kontakt me atë personin që është aty.
Sokoli: Shumë mirë.
Fatmiri: Mirë fare, hajde se të marr unë prapë. Mirupafshim vlla.
Sokoli: Ty kur të të marr në telefon unë?
fatmiri: Po do bëhet direkt tani kjo punë.
Sokoli: Epo mirë.
Fatmiri: Nja 100-150 bëj gati për ta ti….më kupton?
Sokoli: Prit një çikë se duhet të flas njëherë me ata…menjëherë…do e flas me këta miqtë se nuk janë zgjuar akoma nga gjumi këta.
Fatmiri: Epo e bëjmë kështu…fol njëherë ti me ata.
Sokoli: Më lër mua se të marr andej nga dreka.
Fatmiri: Epo mirë.
Sokoli: Sot e mbyllim këtë punë apo jo?
Fatmiri: Do bëhet, si s’do bëhet.
Sokoli: Hajt mirupafshim!
Fatmiri: Zëre se është bërë, mirupafshim.
Sokoli: Mirupafshim!